Përfaqësuesit e PS janë larguar nga tryeza e dialogut me opozitën për arritjen e një konsensusi për listat e hapura 100% dhe mos prekjen e koalicioneve.
Përfaqësuesit e opozitës, Bylykbashi dhe Vasili deklaruan se “asgjë nuk do ti shpëtojë nga uragani popullor.” Ka përfunduar pas pesë orësh diskutime dhe debate mbledhja e Këshillit Politik, prej ku palët nuk kanë arritur të gjejnë konsensusin.
Mbledhja është zhvilluar me tone të ashpra mes përfaqësuesit të mazhorancës, Damian Gjiknuri, dhe përfaqësuesve të opozitës jashtëparlamentare, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.
Këta të fundit kanë këmbëngulur që të bëhet hapje 100% e listave dhe të mos bëhet asnjë ndryshim tjetër kushtetues, por burime opozitare brenda mbledhjes bënë me dije se një kërkesë e tillë nuk është pranuar nga Gjiknuri.
PS refuzon të shqyrtojë propozimin, duke i qëndruar versionit të vet të njëanshëm dhe duke mos dhënë konsensus për propozimin e kompromisit të ofruar edhe sot nga opozita.
Sipas Vasilit, Opozita e Bashkuar ishte gati për konsensus por Gjiknuri në 5 orë nuk kishte asnjë argument për të mbrojtur ndryshimet kushtetuese të njëanshme asnjë argument për të kundërshtuar lista e hapura, por kërkonte vetëm ndalim të koalicioneve parazgjedhore.
Më tej ai thekson se Gjiknurin e presin edhe nesër në Këshillin Politik teksa nuk dihet nëse kjo ofertë vlen në qoftë se miratohen në Kuvend ndryshimet kushtetuese.
”Në 5 orë zero argumente në mbështetje të asaj që duan të miratojnë, zero argumente për të kundërshtuar listat e hapura. Këto përpëlitje dhe ikja nga tavolina i cili u largua nga tavolina dhe dëgjova që deklaroi se edhe po të kishte reflektim ishte gati ta diskutonim nesër. Por ne jemi të palëvizur për një konsensus në këtë tavolinë.
Por argumenti ishte vetëm një, të heqim koalicionet parazgjedhore. Me idenë dështake se do fitojnë zgjedhjet në tavolinë. Asnjë argument s’ka pasur as këtu, as në rezidencën amerikane, për orë e orë të tëra. Qëllimi është të ndalojnë koalicionin. Rama ka iluzionin se me këto copa peshku do ndalë uraganin. Gjithë ne dhe shqiptarët, ai e pranon publikisht që është humbur dhe do të bëjë gjithçka për ta evituar.
Ne megjithëse përfaqësojmë një shumicë dërrmuese donim të ndërtonim një konsensus. Vetëm një fjali të thjeshtë, lista të hapura. Që ka evituar trauma e përplasje dhe ka mundësuar zgjedhje normale. Rama ka kuptuar se me këto ndryshime të zhbënin marrëveshjen e 5 qershorit, të bënte të tjera ndërhyrje në Kod dhe të minonin procesin.
Ndryshimet e njëanshme u shërbejnë tensionit politik, dhe çuarjes drejt nje izolimi. Kurse 5 qershori hapjes së një rruge të re. ”- tha Vasili.
Siç theksojnë të njëjtat burime, gjatë debatit përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi, ka nënvizuar se po injorohet vlerësimi i ODIRH, duke kujtuar që “ODIHR ka këmbëngulur tek mosabuzimi me burimet shteterore dhe se burimi kryesor shtetëror është fuqia rregullatore, dhe ju po abuzoni me të pa nisur zgjedhjet”.
Burimet brenda mbledhjes konfirmojnë se Oerd Bylykbashi i është drejtuar me këto fjalë “Ju po përdorini ndryshimin e njëanshëm të ligjit, për të krijuar favore të PS në zgjedhje.
Në 2013 erdhët në pushtet me krimin, në 2016 kanabizuat vendit dhe me paratë e pista të krimit bletë zgjedhjet e 2017, tani nuk ju mjaftojnë këto dhe po përpiqeni të diktoni ndryshimet e njëanshme të rregullave. Jeni të pashpresë, jeni humbës.”.