Me çeljen e punimeve parlamentare në muajin janar, pritet shpallja e pavlefshmërisë së mandatit të deputetit Arben Ahmetaj, dhe zëvendësimi i tij me një tjetër deputet, bazuar në listën fituese të kandidatëve në zgjedhjet parlamentare të 2021.
Sipas rregullores së kuvendit, sesioni i ri parlamentar fillon të hënën e tretë të janarit. Fillimi i sesionit të ri parlamentar bëhet me seancë plenare të thirrur me urdhër të kryeparlamentares, Lindita Nikolla. Nga verifikimi i mandateve, pritet të konstatohet pavlefshmëria e mandatit të Arben Ahmetaj, referuar nenit 71 të Kushtetutës.
Ky nen sanksionon në pikën 2 të tij se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Për herë të fundit, ish-ministri Ahmetaj ishte prezent në seancën plenare të datës 6 korrik.
Katër ditë më vonë, SPAK kërkoi autorizim nga Kuvendi për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish numrit dy të qeverisë, Arben Ahmetaj. Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve avokatët mbrojtës të ish ministrit deklaruan se ai ndodhej jashtë vendit. Në seancën ku kolegët e tij, i dhanë autorizim Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e Ahmetajt, ky i fundit nuk ishte prezent por dërgoi një mesazh publik nga arratia.
Referuar kësaj kronologjie, Ahmetaj e ka plotësuar afatin kohor që i cakton kushtetuta ndaj pritet konstatimi i përfundimit të mandatit të tij. Sipas votave preferenciale të kandidatëve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, mandati i Ahmetajt i kalon Dallëndyshe Bicit, drejtoreshës aktuale të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Nëse kjo e fundit, nuk e pranon mandatin, atëherë i kalon juristit Plarent Ndreca i cili ka siguruar në zgjedhjet e vitit 2021, 4008 vota në Tiranë./Voxnews