Pse arrestimi i ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja, sjell nevojën e rishikimit të mekanizmave të filtrimit të kandidatëve për zgjedhjet 2025

Jurgis Çyrbja, i renditur i katërti në listën e deputetëve të PS-së për qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 2021 nuk kishte të shënuar asnjë rekord kriminal në dokumentin për dekriminalizimin. Ai ka mbaruar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në periudhën 2006-2010 dhe, në CV-në tij, para se të zgjidhej deputet, (për herë të parë në 2017-ën) ai e etiketonte veten pedagog e deri edhe bashkë-autor i librit Mjekësia Ligjore dhe Kriminalistika

jurgis cv
screenshot e cv se ish-deputetit Jurgis Cyrbja

Megjithatë, të dielën e 20 tetorit, ai arrestohet me urdhër të SPAK i akuzuar për konsumimin e elementeve të disa veprave penale, që përfshijnë nga zbulim të të dhënave sektrete tek persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, dekonspirim të operacioneve të Policisë së Durrësit për t’I shpëtuar kapjes apo arrestimit të mundshëm të këtyre personave, e deri ndërhyrje (po për favorizimin e tyre) në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit.

spak cyrbja
screenshot e njoftimit te SPAK per arrestimin e Jurgis Cyrbes

Në këmbim të këtyre favoreve, një prej personave, (që ai bashkëpunonte) me inicialet A.H, (i shpallur në kërkim ndërkombëtar për katër vepra penale) i ofronte vota Çyrbes në funksion të zgjedhjes së tij si deputet në zgjedhjet parlamentare 2021

Gjatë gjithë periudhës për të cilën akuzohet nga SPAK, Jurgis Çyrbja, ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ai dha dorëheqjen nga mandati i deputetit me 10 tetor, një ditë para se SPAK ta merrte zyrtarisht të pandehur për “shpërdorim detyre” për një tjetër hetim që lidhej me një padi të depozituar (në vitin 2021) nga PD për disa veprime të ndërmarra nga Çyrbja kur ai drejtonte Hipotekën e Durrësit.

Por si u zbulua Jurgis Çyrbja? SPAK sqaron ndër radhë se hetimet janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet evropiane të drejtësisë dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Si pjesë e provave të reja, sipas SPAK, janë administruar edhe aktet e dërguara nga autoritetet franceze të drejtësisë, nga ku rezulton se personat e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal kanë komunikuar ndërmjet tyre edhe me anë të aplikacionit të enkriptuar “Sky Ecc”. Pak ditë më parë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut me seli në Strasburg, ka pranuar si të ligjshme përgjimet e përftuara nga zbërthimi i aplikacionit “EncroChat-Sky ECC” nga autoritetet franko-belge, që në pjesën më të madhe të rasteve janë përdorur nga bota e krimit dhe jo vetëm, përfshirë dhe shtetas shqiptarë.

strasburgu Sky
screen shot e vendimit te zbardhur nga Strasburgu per zberthimin e aplikacionit Encro-Chat-Sky ECC

Fenomeni

Jurgis Çyrbja nuk është deputeti i vetëm i qarkut Durrës që sot gjendet pas hekurave. Ai është deputeti i dytë i arrestuar pas Lefter Kokës dhe i treti i dorëhequr pas Rrahman Rrajës

Jurgis Çyrbja nuk kishte rekorde të mëparshme kriminale dhe cv-ja e tij nuk linte asgjë për të dyshuar edhe pse PD-ja prej kohësh e ka akuzuar si person të lidhur me bandat kriminale.

jurgis grupi

Pyetja që shtrohet është se çfarë realisht po ndodh? A kanë funksionuar mekanizmat e filtrimit nga autoritetet vendimmarrëse nga partia ne pushtet e deri tek KQZ?

A lipset e nevojshme përmirësimi apo ndryshimi i mekanizmave aktual me qëllim evitimin e situatave të ngjashme në zgjedhjet e 2025?

Mbi këto pyetje e ngre logjikën politike Afrim Krasniqi kur thotë për Faktoje.al se, rasti i fundit i Durrësit nxjerr në pah ndikimet e mëdha informale që kanë grupet kriminale të ndryshme në zgjedhjen, promovimin dhe përdorimin e zyrtarëve të lartë për qëllimet e tyre kriminale.

Afrim Krasniqi

“Rasti i fundit i Durrësit nxjerr në pah ndikimet e mëdha informale që kanë grupet kriminale të ndryshme në zgjedhjen, promovimin dhe përdorimin e zyrtarëve të lartë për qëllimet e tyre kriminale”, Afrim Krasniqi

“Përfshirja e Kuvendit, përfshirja e partisë më të madhe në vend, përfshirja e strukturës partiake të qytetit të Durrësit ku kryeministri është drejtuesi i listës dhe kandidati për deputet në atë qark përbën një tregues alarmi për nivelin e lartë të inkriminimit që ka politika në Shqipëri dhe partitë politike që në këtë rast nuk shërbejnë si forcë progresive e aftë të tregojë vullnet politik për katarsis dhe vetting politik”, thotë ai

“Nga ana tjetër le të kujtojmë se në qarkun e Durrësit, nga tetë mandate që ka siguruar mazhoranca dy janë duke vuajtur dënimin ndërkohë që një tjetër ka dhënë dorëheqjen për shkak se një anëtar i familjes është përfshirë në një akt të madh të njohur kriminal, po ashtu një kandidat tjetër i cili nuk arriti të ishte deputet, por ishte në listë i është ndërprerë mundësia për tu zgjedhur për shkak të vendimit të KQZ për dekriminalizimin. Pyetja është se si është e mundur që në një qytet me kaq rëndësi, me kaq shumë kandidatë dhe me kaq shumë traditë politike partia kryesore qeverisëse ka zgjedhur katër midis kandidatëve të saj individë me rekorde kriminale ose të sponsorizuar nga krimi?!”, vëren Drejtori i Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi.

Hetimi i SPAK ndaj Çyrbes evidenton gjithashtu një anë tjetër të errët që nuk duhet parë si rast i shkëputur

Referuar dokumentit të përcjellë nga SPAK, ndaj Jurgis Çyrbes ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se, funksionarë publik (të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit), në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në 7(shtatë) raste, kanë zbuluar akte të cilat ligji i përcakton si sekret shtetëror. SPAK njofton se me përmbajtjen e tyre është vënë në dijeni Jurges Çyrbja, i cili ua komunikonte personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC”.

Faktoje.al kontaktoi disa juristë lidhur me këtë fenomen se deri ku shkon përgjegjësia e një funksionari publik në raport me deputetin për shkëmbimin e informacioneve, ku shtrihet konkretisht ligji mbi sekretin dhe trajtimin e materieleve shkresore e deri tek aksesi që kanë deputetët mbi informacione të klasifikuara si sekret shtetëror.

Faktoje.al nuk mundi të marrë një qendrim konkret nga juristët e kontaktuar në pritje të një përgjigje më shteruese nga SPAK për çështjen./faktoje.al

Artikulli paraprakPas Berishës dhe Metës, është radha e Edi Ramës!
Artikulli tjetërNata e parë e Ilir Metës në qeli/ Kur pritet të dalë para GJKKO Presidenti i PL-së dhe çfarë do të ndodhë më pas