PS nis blerjen e votave me ushqime në Tepelenë

PS nis blerjen e votave nëpërmjet shpërndarjes së ndihmave në zyrat e saj për familjet e varfëra. Dhjetëra banorë janë fotografuar dje në zyrën e PS në Tepelenë, duke marrë qese me ndihma. Denoncimi është bërë nga kryesuesi i listës së kandidatëve për deputet të PD në Qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehu. Në një status në rrjetin social Facebook, Shehu ka publikuar disa foto ku qytetarët marrin qese me ndihma në selinë e PS në Tepelenë.
“Në zyrat elektorale të PS Tepelenë, fotot flasin vetë. Duke përfituar nga varfëria e tejskajshme, ku Qeveria Rama ka futur vendin dhe Qarkun e Gjirokastrës, ndahen disa qese plastmasi me diçka brenda në zyrat elektorale të PS. Kjo është ‘Rilindja”, shkruan deputeti Shehu.
Ai denoncon rastin flagrant të ndarjes së ndihmave në zyrat e PS dhe kërkon që organet kompetente të marrin masa. “Këtu kemi të bëjmë edhe me shkelje të rëndë të ligjit. Për respekt, qytetarët janë të paidentifikueshëm. Ftoj organet kompetente të marrin masa!”, shkruan Shehu. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal, ndëshkojnë deri në 7 vjet burg, blerësit e votës.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe ish-Kryerministri Berisha. Berisha i kërkon Prokurorisë që të nisë menjëherë hetimet për ata që blejnë vota. “Votë me ble, votë me ble! Ushqime për votë, ushqime për votë! I bëj thirrje Prokurorisë të vendosë para ligjit kriminelët që blejnë vota, por dhe sehirxhinjtë e tyre!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Rilindja” gjatë katër viteve të qeverisjes shtoi ushtrinë e të papunëve dhe varfëroi edhe më shumë familjet shqiptare. Tani kërkon t’i mashtrojë përsëri, duke u dhënë nga një thes me ndihma për t’u marrë votat.
Një ditë më parë u denoncua deputeti i LSI, Vangjel Tavo, për shpërndarje ndihmash për banorët e komunitetit rom. Mielli është shpërndarë në lagjen “Zinxhira” në qytetin e Gjirokastrës, në këmbim të votave nën kujdesin e drejtorit të Policisë Bashkiake të Gjirokastrës që drejtohet nga LSI. Media lokale “Jugunews.net”, publikoi foton ku dukej deputeti i LSI-së teksa u shpërndan miell banorëve të komunitetit rom në Gjirokastër. Në foto duket se, komuniteti rom pret rradhën për të marrë thasët me miell që shpërndahen, të cilat ndodhen në krah të kandidatit tek një furgon i bardhë.
Furgoni i bardhë pas krahëve të Tavos ka qenë i tejmbushur me miell, ku iu është shpërndarë sipas nevojave, familjeve të varfëra rome në lagjen “Zinxhira”. Ndërkohë, që pas krahëve të Tavos me shigjetë të kuqe, qëndron Gramoz Llapi, drejtor i Policisë Bashkiake.

Kumbaro përdor fondet e ministrisë në fushatë

Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të PD në Qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehu, shprehet se kandidatja për deputete e PS, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, po përdor fondet e ministrisë për fushatën elektorale. Në një status të tij në rrjetin social Facebook, Shehu shkruan për ndërhyrje të qëllimshme në fushatën elektorale, përmes organizimit të aktiviteteve të dikasterit që ajo drejton në Libohovë.
Shehu i ka kërkuar KQZ të verifikojë menjëherë ngjarjen në fjalë, duke e bllokuar si aktivitet interferues me fushatën elektorale, si dhe të kontrollojë edhe përsa është realizuar deri më tani në Qarkun e Gjirokastrës.
“Zonja Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës, është kandidate për PS në Qarkun e Gjirokastrës. Pikërisht në kulmin e fushatës elektorale datë 9-11 qershor, në zonën e saj elektorale, Libohovë, sipas një ftese pa firmë e pa vulë, Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bashkinë e Libohovës të drejtuar nga PS organizojnë një “Festival tradicional” aty!
Një veprim ky që së paku bie ndesh me çdo element etike elektorale. Pyes: Kush e financon këtë aktivitet, si ndahen financimet, pse zgjidhet pikërisht kjo datë e ky vend nga ai dikaster? Në Qarkun e Gjirokastrës gjatë kësaj periudhe elektorale, janë organizuar disa aktivitete të tilla “abuzive”, ky është i fundmi i këtij lloji dhe më flagranti”, shkruan Shehu.

R.POLISI

Exit mobile version