Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka reaguar pas kërkesës së bërë nga Pjerin Ndreu, ku pritet të organizohet një mbledhje nga asambleja e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Në fokus të mbledhjes do të jetë shkarkimi i Ademit nga pozicioni i kreut të SHBSH.
Kryebashkiakja e Shkodrës, ka dërguar një letër drejt ambasadorëve duke kërkuar që të ndërhyjnë në këtë situatë dhe duke e deklaruar si një veprim në kundërshtim me ligjin.
“Në email jepen udhëzime për shkarkimin tim nga kreu i SHBSH, para datës 23 qershor 2021. Ky vendim për të më shkarkuar vjen përpara seancës që do të mbahet në Gjykatën Kushtetuese për gjykimin e legjitimitetit të zgjedhejve të 2019. Po tentohet të merret nën kontroll Shoqata e Bashkive të Shqipërisë”, shprehet Ademi.
Në mbyllje të letrës, Ademi kërkon vëmendjen e ambasadorëve në lidhje me monitorimin e zhvillimeve të fundit, pasi çdo veprim me prapavijë politike dhe arbitrare cenon hapur parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë vendore.