Pse ADN e Putinit është e orientuar drejt konfliktit?

James Stavridis

Shtetet e Bashkuara ndihen të përndjekura hap pas hapi nga Rusia. Në çdo drejtim që kthehen, Rusia ndodhet aty, duke ndjekur çdo hap dhe çdo vendim politik në arenën e eventeve globale. Pavarësisht përpjekjeve të shumta për të negociuar me Rusinë mbi Ukrainën, Krimenë, Sirinë, Iranin, mbrojtjen raketore në Europë, anëtarësinë e NATO-s dhe sigurinë kibernetike – për të përmendur vetëm disa – Moska dhe Washingtoni vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje serioze, madje edhe të pakapërcyeshme.
Është tunduese të mendosh se rrënja e këtyre mosmarrëveshjeve është personaliteti i vështirë dhe prejardhja e Presidentit rus, Vladimir Putin, i cili manifeston mospëlqim personal ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Obama në çdo mundësi që i jepet, njëlloj si për NATO-n. Pjesa më e madhe e ADN-së politike të Putinit është dukshëm e orientuar drejt konfliktit me Perëndimin. Por dhe nën drejtimin e ish-kolonelit të KGB-së, Shtetet e Bashkuara kanë gjetur zona bashkëpunimi në kalimin e kohës me Rusinë, duke bashkëpunuar mbi çështje të diversifikuara që nisnin nga lufta kundër narkotikëve e piraterisë, çështjeve të sigurisë në Afganistan, kontrollit të armëve e deri tek kundërterrorizmi. Edhe sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka bërë punë të mirë bashkëpunuese me homologun e tij, Sergei Lavrov.
Duket qartë se është e mundur që diplomatët amerikanë të arrijnë të krijojnë një marrëdhënie produktive me Rusinë. Kjo nuk do të thotë se është e lehtë apo se rezultati i përpjekjeve është tërësisht në duart e Washingtonit. Megjithatë, disa qasje ndaj bashkëpunimit me Rusinë janë më të mira se të tjerat. Këtu janë disa këshilla që burojnë nga përvoja e bisedave të shpeshta dhe negociatat që kam bërë me Rusinë si komandant suprem i NATO-s:
Gjithçka fillon duke kuptuar mënyrën se si e sheh botën Rusia. Rusët e shohin veten si një perandori e fuqishme me përmasa gjigante dhe kulturë të veçantë – një komb në sensin më të plotë të fjalës. Rusët janë tejmase krenarë për gjuhën e tyre, literaturën dhe për kontributet shkencore që i kanë dhënë botës. Ata e dinë që e kanë humbur Luftën e Ftohtë, por besojnë gjithashtu se lëvizjet e Perëndimit pas rënies së Murit të Berlinit, veçanërisht ekspansioni i NATO-s drejt aleatëve ish-sovjetikë, ka qenë një shkelje e rëndë e marrëveshjeve të nënkuptuara mes palëve. Duke lënë mënjanë vërtetësinë e këtij pretendimi, për të negociuar me një “ari”, duhet të kuptojmë mënyrën se si ai e shikon veten.
Duhet pranuar supermacia e Putinit në Rusi. Rusia e ka mbështetur tradicionalisht lidershipin e “burrit të fortë”. Disa liderë janë më të mirë se të tjerët – për shembull Pjetri i Madh përballë Ivanit të Tmerrshëm; ose Mikhail Gorbachev krahasuar me Stalinin – por sidoqoftë, natyra e psikologjisë së rusëve është gjithmonë e orientuar drejt hierarkisë. Sot, lideri i vendit është Putini dhe makineria vendimmarrëse politike e shtetit është tërësisht e centralizuar në dorën e tij. Askush nuk do të bëjë negociata të suksesshme në rast se nuk respektohet plotfuqishmëria e Putinit në Rusi dhe nëse nuk njihet influenca e tij në çdo vendim.
Përgatituni për një proces të gjatë e të vështirë. Pavarësisht nivelit të rëndësisë së çështjes që do të negociohet, rusët kanë bërë gjithmonë të vështirë. Ata janë tepër dyshues kundrejt partnerëve tek të cilët nuk kanë besim dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krye të listës. Si një komandant i NATO-s, as unë nuk isha një palë negociuese që shumica e rusëve mund të mirëpresin me krahë hapur. Edhe mjedisi i negociatave do të mbushet me mosbesim, me shpërthime egërsie dhe skepticizmi, me kërcënime për t’i mbyllur diskutimet në çdo çast dhe me hedhje faji të vazhdueshëm. Duke njohur mirë qëndrimin që ata mbajnë gjatë negociatave, mund t’ju ndihmojë të tregoheni të qetë përballë provokimeve. Dhe mos harroni: rusët nuk ulen në tavolinë duke imagjinuar se si mund të arrijnë një rezultat të mirë për vete, por si mund të mposhtin palën tjetër.
Mprehni logjikën! Rusët e vlerësojnë logjikën dhe shkëmbimet direkt dhe bezdisen shumë shpejt, duke reaguar me mungesë të plotë respekti, kur përballem me qasje emocionale në negociata. Ata nuk hezitojnë aspak të krijojnë skema të elaboruara me manovra të komplikuara tradhtare, njëlloj si me një lojë shahu. Nuk është çudi që rusët janë aq të shkëlqyer në shah, duke prodhuar dyfishin e mjeshtrave të shahut krahasur me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se kanë gjysmën e popullsisë.
Kini durim! Rusët shpesh mendohen në heshtje përpara se të përgjigjen apo të formulojnë një mendim. Konsiderohet mungesë respekti të ndërprisni heshtjen e tyre pasi bëni një pyetje dhe shmangni tendencën perëndimore për ta nxituar bisedën. Duket si një detaj i parëndësishëm, por kam parë shumë negociata të prishura dhe biseda që shkojnë keq për shkak të padurimit.
Mos injoroni anën personale. Pavarësisht të gjitha pikave të mësipërme, marrëdhëniet personale janë të rëndësishme për rusët. Vodka ndihmon, edhe pse stereotipi i të pirit vazhdimisht dhe faktit se duhet të përballosh sfidën dhe të pish njëlloj me rusët është pak e ekzagjeruar. Nga ana tjetër, ngritja e dollive domethënëse, madje edhe poetike, është gjithmonë e mirëpritur dhe konsiderohet si shenjë respekti për ta. Nevojitet kohë që të krijosh besimin e nevojshëm të rusëve për të shkëmbyer informacion dhe këndvështrime të rëndësishme.
Duhet mbajtur mend komenti i famshëm dhe ambig i Putinit në dhjetor të vitit 2014 rreth Rusisë dhe metaforës së “ariut rus”. Ai tha: “Ata do të përpiqen ta lidhin me zinxhirë dhe sapo ta arrijnë atë, duan t’i presin dhëmbët dhe kthetrat”. Një ari i inatosur është shumë i rrezikshëm.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version