Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Enkelejd Alibeaj, në një lidhje me Skype në rubrikën Opinion në News 24 të moderatores Nisida Tufa, ka komentuar amnistinë penale. Alibeaj theksoi se PS dhe Rithemelimi, me anë të amnistisë penale, kanë bërë aleancë antiSPAK. Ai tha se parlamenti, me ligj, po nxjerr hajdutët nga burgu.
“Ne kemi pasur qëndrimin që njerëzit që ndiqen penalisht nga SPAK apo GJKKO të mos falen. Nëse do të miratohet në parlament amnistia penale, sinjali që jep Kuvendi është që SPAK punon, heton, GJKKO dënon hajdutët dhe të korruputuarit, e parlamenti po i nxjerr nga burgu. Ne kemi kërkuar që protestuesit që janë dënuar apo janë në gjykim të mund të përfitojnë. E kemi quajtur pazar amnistinë, sepse propozimi i PS ka qenë që të dënuarit nga SPAK të mund të përfitojnë. Dhe Themelimi e ka pranuar. Kjo është aleancë antiSPAK mes PS dhe Rithemelimit. Pra, që të përfitojnë hajdutët jo me poste tepër të larta, por që kanë mbajtur një post në administratë si drejtor etj. Marrëveshja mes PS dhe Rithemelimit gjithashtu bëri kurban Reformën Zgjedhore”, tha Alibeaj.
Më tej, Alibeaj nënvizoi se është një këmbanë alarmi që PS ka hedhur idenë që të ngrihet një Komision në Kuvend për ta kontrolluar SPAK-un. Sipas tij, parlamenti dhe administrata po përpiqen që ta izolojnë Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.
“Eduart Shalsi ka thënë muaj më parë se do përgatisim Komision, nën justifikimin e të drejtave të njeriut, e ka pranuar që të ketë Komision brenda parlamentit, që do të shqyrtojë në thonjëza ankesat ndaj SPAK. Kur këtë e thotë një zyrtar i lartë, është këmbanë alarmi. Edhe kryeministri e ka thënë se mund të ngrihet Komisioni, për përplasjen që ka pasur me përfaqësuesit e BKH-së. Administrata nuk jep asnjë informacion ndaj SPAK. Parlamenti dhe maxhoranca po përpiqen ta izolojnë SPAK-un. Nga amnistia përfitojnë disa persona, që akuzohen për korrupsion, iu ulet dënimi madje edhe atyre që janë dënuar. SPAK ka meritën se ka thyer tabunë e moshetimit, ka dënuar zv kryeministrin, ka çuar në burg drejtorë, është meritë e madhe që demokracia shqiptare nuk e ka njohur. Por, Struktura e Posaçme duhet të jetë më e shpejtë në veprime. Veprimet e SPAK i përshëndet 70 përqind e popullsisë”, deklaroi Alibeaj.