Pse befasohemi nga dhuna?

Nga Lutfi Dervishi

Dhunë në familje, dhunë në shkollë, dhunë në rrugë, në punë, në çdo skutë të shoqërisë. Dhunë fizike, psikologjike, verbale dhe institucionale.

Jemi bërë spektatorë dhe herë-herë pjesëmarrës të një realiteti ku britma mbyt arsyen, dhe ku forca fizike ka zëvendësuar logjikën.

Por nuk mbaron këtu. Dhuna është bërë standard edhe aty ku do duhej të shihnim shembuj qytetarie:

— në qeveri, ku protesta shpërfillet me arrogancë;

— në parlament, ku fjalimi zëvendësohet me ulërima;

— në partitë politike, ku kërcet druri më shpesh se ideja;

— në ekranet televizive, ku reality show-t shndërrohen në reality sherr;

— në mençurinë popullore, ku ende mbijetojnë mendësi si: “druri ka dalë nga xheneti” dhe “ai që të rreh, të do”

—madje edhe fitoret, për t’i bërë sa më spektakolare, i pagëzojmë me emra dhune: “1 milion shuplaka!” sikur demokracia fitohet me grusht, jo me votë.

Kur dhuna normalizohet lart, ajo shpërthen poshtë. Kur justifikohet në emër të “audiencës”, ajo shndërrohet në model edukimi.

Dhe kështu, një shoqëri e tërë mban frymën, jo nga mungesa e oksigjenit, por nga mungesa e qytetarisë.

Kur dhuna kthehet në gjuhën tonë të përditshme, nuk ka më vend për habi, vetëm për pasojë.

Artikulli paraprakMirela Karabina në Elbasan: “Pistë Formula 1? Fillimisht riktheni trenin!”
Artikulli tjetërAna e panjohur e 28 nëntorit ‘44, si shpëtoi Shkodra?! Dëshmia: Sapo u larguan gjermanët, xhenierët italianë dolën fshehtas natën nga shtëpia e Vehbi Bushatit dhe shkuan në lagjen ‘Livadhe’, te depo e municionit…