Pse dalja e Bashës i jep një dimension të ri politikës shqiptare? Ja momentet kyç të fjalës së tij

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha iu është përgjigjur pyetjeve të medias për tematika të ndryshme, nga arresti në shtëpi me mbikëqyrje policore i ish-kryeministrit Sali Berisha te reforma zgjedhore e deri te aksioni i opozitës brenda Parlamentit.

Për të parën, Basha ndau dy reagime, në rrafshin personal dhe atë politik.

“Natyrisht nuk më vjen mirë, më vjen shumë keq që një njeri me të cilin kam bashkëpunuar për një kohë të gjatë, i cili padiskutim ka dhënë kontributet e veta për vendin, të përfundojë këtu. Çfarë kam pasur për t’i thënë ja kam thënë dhe besoj e dini sepse dhe ai e ka thënë publikisht një pjesë të këtij komunikimi që kishte të bënte pikërisht me hapat që duheshin hedhur për të mos ardhur deri këtu. Por në fund secili bën zgjedhjen e tij në jetë dhe duhet të përballet, duhet të marrë përgjegjësitë për zgjedhjen që ka bërë”.

Ndërsa, “përgjigjja zyrtare është që në çdo rast, absolutisht në çdo rast qëndrimi i Partisë Demokratike është që drejtësia duhet të bëjë punën e saj e papenguar dhe çdokush, duke filluar nga unë i pari dhe çdo politikan duhet të jemi në dispozicion të drejtësisë pa asnjë kufizim”.

“Dhe për këtë arsye kam çuar në parlament edhe propozimin për heqjen përfundimtare të imunitetit në mënyrë që qytetarët shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit. Sot kemi qytetarë të barabartë para ligjit dhe 140 deputetë që nuk janë të barabartë para ligjit. Dhe si rezultat kemi fenomene si Arben Ahmetaj. U deshën 2 javë procedura për të hequr imunitetin, kohë e mjaftueshme për t’u arratisur”.

Ndërsa sa i takon reformës zgjedhore, Basha theksoi se “Partia Demokratike ka shpalosur prioritetet e saj politike që në nëntor të vitit që lamë pas, duke depozituar në parlament disa projektligje”.

“Në veçanti i referohem paketës ligjore që është depozituar që prej 15 nëntorit, pra pothuajse dy muaj më parë, në komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore. Ky komision ka kohë që nuk mblidhet, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Partisë Demokratike, por dhe faktorit ndërkombëtar”.

Ai shtoi se “ne kemi insistuar, jemi përkujdesur që kur ky komision nisi me iniciativën tonë që aty të jenë të përfaqësuar të gjitha palët opozitare”.

“Është Partia Demokratike e Shqipërisë që e udhëheq këtë proces, ka të tjerë deputetë, ka përfaqësues të partive aleate, duke përfshirë edhe dy partitë e tjera që garuan në koalicionin tonë në 2021-in që është PDIU dhe LSI. Pra, spektri opozitar është plotësisht i përfaqësuar, propozimet tona siç u thash pak më parë, janë propozime të konsultuara gjerësisht, përfshirë me aleatët e Partisë Demokratike në Kuvend, partitë e vogla aleate që garuan në listën e Partisë Demokratike. Padiskutim që ne mbetemi të hapur”.

Sa i takon vulës së PD-së, kryedemokrati tha se vendimi i Gjykatës së Lartë është në përputhje me kërkesën e tyre për ta gjykuar çështjen në themel.

Ai u pyet edhe për depozitimin e Bardhit, i cili kërkon shpalljen nul të zgjedhjeve të 29 Korrikut, ku u rikonfirmua kryetar i PD-së.

“E para vendimi i Gjykatës së Lartë është në përputhje me kërkesën tonë që ta gjykonte çështjen në themel. Pra nuk mund të shpreh përveçse kënaqësi që Gjykata e Lartë i dha fund një pjese të vërdallosjes nëpër gjykata, t’i bëj thirrje që të zbardhet sa më shpejt vendimi dhe thirrje Apelit që të përfundojë gjykimin siç ia kemi kërkuar të plotë dhe jo të pjesshëm. E dyta, ajo që thoni nuk është e saktë, vetë gjykata e Tiranës në çdo moment do t’ju vërtetojë se kryetari i PD-së është Lulzim Basha”.

Gjatë deklaratës për mediat, Basha ka treguar dhe mënyrën se si do e mposhtë Edi Ramën.

Ai ka thënë se rruga e vetme është duke luftuar tre kolonat, që kjo qeveri ka shmangur transparencën, përgjegjësinë dhe alternativat.

Sakaq, Basha ka theksuar se të bësh opozitë nuk është ai që bërtet më fortë, por ai që mban përgjegjësi për dëmtimet e shkaktuara.

“Të bësh opozitë do të thotë të bësh maksimumin, të mbash përgjegjësi për ata që kanë dëmtuar shtetin. Opozitë nuk është ai që bërtet më fortë, por ai që paraqet alernativa, jo ai që shkel ligjin. U pengua buxheti? Jo. U penguan ligjet e tjera? Çfarë ndodhi? Buxheti më i lartë në Shqipëri kaloi për shtatë minuta. Padiskutim, përballë nuk kemi një qeverisje normale. Unë e kuptoj shumë mirë me taktikat për të shmangur transparencën, përgjegjësinë dhe alternativat. Nuk ka më kohë, për të shmangur këto tre kolona. Shqiptarët nuk kanë më kohë për të parë më shfaqje, ku i vetmi që ka përfituar është Edi Rama”

Artikulli paraprakDOSSIER/ Nga Tirana në Peshkopi e Korçë me aeroplan! Rast unik në Europë/Si udhëtonin shqiptarët në vitet’20
Artikulli tjetërBanka Qëndrore Europiane shuan shpresën për ulje të shpejtë të normës së interesit