Provokimet e Beogradit do të dëmtojnë Serbinë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, u është adresuar dje përfaqësuesve të shumtë nga shtete të ndryshme të Evropës e më gjerë, të mbledhur në Vjenë, në Konferencën “Com-sult”, në të cilën po diskutohet për të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e tij, kryeparlamentari Veseli bëri një përshkrim të së kaluarës së dhembshme të popujve të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht në ish-Jugosllavi, në të cilën, tranzicioni demokratik u la mënjanë dhe në vend të tij u shfaqën hasmëritë dhe urrejtja ndëretnike, për pasojë të të cilave qindra mijëra civilë të pafajshëm humbën jetën, mes tyre edhe mijëra shqiptarë, ndërsa vendet u kthyen në gërmadha dhe shoqëritë, bashkë me ekonomitë e tyre u shkatërruan.
Veseli tha se pas luftërave të tmerrshme, shekulli i ri në Ballkanin Perëndimor nisi me një shpresë të re, por me vështirësi në tranzicion, deri më 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë e saj. “Në këto pak vite të ekzistencës së tij, shteti i Kosovës ka shënuar hapa historikë në konsolidimin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Deri më tash, 113 shtete e kanë njohur Republikën e Kosovës. Jemi bërë pjesë e një sërë iniciativash dhe mekanizmash ndërkombëtarë. Të rinjtë e Kosovës, edhe pse më të izoluarit në Evropë, janë duke shkëlqyer në garat sportive ndërkombëtare, në muzikë dhe inovacion”, tha kryeparlamentari Veseli.
Ai, po ashtu, pohoi se pavarësia e Kosovës e ka bërë më të qëndrueshëm stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit. “Sot, ne mund të ndihemi mirë, sepse të gjitha vendet tona kanë vizion të përbashkët për të qenë pjesë e familjes së demokracive evropiane. Aty-këtu dëgjojmë zëra të forcave antidemokratike që flasin për orientime të tjera strategjike, për aleanca të reja, por jam i bindur se këto forca nuk do të mund ta rivalizojnë vizionin euroatlantik, i cili, para së gjithash, ka mbështetjen e plotë të qytetarëve dhe shoqërive ballkanike. Megjithëkëtë, nuk duhet që të injorohen këto forca”, theksoi Veseli.
Duke folur për sfidat e vendeve të Ballkanit dhe nevojën e mbështetjes nga Bashkimi Evropian, kryeparlamentari Veseli ka përmendur edhe angazhimin e Kosovës për fqinjësi të mirë dhe dialog.
Ai tha se institucionet e Kosovës janë të angazhuara në procesin e dialogut me Serbinë, në mënyrë që marrëdhëniet midis dy shteteve fillimisht të normalizohen, si hap i parë drejt procesit të njohjes reciproke si dy shtete të pavarura, që ndajnë të njëjtën aspiratë për të qenë pjesë e BE-së.
Por, Veseli e cilësoi brengosës faktin se shpeshherë në Beograd ka një shpërthim të zellit nacionalist për të penguar shtetin e Kosovës dhe integrimin euroatlantik të tij.
“Provokimet e fundit të Serbisë, si aktualizimi i fletarresteve të kohës së Millosheviçit për ish-pjesëtarët e UÇK-së, përpjekjet për të ndërtuar mure ndarëse në veriun e Mitrovicës, lëshimi i trenave ilegalë që duan të futen në Kosovë pavarësisht ligjeve të vendit, janë pasojë e këtij zelli, që ne konsiderojmë se në fund të fundit do t’i bëjë dëm më së shumti vetë Serbisë dhe qytetarëve të saj”, tha kryeparlamentari Veseli.
Ai shtoi se Republika e Kosovës përbën një realitet gjeopolitik të pakthyeshëm. Sipas tij, shumëçka mund të ndodhë në Ballkan, por në asnjë mënyrë kthimi i së kaluarës.
“Ne i kuptojmë vështirësitë e Serbisë për t’u çliruar nga trashëgimia e së kaluarës, por fqinji ynë verior duhet ta kuptojë se nuk mund të bëhet pjesë e BE-së duke penguar fqinjët e tij që ta bëjnë të njëjtën gjë. Unë besoj se në muajt dhe vitet në vazhdim do të ecim të gjithë së bashku në këtë drejtim, që një ditë paqja e brishtë ballkanike të fitojë epitetin e asaj që quhet paqe demokratike mes kombeve. Por, është e domosdoshme që BE-ja të qartësojë parimin e barazisë së të gjitha shteteve të rajonit në perspektivën integruese”, tha kryeparlamentari Veseli.

Exit mobile version