Nga Naim Meta
Në zgjedhjet e 11 majit 2025, vendi ka nevojë për një ndryshim të thellë dhe të vërtetë. Pas 34 vitesh zhgënjime, keq-qeverisje dhe mungesë drejtësie, qytetarët shqiptarë kanë më shumë se kurrë nevojë të votojnë për një alternativë që sjell shpresë, ndershmëri dhe përfaqësim të vërtetë të interesave të tyre. Koalicioni Euroatlantik përfaqëson pikërisht këtë alternativë.
1. Votoni për të papërlyerit dhe të ndershmit
Kandidatët e Koalicionit Euroatlantik janë njerëz të papërlyer, të gjindshëm për popullin dhe të gatshëm të punojnë për interesin e qytetarit. Elbasani nuk ka nevojë për politikanë që pasurohen mbi kurrizin e popullit, por për përfaqësues që dëgjojnë, ndihmojnë dhe punojnë me integritet. Votimi për këta kandidatë është votim për dinjitetin tuaj dhe për një të ardhme më të ndershme.
2. Duhet një qasje e re – Jo më e vjetra që na varfëroi
Establishmenti i vjetër politik ka grabitur pasuritë kombëtare, ka shkatërruar shpresat e rinisë dhe ka zhytur vendin në emigracion, papunësi dhe pabarazi. Tani është momenti për një qasje të re – për njerëz që nuk janë pjesë e kësaj klase politike të dështuar. Është koha të thyejmë ciklin e vjetër dhe të ndërtojmë një shtet të drejtë, funksional dhe të barabartë për të gjithë.
3. Diaspora – zëri i ndershmërisë dhe shpresa e së ardhmes
Diaspora shqiptare ka një rol të rëndësishëm në shpëtimin e vendit. Pasi ka parë dhe jetuar në vende me institucione të forta dhe demokraci reale, ajo mund të jetë garantuesja e ndryshimit. Tani, përmes votës së saj të ndershme, diaspora mund të ndikojë drejtpërdrejt në ndërtimin e një Shqipërie të re – ku ligji respektohet, prona mbrohet, familja forcohet dhe politikanët që kanë dëmtuar vendin ndëshkohen.
4. Voto për Shqipërinë që meriton
Kur voton për Koalicionin Euroatlantik, nuk zgjedh vetëm një parti, por zgjedh një drejtim. Zgjedh PRO SPAK, zgjedh shtet ligjor, zgjedh mbrojtje të pronës, voton për një familje të shëndoshë dhe për një ekonomi që shërben qytetarin. Zgjedh LISTAT E HAPURA, ku vota jote shkon drejt për drejt tek përfaqësuesi që TI zgjedh, jo ai që vendos partia.
Voto numrin 4 – Koalicionin Euroatlantik.
Voto për dinjitetin tënd. Voto për Shqipërinë që meriton. Voto për një të ardhme ndryshe!