Pse bateritë e propagandës janë drejtuar kundër opozitës?

Nga Red VARAKU

Është e qartë që në mungesë të një bilanci qeverisës, kryeministri e ka mbështetur betejën e tij për të mbrojtur dhe ruajtur trashëgiminë e tij politike dhe ekonomike vetëm tek demonizimi i alternativës opozitare.

Agresioni i shëmtuar kundër opozitës është një provë e qartë që dëshmon që e vetmja strategji që ai ka ndërmend të ndjekë për këto zgjedhje është shkatërrimi dhe asgjësimi i kundërshtarit nëpërmjet dhunës, presionit dhe shantazhit.

Meqenëse qeveria e tij për nga korrupsioni është qeveria më tradhtare dhe më e korruptuar e këtyre 30 viteve ,kryeministri po tenton t’u mbushë mendjen shqiptarëve se edhe opozita është po aq tradhtare dhe e korruptuar, dhe se me ndërrimin e pushtetit asgjë nuk do ndryshojë.

Paturpësia dhe guximi i Ramës për të gënjyer hapur dhe publikisht për afera qartazi korruptive dhe sulmi frontal dhe pa asnjë bazë kundër opozitës, është sot mbase ndër rastet unike në Europë, sepse një qeveri pas tetë vjetëve qeverisje ka vetëm dy rrugë për tu përballur me popullin ;ose duhet të tregojë arritjet e saj, ose duhet të japë llogari për dështimet dhe mashtrimet e saj.

Sjellja dhe cicërimat e tij haluçinante dhe shëmtia e neveritshme me të cilat po sulmon kundërshtarët e tij politikë, flasin për një njeri vërtet të lodhur dhe të pafuqishëm për të vazhduar qeverisjen, që mendon se mund të ringrejë imazhin e rënë përtokë duke sulmuar dhe frikësuar kundërshtarët.

Pra, shihet qartë që Rama po tenton të pikturojë në mendjet e shqiptarëve atë që të dy krahët janë njësoj. Ai po tenton të tërheqë në llumin ku vegjeton vetë edhe kundërshtarin.

Që në akuzat e Ramës kundër Lulzim Bashës nuk ka asgjë të vërtetë, kuptohet jo vetëm se ai sot nuk ka asnjë provë kundër tij përveç baltosjes, por se tetë vjet në opozitë asgjë nuk është vërtetuar kundër tij nga drejtësia e re e kryeministrit.

Ndërsa, sulmet ndaj Ilir Metës, njeriu me të cilin bëri marrëveshje për pushtet në 2013 të cilin e firmosi me gjakun e Ziverit, Faikut, Hekuranit dhe Aleksit, jo vetëm e diskretitojnë atë personalisht si njeri të pabesë dhe që bën gjithçka për pushtet, por i bëjnë akuzat e tij tërësisht të pabesueshme për shqiptarët.

Gjithsesi, ashtu si etërit e tij shpirtërorë është e qartë që në mungesë të argumenteve sulmi dhe baltosja e kundërshtarit është e vetmja strategji që i ka mbetur këtij njeriu deri në 25 prill.

Një taktikë tipike e majtë, jo e panjohur për popullin shqiptar, e frymëzuar nga idetë e lavdishme marksiste-leniniste, ku kundështari konsiderohet armik që duhet shfarosur me farë dhe me fis dhe ku fitorja nuk është rezultat i një beteje idesh në zgjedhje të lira, por është rezultat i shkatërrimit dhe asgjësimit të kundërshtarit, thjesht një triumf i monizmit politik.

Një taktikë që deri tani ia ka dalë të mpijë ndonjë ambasador apo ndërkombëtar të shitur, por nuk ia doli dot të mpijë shqiptarët, të cilët e bojkotuan masivisht këtë kryeministër në 30 qershor dhe kurrsesi nuk do t’ia dalë të ndalë vendosmërinë e tyre për largimin e tij.

Vetëm se kësaj rradhe ata nuk duhet të mjaftohen vetëm me largimin nga pushteti të këtij kanceri të kuq, por duhet ta shkulin plotësisht nga rrënjët këtë kancer, i cili brenda pak viteve rilindi përmes metastazash, për t’ia marrë frymën sërish këtij populli për të dytën herë në pak kohë.

Kësaj radhe ata duhet ta çojnë deri në fund amanetin që lanë përgjysëm në 1990!

Exit mobile version