Presidenti Ilir Meta ka reaguar pasi nga radhët e PS u paralajmërua rrëzimi i dekretit të tij, me atë të cilit riktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin e pagëzuar “anti-shpifje” nga qeveria.
Meta shprehet se është koha për të reflektuar, ndërsa fton “të gjithë të lexojnë me vëmendje argumentet kushtetuese dhe ligjore të kthimit për rishqyrtim në Kuvend të paketës së ashtuquajtur ‘anti-shpifje’”.
Reagimi
“Të dashur qytetarë,
Liria e shprehjes, liria e medias dhe e drejta e informimit, përveç se janë të drejta themelore kushtetuese, janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik. Shqipëria dy vitet e fundit ka një përkeqësim të këtyre treguesve, sipas konkluzioneve të organizatave prestigjoze ndërkombëtare të gazetarëve, si dhe të institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë respektimin e lirisë së medias.
Ndaj është koha për të reflektuar dhe për të mos ecur me kokëfortësi në rrugën e censurës dhe autoritarizmit, që do të përbënte rrezik për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Edhe njëherë, i ftoj të gjithë të lexojnë me vëmendje argumentat kushtetuese dhe ligjore të kthimit për rishqyrtim në Kuvend të paketës së ashtuquajtur ‘anti-shpifje’”.