Alban DACI
Lidershipit i Ramës, që nga marrja e partisë, ka qenë dhe vazhdon të jetë autoritar, tipik për forcat e majta radikale. Ai, që në fillim, ka pasur tendencë të tij që, çdo gjë të identifikohej ekskluzivisht me të dhe pushteti të ishte i gjithi vetëm në duart e tij.
Rama s’ka dashur të bëj as zgjedhje për kryetarin, duke shpikur metoda, siç ishte referendumi për të aprovuar ndryshimet në statut, që një kryeministër që fiton zgjedhjet nuk ka nevojë të hyjë në proces votimi të brendshëm për kryetar partie.
Një lidership i fortë ka edhe të mirat, edhe të këqijat e tij
-Teorikisht, e mira mund të jetë në rritjen e shpejtësisë së vendimmarrjes, duke eliminuar burokracitë. Me shumë vendime e me pak demokraci
-Ndërsa, e keqja është se lidershipi i fortë eliminon forumet dhe fillimi apo fundi i këtij lidershipi, zakonisht, shoqërohet edhe me kriza të thella të subjektit e ka plot raste që subjekti politik vdes, bashkë me vdekjen politike të liderit absolut.
PS, e vetëdijshme për misionin e saj të pamundur të mandatit tretë, të gjitha forcat dhe energjitë i ka përqendruar te figura dhe lidershipi i Edi Ramës. Kjo ka ndodhur për faktin, se Rama është autoritar dhe ua imponon përmes pushtetit lidershipin e tij dhe po ashtu me praninë e tij të fortë Rama ka eliminuar jo vetëm çdo opsion alternativ, por edhe ekzistencën e një rivali të mundshëm.
Kështu, PS është sot në një situatë të tillë që, edhe po të dojë të jetë kundër Ramës, nuk ka asnjë mundësi, apo hapësirë ta bëj. Në këtë këndvështrim, socialistët janë të vetëdijshëm për faktin, se po shkojnë drejt vrasjes politike.
Çfarë do të ndodh pas 25 prillit?
Një gjë është e sigurt, se Rama e ka lodhur dhe konsumuar aq shumë veten sa nuk ka asnjë shance me mekanizma demokratike e me votën e lirë të shqiptarëve të jetë përsëri kryeministër. Vetë dëshira e tij për një mandat e tretë, në një realitet si Shqipëria, nuk dëshmon dëshirën e tij për të qeverisur, por obsesioni e tij për pushtetin dhe për privilegjet, që rrjedhin prej tij.
Realiteti politik shqiptar është i egër dhe i mundimshëm e për pasojë një lider që kërkon një mandat të tretë do të thotë, se ai s’ka më as pasion e as energji për të qeverisur, por, ndoshta për shkak të rrethanave politike është i marrë “peng” nga efektet e pushtetit të tij.
Disa mund të besojnë, se një lider si Rama është vetëm i dashur. Lidere, me lidership të fortë, sa më shumë qëndrojnë në pushtet, aq më shumë negativitet, frikë dhe urrejtje transmetojnë edhe te bashkëpunëtorët e ngushtë.
Liderët shqiptarë jane makiaveliste e preferojnë më shumë të jenë të frikshëm, se sa të dashur. Por në momentin që frika nuk ka më efekte hakmarrja e të frikësuarve është më e pa mëshirshme dhe më e egër. Kjo pritet të ndodh me Ramen, pas humbjes së 25 prillit. Ata që, sot, ai i konsideron miq dhe të frikësuar, nesër, pas 25 prillit do t’i këtë, padyshim, armiq të egër.
Me lidershipin e tij të fortë, Rama i ka bërë dëme të mëdha PS, sepse jo vetëm ka eliminuar forumet, por ka eliminuar çdo kantier që mund të rris e të prodhoj alternativë lidershipi të ndryshëm me të Ramës.
Kështu, PS pas 25 prillit, pritet të hyje në një krizë të thellë politike, lidershipi dhe identiteti politik që do të vendos në rrezik ekzistencën e saj politike.
Kështu, në këto rrethana, PS nuk ka një plan B, pas Ramës e pas 25 prillit dhe luan rëndë në sloganin : O gjithçka, ose asgjë! Megjithatë, vendi rrezikon të mbetet pa Opozitë dhe vendit e demokracisë i duhet një Opozitë.