PS po kërkon të zhdukë provat ndaj paligjshmërive në mbrojtje të Tahirit

Mazhoranca në Konferencën e kryetarëve ka shtyrë me dy javë kërkesën e PD për ngritjen e Komisionit Hetimor për ligjshmërinë e akteve të Kuvendit dhe qeverisë dhe ndërhyrjet tek hetimet për çështjen Tahiri. Mbledhja me dyer të mbyllura është zhvilluar mes debatesh, ndërsa në përfundim të saj demokrati Edi Paloka tha se, mazhoranca ka kërkuar më tepër kohë me qëllim për t’i ndryshuar objektin e hetimit kërkesës. “Logjika e tyre ishte më se absurde, sepse kërkuan kohë që të na propozojnë ne ndryshimet në objekt. Komisionin Hetimor e kërkojmë ne, ndërsa këta kërkojnë kohë që të na ndryshojnë ne objektin e hetimit.Kjo është gjëja më absurde, nuk ka rëndësi sa kohë, ti kërkosh opozitës të ndryshojë objektin e hetimit siç e do mazhoranca”, tha Paloka. Ndërsa, nënkryetari Edmond Spaho tha se, PS po kërkon të zhdukë provat. “Për fat të keq, nuk u arrit të merret vendim për shkak se, sipas mendimit tonë mazhoranca po vazhdon në linjën e shtyrjes së çështjes, zvarritjes, fitimit të kohës në mënyrë që sikurse ka ndodhur deri tani të mund të eliminohen provat, të hiqen dëshmitarët si në rastin e ekstradimit të Seitit në Itali apo lirimit të Orest Sotës. Pra, për të bërë çfarë është e mundur që kjo çështje të mos hetohet, të mbyllet, të shtyhet në kalendat greke.Kontestimet janë ato shabllonet që objekti i hetimit është i gjerë, këtu ka objekt për 2 apo 3 Komisione Hetimore, por pa dhënë asnjë argument në secilën prej pikave, të cilat ne kemi paraqitur si objektiva për të hetuar këtë çështje”, tha Spaho.

Artikulli paraprakVasili: Fundi i Ramës është shumë afër
Artikulli tjetërLSI: Shqipëria digjet, Rama krihet