PS fitoi me metodat e Sigurimit! Gazeta e madhe franceze shkrim për masakrën e zgjedhjeve në Shqipëri

Gazeta e madhe franceze, Le Figaro i ka kushtuar një artikull të gjatë trashëgimisë komuniste të Shqipërisë, rolit të Sigurimit të Shtetit në një nga diktaturat më të egra të lindjes, si dhe përdorimit të këtyre metodave nga socialistët në pushtet duke u mbështetur tek skandali i përdorimit të patronazhistëve për zgjedhje që u zbulua nga Lapsi.al.

Reporteri i madh, Thierry Portes, i cili qëndroi në Tiranë për të investiguar se si përdoren në politikën e sotme metodat e së shkuarës, ka vizituar muzeun e sigurimit, “shtëpinë me gjedhe”, ka ndjekur kalvarin e personazheve që nuk gjejnë eshtrat e prindërve të tyre dhe përgjatë këtij artikulli i ka kushtuar një hapësirë goxha të madhe edhe sistemit vjedhjes të të dhënave personale që partia në pushtet përdori për zgjedhjet.

“Shqiptarët, të mësuar që nga kohërat komuniste, jo të rebelohen, por të bashkëjetojnë me një pushtet që ka gjithçka në dorë për ti’u dhënë ose për ti’u marrë punën dhe strehimin, preferuan t’i pëlqenin udhëheqësit së tyre duke votuar për të. Në fund, Edi Rama fitoi zgjedhjet. Një gjykatës erdhi për të sekuestruar dokumente në selinë e gazetës Lapsi. Tani është hapur një hetim kundër gazetarëve për zbulimin e të dhënave personale. Zyrtarët qeveritarë që vodhën të dhënat konfidenciale të popullsisë për të ndërtuar këtë sistem mbikëqyrjeje, deri më tani nuk janë shqetësuar”, shkruhet në artikullin e të përditshmes së qendrës së djathtë.

Duke e shpjeguar situatën për publikun francez “Le Figaro”, sqaron: “Sigurimi ka shenjuar shpirtrat në një masë të tillë sa që Partisë Socialiste iu duk e natyrshme, në 2021, të krijonte dosje për të gjithë shqiptarët, në mënyrë që të konsolidonte pushtetin e saj në vend! Rasti u zbulua nga gazeta në internet Lapsi.al, e cila botoi 910.000 dosjet që PS kishte hartuar në Tiranë. Emri, adresa, telefoni, gjendja martesore, situata profesionale, të ardhurat dhe biznesi i secilit … Të gjitha këto të dhëna të mbajtura nga administrata elektronike shqiptare ishin transferuar në kompjuterët e formacionit politik të kryeministrit Edi Rama. PS atëherë ngarkoi, në secilën lagje të kryeqytetit, një patronazhist – termi mund të përkthehet si “kontrollues” ose “mësues kujdestar” – për të shtuar informacion mbi këto skedarë administrativë. Këta informatorë vlerësuan kështu interesat dhe zakonet e fqinjëve të tyre dhe ofruan komente të tilla si “ka borxhe”, “djali i tij po kërkon punë”, “duhet të rregullojë blerjen e shtëpisë së tij”, “ështe i djathtë por mund të votojë për ne”, “mund të jetë me ne”, “dikush i sigurt”…”

“Gazetari themelues i faqes Lapsi, Andi Bushati thotë se ai vendosi të botojë ekzistencën e kësaj baze të dhënash për ekzistencën e të cilës komuniteti i vogël i informuar i Tiranës kishte filluar të dyshonte prej disa muajsh. Ato të dhëna ishin shpërndarë mjaftueshëm brenda PS-së aq sa botuesi të mos kishte frikë se do penalizohej nga një hetim i mundshëm që drejtësia megjithatë dështoi ta zhvillonte”.

Gazeta jep edhe atmosferën e ditëve kur u zbulua lajmi: “Njerëzit e Tiranës kërkuan të gjithë se kush ishte patronazhisti i tyre, shpesh duke u habitur kur gjetën një fqinj që nuk e njihnin. Skandali nuk zgjati më shumë se tre ditë. Kryeministri socialist u tall me këtë histori. Media audio-vizuale, e mbajtur nga pushteti, nuk foli për të. Dhe opozita e krahut të djathtë u tregiua diskrete, duke përçmuar këtë kalë beteje”.

“Ekipi i fushatës së Partisë Demokratike, i cili u mbështet nga komunikuesit që punuan për kryeministrin izraelit Benyamin Netanyahu, gjykoi se denoncimi i regjistrimit të popullsisë nga PS në pushtet do të ishte joproduktiv,” shpjegon Andi Bushati.

Ndonëse teza që ngre gazetari francez Thierry Portes, për të lidhur metodat e Sigurimit të Shtetit me ato të patronazhistëve të PS ha shumë diskutime, e rëndësishme në artikullin e tij është fakti se ai vëren përdorimin e të dhënave personale nga pushteti, heshtjen e drejtësisë dhe mediave të mëdha për këtë skandal dhe mënyrën se si u tall Edi Rama, me këtë manovër që qe një nga të shumtat që i siguroi rezultatin e 25 prillit./Lapsi.al

Artikulli paraprak300 euro një votë në Korçë, juristi i PD nxjerr emrat në KAS, nga ministri Peleshi tek drejtuesit lokalë
Artikulli tjetërDenoncimi i fortë/ Të gjitha kullotat janë mbjellë me drogë, banori: Na rrezikohet jeta nga kultivuesit e hashashit