Nga Aranit Muraçi
Tre ekonomistë u nderuan të hënën me çmimin Nobel, për kërkimin e tyre shkencor që shpjegon se si natyra e institucioneve i ndihmon disa vende të bëhen të pasura kurse të tjerat mbeten të varfra. Për këtë arsye vepra e tyre duhet të ishte sot kryefjalë e debatit. Të paktën atij akademik. Ku futet Shqipëria sipas analizës së nobelistëve, tek ato kombe që kanë ngritur institucione të besueshme dhe lejojnë prosperitet apo te kombet e dështuara, që janë ngritur dhe funksionojnë për interesin e një grupi njerëzish që kontrrollojnë gjithçka.
Daron Acemoglu, Simon Johnson dhe James Robinson do të ndajnë çmimin NOBEL në Ekonomi për vitin 2024, i cili mbart një vlerë prej 1 milion dollarësh.
Komiteti i Nobel-it vlerësoi tre studiuesit që përmes veprës së tyre treguan se “shoqëritë me një sundim të dobët të ligjit dhe institucionet që shfrytëzojnë popullsinë nuk gjenerojnë rritje ose ndryshim për mirë”.
“Kur europianët kolonizuan pjesë të mëdha të globit, institucionet në ato shoqëri ndryshuan,” – tha komiteti i NOBEL, duke u bazuar në përfundimet e ekonomistëve. Ndërsa në shumë vende kolonizimi kishte për qëllim shfrytëzimin e popullsisë autoktone, në vende të tjera ngriti institucione dhe hodhi themele për sisteme gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike. Pra, në vendet ku u ngrit institucionet demokratike, pati zhvillim dhe atje ku nuk u ngritën, qëllimi ishte shfrytëzimi ose skllavërimi i popullatës.
Vepra e nobelistëve të këtij viti e ka një shpjegim edhe për institucionet tona të dobëta apo thirrjet politike për “sovranitet” teksa kombi i lauretëve të NOBEL-it po i financon dhe po i ngre institucionet e pavarura si domosdoshmëri historike, detyrë që duhej të ishte përmbushur nga “kolonizatorët dhe pushtuesit” vendas.
“Laureatët bënë dallimin se në prosperitetin e vendeve të ndryshme faktor kyç i suksesit janë institucionet,” – shtoi komiteti i NOBEL-it.
Vendet që zhvilluan “institucione gjithëpërfshirëse” – të cilat mbrojnë sundimin e ligjit, të drejtat e qytetarëve dhe ato pronësore – janë bërë me kalimin e kohës të begata, ndërsa ato që zhvilluan “institucione të dobëta” – të cilat, sipas fjalëve të laureatëve, “shtrydhin” burimet nga popullata e gjerë në përfitimin e elitave – kanë përjetuar vazhdimisht rritje të ulët ekonomike.
Në librin e tyre të famshëm të vitit 2012 “Why Nations Fail”, “Pse Kombet Dështojnë”, Acemoglu, profesori turko-amerikan në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT) dhe Robinson, një profesor britanik në Universitetin e Çikagos, argumentojnë se disa kombe janë më të pasura se të tjerët për shkak se kanë ngritur institucione politike dhe ekonomike të shëndosha që iu garantojnë zhvillimin.
Libri nis me një krahasim të standardit të jetesës në dy qytete të quajtura Nogales – një në Arizona dhe një në rajonin Sonora të Meksikës. Ndërsa disa ekonomistë kanë argumentuar se ndryshimet në klimë, bujqësi dhe kulturë kanë ndikime të mëdha në prosperitetin e një vendi, Acemoglu dhe Robinson argumentuan përmes studimit të tyre se ata që jetojnë në Nogales, Arizona, janë më të shëndetshëm dhe më të pasur për shkak të rolit dhe ndikimit pozitiv të institucioneve të tyre lokale.
Vitin e kaluar, Acemoglu bashkë me Johnson – ky i fundit një profesor britaniko-amerikan në MIT – botuan “Power and Progress”, tjetër studim që tregon se nga inovacionet teknologjike gjatë 1000 viteve të fundit, përparimet bujqësore deri te inteligjenca artificiale, kanë qenë të prirura të përfitojnë elitat, në vend që të krijonin prosperitet dhe zhvillim për të gjithë shoqërinë.
Autorët paralajmëruan se “rruga aktuale e AI nuk është e mirë për ekonominë dhe as për demokracinë”. I pyetur nëse studimi i tyre thjesht argumenton se “demokracia do të thotë rritje ekonomike”, Acemoglu thotë se “puna që kemi bërë favorizon demokracinë”, por shtoi se demokracia “nuk duhet të merret si ilaç”.
“Argumenti ynë është se kjo lloj rritjeje autoritare është më e paqëndrueshme dhe në përgjithësi nuk çon në risi të shpejta dhe origjinale”, tha Acemoglu gjatë ceremonisë së shpalljes. Në veprën “Pse dështojnë kombet”, ai dhe Robinson argumentuan se Kina, për shkak se i mungojnë institucionet gjithëpërfshirëse, nuk do të jetë në gjendje të mbështesë rritjen e saj ekonomike. Më shumë se një dekadë nga botimi i librit, Acemoglu shtoi se Kina ka paraqitur një “sfidë” ndaj këtij argumenti, pasi Pekini ka “derdhur investime” në fushat inovative të AI dhe automjeteve elektrike.
“Por perspektiva ime në përgjithësi është se këto regjime autoritare, për një sërë arsyesh, do ta kenë më të vështirë në arritjen e rezultateve afatgjata dhe të qëndrueshme të inovacionit,” tha nobelisti.
Çmimi i ekonomisë njihet zyrtarisht si Çmimi i Bankës së Suedisë në Shkencat Ekonomike në Kujtim të Alfred Nobelit. Ndryshe nga çmimet për fizikën, kiminë, mjekësinë, letërsinë dhe paqen, ai nuk u ishte në planet e shkencëtarit suedez, por nga banka qendrore e Suedisë në vitin 1968.
Vitin e kaluar, çmimi shkoi për Claudia Goldin, një profesoreshë në Universitetin e Harvardit, për kërkimin e saj mbi gratë në tregun e punës.
Duke përdorur të dhëna për më shumë se 200 vjet në SHBA, Goldin tregoi se si natyra e hendekut gjinor të pagave ka ndryshuar me kalimin e kohës. Historikisht, pjesa më e madhe e hendekut mund të shpjegohet nga ndryshimet në arsim dhe në profesion. Por, zbuloi ajo në studimin e saj, pjesa më e madhe e hendekut të pagave ka rezultuar midis burrave dhe grave edhe në të njëjtin profesion, dhe kjo kryesisht shfaqej kur një grua lind fëmijën e saj të parë çka do të thotë se veç punës i dedikohet edhe rritjes së fëmijës./ Liberale.al