Pse ballkanasit po heqin dorë nga demokracia?

Nga Monica Porter

Udhërrëfyesi ynë serb, Zoran, është një djalë i qeshur, dhe ndërsa ne endemi nëpër rrugët e Beogradit me minibusin tonë, ai na argëton me një shaka për ndryshimin midis kombësive të ndryshme të ish-Jugosllavisë, të cilat tani kanë vendet e tyre.

“Ne serbët jemi të pasjellshëm. Por kroatët janë egoistë, boshnjakët janë të trashë, malazezët janë dembelë dhe maqedonasit janë thjesht serbë me një defekt në të folur. Sa i përket sllovenëve, ata janë aq shumë të sjellshëm, sa me siguri duhet të jenë homoseksualë!”, na tha ai.

Të bësh shaka është padyshim një hap përpara, në krahasim me grindjet me njëri-tjetrin, siç ka ndodhur në pjesën më të madhe të historisë së popujve të ish-federatës jugosllave. Vendet në turneun tim ballkanik – Serbia, Rumania dhe Bullgaria – janë përballur për më shumë se 3 dekada me problemet e tyre post-komuniste.

Por qytetarëve të tyre u pëlqen të tallen me to. Kryeqyteti serb, Beogradi, ndodhet në bashkimin e lumenjve Sava dhe Danub. Këta lumenj, shënonin dikur kufirin midis pjesës jugore të Serbisë, të sunduar nga osmanët për 400 vjet, dhe pjesës veriore, e cila kontrollohej nga perandoria e Habsburgëve.

Nëse Beogradi duket më i rrënuar se kryeqytetet e tjera evropiane, Zorani beson se kjo ndodh sepse “trashëgimia që lanë pas turqit, është mentaliteti lindor i shumë serbëve, në vend të qëndrimit më të organizuar dhe efikas austriak”.

“Ne thjesht i lëmë gjërat të rrjedhin në kursin e tyre”- theksoi ai. Megjithatë, trashëgimia ndoshta vërtet problematike është ajo e epokës komuniste, me korrupsionin e saj endemik dhe mungesën e transparencës.

Një shembull i kohëve të fundit i kësaj dukurie, është shembja e çatisë së ndërtuar keq të stacionit hekurudhor të Novi Sadit, që i mori jetën 15 personave. Mesa duket kompania kontraktore e vendosi si prioritet fitimin mbi sigurinë. Në lidhje me këtë ngjarje tragjike pati protesta të gjera publike.

Kur kaluam pranë një ndërtese të rrënuar, Zorani shpjegon se ajo u shkatërrua gjatë bombardimeve të NATO-s në Beograd në vitin 1999. Bombardimi u nxit nga masakrat e presidentit Slobodan Milosevic ndaj shqiptarëve etnikë në Kosovë, dhe dështimi i përpjekjeve diplomatike për ta ndalur atë.

Zoran nuk e përmend këtë detaj. Por ai flet me një ton paksa të lënduar, sikur të mos kishte nevojë për një shkatërrim aq mizor. Serbët janë armiqësorë ndaj NATO-s, ashtu si mbështetësit e tyre, rusët. Këta dy popuj sllavë, kanë qenë prej kohësh të bashkuar politikisht dhe kulturalisht përmes fesë së tyre të përbashkët ortodokse lindore dhe alfabetit cirilik.

Madje Vladimir Putin e propozoi Serbinë si një vend me një rol paqeruajtës pas luftës në Ukrainë. (Megjithëse edhe ai duhet ta njohur absurditetin e kësaj deklarate). Përgjatë pedonales Knez Mihailova, vendi kryesor në Beograd për dyqane, restorante dhe kafene, tezgat e suvenireve shesin gota dhe çorape me imazhin e Putinit.

Serbët duket se e pëlqejnë shumë udhëheqësin rus. Po ashtu, midis serbëve ekziston një ndjenjë e rrallë kohezioni shoqëror. Të gjithë brezat marrin pjesë rregullisht në shërbesat kishtare dhe kur dalin nga ndërtesa, kthehen drejt saj dhe bëjnë shenjën e kryqit.

Të rinjtë nuk bëjnë përjashtim. “Ata nuk janë domosdoshmërisht fetarë. Por ne të gjithë e respektojmë Kishën tonë kombëtare”- deklaroi Zoran. Fakti që Rumania po ecën shumë më mirë se Serbia, me paga më të larta, me një ekonomi relativisht të fortë dhe me infrastrukturë kombëtare më të mirë, ka ndodhur sepse është një përfituese e madhe e fondeve të Bashkimit Evropian.

Kryeqyteti Bukuresht, i themeluar nga Vlad Hungulësi në vitin 1459, është sot një nga qytetet më të mbipopulluara në botë, me bllokime trafiku pa ndërprerje dhe me një mori grafitesh të shëmtuara. Por udhërrëfyesi vendas Marius është optimist.

“Ashtu si anëtarësimi në NATO që na ka dhënë siguri, edhe anëtarësimi në BE na ka ndihmuar gradualisht të shpëtojmë nga hija e gjatë e komunizmit, me padrejtësitë e tij të shumta. Sot e kuptojmë më mirë demokracinë, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit. Sigurisht ka ende korrupsion, por ai po pakësohet”, thekson ai.

Pastaj shton duke buzëqeshur: “Dhe ne jemi një vend i sigurt. Në rrugët tona ka më pak krime, sepse falë lirisë së lëvizjes, hajdutët tanë u larguan në vendet e tjera të BE-së!”. Sa i përket migrimit masiv në Evropë, Rumania nuk është prekur. Shtetet ish-komuniste nuk janë destinacionet e preferuara të emigrantëve. “Disa vite më parë policia gjeti në pjesën e pasme të një kamioni 2 emigrantë të paligjshëm afrikanë. Kur zbuluan se ishin në Rumani, ata bërtitën të tmerruar: Jo, ne duam të shkojmë në Gjermani!”, tregon ai.

Nga ana tjetër, Rumania pret aktualisht rreth 200.000 ukrainas që kanë ikur nga vendi i tyre për shkak të luftës së Putinit. Dhe ndaj tyre ka një pakënaqësi në rritje nga vendasit, sepse shumë prej ukrainasve kanë makina më të mira se rumunët.

Me fitoren e javës së kaluar të kandidatit të qendrës, Nicușor Dan, në zgjedhjet presidenciale, Rumania mund të vazhdojë në rrugën e saj pro-evropiane. Por ishte një garë shumë e ngushtë. Fushata e rivalit të tij, ultranacionalistit të djathtë dhe pro-Kremlinit, George Simion, kishte marrë një shtysë të madhe përmes një fushate TikTok të projektuar nga Rusia, e cila i siguroi atij mbështetje në diasporën rumune.

Në një veprim që do të zgjasë paqëndrueshmërinë politike, Simion po e kundërshton rezultatin e zgjedhjeve.

Danubi shënon kufirin midis Rumanisë dhe Bullgarisë, dhe ne hyjmë në këtë të fundit duke kaluar Urën e Miqësisë të ndërtuar në vitin 1954, tashmë të mbuluar nga ndryshku. Bullgaria është vendi më i varfër në BE.

Siç e thonë me ironi vendasit: “Ne jemi në fund të fuçisë, por të paktën fuçia është në katin e parë të shtëpisë dhe jo në bodrum!”. Klasa politike e vendit është një mbetje e epokës komuniste; dhe nuk ka dalë ende një brez i ri dhe i papërlyer udhëheqësish.

Por meqë është e dukshme që mungonin parakushtet e nevojshme për anëtarësim, atëherë pse u pranua në BE? Elena, udhërrëfyesja jonë bullgare, një grua e qeshur në moshë të mesme, më shpjegon ndërsa shëtisim nëpër kryeqytetin Sofje, se burokratët e BE-së vendosën se ishte ndoshta më mirë ta kishin Bullgarinë në bllok, sesa nën ndikimin e Rusisë.

Të rinjtë aspirantë, veçanërisht ata që kanë arritur të mësojnë anglisht pavarësisht sistemit arsimor nën standardet e BE-së, janë larguar jashtë vendit. Ata që kanë mbetur janë të infektuar nga apatia. Meqë asgjë nuk ndryshon, ata kanë hequr dorë nga “demokracia” e tyre.

Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar ishte 34 për qind, më e ulëta që nga fundi i sundimit komunist në vitin 1989. Dhe kriminaliteti është i përhapur. Elena citon një shprehje: çdo vend ka një mafie, por Bullgaria është një mafie me një vend.

Në qytetin e vjetër të Plovdivit, një qendër kulturore dhe perlë e arkitekturës, banori vendasi Milos thotë se pavarësisht dështimeve të tij, ai nuk do ta braktisë vendin e tij sepse i intereson. “Ne kemi hequr dorë nga politika. Ndaj merremi me satirë!”- thekson ai.

Ashtu si në ditët më të errëta të komunizmit, është humori ai që i mban në këmbë dhe i nxit të vazhdojnë përpara./Përshtatur nga “The Spectator”

Artikulli paraprakInteri regjistron turpërimin më të madh në histori! Asnjëherë në finalen e Champions nuk kishte ndodhur që…
Artikulli tjetërEkspertët i konsiderojnë masa “shkatërruese” për Kremlinin/ Çfarë pritet nga sanksionet e reja të Trump ndaj Putin dhe si do të “goditet” ekonomia ruse