Pse duhet kujtuar sot Azem Hajdari

Vitet ’90-ta të shekullit të kaluar për Shqipërinë ishin vite epokale të saj. Në këtë kohë nga Universiteti i Tiranës doli studenti me guxim të pashembullt, Azem Hajdari kundër diktaturës në Shqipëri. Ai formoi Lëvizjen Studentore për t’ i dhënë fund këtij regjimi bizar. Ramiz Alia, duke u mbështetur në filozofinë e dështuar komuniste, nis fushatën e reprezaljeve ndaj studentëve që kërkonin të drejtat e tyre demokratike, si popujt e tjerë në Evropë. Kundër kësaj dhune u ngritën fuqishëm studentët e Universitetit të Tiranës, në krye të të cilëve ndodhej lideri i tyre Azem Hajdari.
Në demonstratën e madhe studentore në Tiranë 1990, për herë të parë doli në publik parulla “Liri, demokraci…” që nuk ishte parë për 50 vjet në hapësirën e Shqipërisë së shkallmuar. Në mbështetje të kësaj lëvizjeje ishte edhe Dr. Sali Berisha, intelektualët dhe demokratët e tjerë gjithandej Shqipërisë. Azem Hajdari ishte një figurë e plotë kombëtare, intelektual, politikan dhe mbi të gjitha demokrat. Ai luftoi për të drejtën, për njerëzoren, për një shoqëri pluraliste, ku askush nuk do të mbetej i pakënaqur. Duke u nisur nga këto dhunti të natyrës së tij, del se synonte që shteti të jetë ai që popullit t’i ofrojë kushte për të qenë i lumtur, i lirë dhe i sigurt. Pra, ëndrra e tij ka qenë: një Shqipëri demokratike, e zhvilluar ekonomikisht dhe model i qytetërimit evropian.
Duke pasur tiparet e një udhëheqësi të madh me vizion të qartë, fitoi simpatinë e mijëra të rinjve e të rejave, të punëtorëve, të atyre që kishin vuajtur e që po vuanin ende në birucat e errëta në Shqipërinë e stërlodhur. Dhe ajo çka është e rëndësishme të theksohet në këtë shkrim, Azem Hajdari gëzonte autoritetin e të gjithë liridashësve në Shqipëri dhe në krahinat e tjera shqiptare, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe tek shqiptarët në botën e jashtme.
Pas aplikimit të pluralizmit, Azem Hajdari, zgjidhet kryetar i Komisionit Drejtues të Partisë Demokratike shqiptare, e para parti opozitare pas 50 vitesh diktaturë në Shqipëri. Pra, në këtë periudhë formohet Partia Demokratike, e cila me aktivitetin e saj çoi përpara proceset demokratike në gjithë Shqipërinë, edhe pse kishte pengesa dhe kërcënime nga komunistët e dërrmuar. Kësisoj demokracia në vendin e shqipeve u bë sinonim i lirisë, i drejtësisë dhe i vlerave qytetare evropiane, një proces liberal.
Në vitin 1992, Azem Hajdari zgjidhet deputet i Shkodrës nga Partia Demokratike dhe deri në fund mbetet besnik i ndërtimit të një vendi të lirë, demokratik e të zhvilluar.
I rritur në Malësinë e Gjakovës, në kufirin që ndante shqiptarët në dysh që nga viti 1913, Azem Hajdari njihte mirë padrejtësitë që iu kishin bërë historikisht shqiptarëve. Ishte njohës i mirë i rrethanave pushtuese të Kosovës nga Serbia dhe në Parlamentin demokratik në Tiranë, ishte ndër të parët deputetë që e ngriti problemin e madh të Kosovës.
Në vitin 1996, Azem Hajdari zgjidhet prapë deputet në Parlamentin e Shqipërisë, ndërsa në vitin 1997 iu kundërvu atyre që e dogjën dhe e shkatërruan Shqipërinë. Për këtë shkak në Parlament, ai u godit nga një atentator, por për fat të mirë i shpëtoi vdekjes.
Nga një dorë mizore u vra më 12 shtator 1998, pikërisht 15 vjet më parë, kur sot eshtrat e tij po bartën në “Varrezat e Dëshmorëve”. Nuk ishte atentat vetëm ndaj tij, por ishte atentat ndaj Shqipërisë, ndaj të ardhmes së saj demokratike, atentat ndaj një Shqipërie përparimtare evropiane dhe ndaj njeriut, i cili bëri aq shumë për demokracinë shqiptare. Vrasja e Azem Hajdarit tronditi të gjithë liridashësit e Shqipërisë, të gjithë ata që vuajtën për lirinë e fjalës dhe lirinë e të drejtës së ekzistimit.
Në përcjelljen mortore, vrasësin e Azem Hajdarit, Dr. Berisha e quajti një akt mizor. Kundër vrasjes së Azem Hajdarit, në Tiranë u mbajt revolta më e madhe që ka njohur ndonjëherë Tirana. Erdhën mbi 100 mijë njerëz nga të gjitha viset shqiptare për të shprehur indinjatën e thellë kundër këtij akti mizor.
Qeveria, të cilën e udhëhoqi për tetë vjet Dr. Sali Berisha, realizoi pikësynimet që i kishte ëndërr heroi demokrat Azem Hajdari, për një Shqipëri të zhvilluar e të integruar në Evropë.
Sot, me rastin e 19-vjetorit mbi atentatin mizor ndaj tij, kur eshtrat po prehen në “Varrezat e Dëshmorëve” e kujtojmë si një nga figurat e ndritshme të historisë sonë kombëtare, si hero të demokracisë, si njeri me vizion për Shqipërinë demokratike, të zhvilluar dhe me vlera evropiane. Njerëzit e tillë në historinë tonë janë të rrallë. Vepra e tij do të jetojë gjithherë derisa të ketë Shqipëri demokratike dhe Shqipëri liridashëse. Duhet të punojmë shumë që një akt i tillë mizor, siç ndodhi me deputetin e demokracisë, Azem Hajdari, të mos përsëritet kurrë.

Jeta e një lideri

Po kush ishte Azem Hajdari, si e kanë njohur shqiptarët njeriun që u vu në krye të Lëvizjes Studentore që përmbysi diktaturën. Djalë i një familjeje punëtorësh dhe vetë vinte nga kjo klasë e nderuar derisa studioi për shkencat filozofike, më pas jurisprudencën, pavarësisht se ishte me dy fëmijë, Hajdari në dhjetorin e vitit ’90 vihet në krye të Lëvizjes Studentore që solli krijimin e PD, të parës forcë opozitare në vend dhe më pas shembjen e diktaturës komuniste.
I njohur për shpirtin e tij “rebel”, një opozitar i përjetshëm, por dhe një njeri shumë studioz dhe me etje për të mësuar, Hajdari nuk mungoi që të ishte në qendër të opinionit publik për drejtësinë e fjalës së tij.
Duke e përjashtuar veten nga të gjitha postet qeverisëse apo legjislative, pas fitores së PD në zgjedhjet e 22 marsit 1992, Hajdari jo pak herë do të dilte dhe kundër asaj që mendonte se nuk po bëhej drejt në PD. Gjithë bashkëkohësit e asaj periudhe kujtojnë jo pa emocion momentet kur ngujohet në grevën e urisë të ish-të përndjekurve politikë në vitin 1994. Ai i kushtoi gjithë jetën demokracisë dhe partisë që lindi, duke besuar gjithnjë te lideri i kësaj partie, Berisha, në implementimin e shtetit të së drejtës.
Si një besimtar i devotshëm, jo rastësisht në portofolin e tij ditën e vrasjes iu gjet fotografia e Dervishit të Luzhës dhe gurë nga kisha e Shna Ndout në Laç, Hajdari dhe pas rrëzimit të PD nga pushteti, nuk iu nda kësaj partie, duke qenë dhe mbështetja kryesore për ish-Presidentin Berisha, i cili u rikthye në krye të PD. Por drejtësia e fjalës, denoncimi i hapur i gjithë skemave që mendonte se janë kundër vendit, i krijoi armiq të shumtë, që solli dhe disa atentate në drejtim të tij, njëri në Tropojë ku mbeti i plagosur Pollo i TVSH, ndërkohë që tjetri po atë vit në sallën e Kuvendit, ku pas një sherri banal, një ditë më vonë ish-deputeti socialist i Hasit, Gafurr Mazreku e qëlloi me pesë plumba, por që mrekullisht lideri i dhjetorit ia arriti t’ju mbijetojë. Gjë që nuk ndodhi një vit më vonë, teksa vritet në një atentat para selisë së PD. Vrasja e tij solli dhe një përplasje të fortë më 14 shtator, ngjarje e cila ende mbetet mister, pavarësisht interpretimeve të ndryshme, sidomos të personave që nuk kanë qenë dëshmitarë të atij kaosi ku institucionet papritmas u gjendën nën dhunë.
Kjo është biografia e shkurtër e një lideri me jetë të trazuar, një njeriu që shembi diktaturën dhe solli pluralizmin në Shqipëri.

“RD”

Artikulli paraprakRama provokim radikal me Ruçin, meriton përgjigje radikale
Artikulli tjetërRama në krye të aleancës më të rrezikshme në 20 vite