Pse e kanë kaq të nevojshme me rrejt haptas, 4 ditë para zgjedhjeve për heqjen e Non Gratës?

Nga Indrit Vokshi

Pse rrehet për nongratan?

Ma thoni pak, ku shkruhet në përgjigjjen e Departamentit të Shtetit se “Berisha lejohet të vijë në Amerikë”?

Askund.

Ai është titulli që ka vu gazetari për qejf të vet. Pse e marrin titullin e gazetarit dhe e paraqesin si përgjigjje të Departamentit të Shtetit? Pse e kanë kaq të nevojshme me rrejt haptas, 4 ditë para zgjedhjeve? Pse kaq mungesë respekti për ne njerëzit?

Departamenti ka thënë: Për personat e dizenjuar nongrata, edhe mund të lejojmë udhëtim në Amerikë në rastet kur ne gjykojmë se iu shërben interesave tona kombëtare – përgjigjje standarde manual. As ka përmendur Sali Berishën, as ka thënë se iu hoq nongrata, as ka thënë se ka vizë, as ka thënë se mund të vijë në Amerikë.

Pjesa ku ato 6 milion dollarët kanë lobuar Departamentin, kanë denigruar imazhin dhe seriozitetin e tij, është pjesa ku thuhet “Nuk mund t’i lëmë mardhëniet peng të vendimeve politike të Biden”. Kjo duket qartazi që është fjali e blerë por ata që e kanë shkruar janë korrekt me detyrën, pasi po iu referohen deklaratave të fushatës në ShBA.

Është e blerë dhe rrenë korrekte sepse: Vetë Sali Berisha ka deklaruar se nongrata i erdhi nga Mathew Palmer pasi ky kishte gruan serbe, pastaj ka deklaruar se i erdhi nga McGonigal. Të dy këta, si Palmer si McGonigal, nuk janë të administratës Biden por kanë vepruar më administratën Trump I. Pra nuk ka lidhje Joe Biden hiç në ketë mes. Juri Kim u soll nga Trump, Palmer ishte nën Trump, MgGonigal nën Trump.

Por për të justifikuar lekët që kanë marrë me lobim ata burokratët e Departamentit iu kanë shitur një fjali bazuar te çfarë ka thënë Trump në fushatë. Edhe lekët ua marrin edhe janë korrekt me detyrën.

Turpi i konsiderimit të vendimeve të Biden si politike konsiston këtu; Nongrata janë shpallur Gruevski, Dodiku, Mihajlkovi, Radijçiqi, disa anti-shqiptarë dhe kriminelë të Ballkanit. Këta lobojnë paguajnë për të thënë se vendimet e Biden paskan qenë politike. Për nevojën që kanë për me rrejt janë gati t’i pastrojnë imazhin Dodikut, Radojçiqit, Gruevskit e Mihajlkovit.

Shkurt e shqip asnjë nongrata nuk është hequr, asnjë vizë ska, ka qenë thjesht përgjigjje rutinë por e forcuar pak me lobim. Qëllimi është i qartë: të përdoret ai titulli-rrenë për zgjedhje, duke manipuluar. Punë e tyre.

Poshtëruese është të pranosh vetë se ke paguar lek për të blerë një fjali. Edhe më poshtëruese është kur mendon se duan ta delegjitimojnë nongratan duke paguar lek dhe, prej këtij delegjitimimi të përfitojnë Dodik, Gruevski, Mihajlkovi e Radojciqi.. se edhe këta do të thonë se skanë bërë asgjë, se janë goditur me motivacion politik.

Post Scriptum: Në këto 3 vjet se kam përmendur nongratan pasi smë intereson. Nuk i vlerësoj njerëzit a janë nongrata apo jo. Si me nongrata, si pa nongrata, dikush është siç është.

Thjesht të mos rrejnë. Të mbajnë qëndrimin që kishin në fillim kur nisën foltoren e që thonin: Nuk e përcakton Amerika se kush fiton, ne jemi parti sovrane, e përcakton populli dhe vota e popullit.. dhe, i konsideronin të tjerët servilë ambasadash.

A janë bërë vetë servilë ambasadash tani? Gjithsesi, as përgjigjja, as titulli i një gazetari nuk është se ndryshojnë diçka. Thjesht spo pranojmë me na rrejt. Pse të pranojmë? Ishalla fitojnë thellë por të mos rrejnë. Se kur sua pranon rrenën, del i shitur te regjimi.

Artikulli paraprakGjergji Nika, kandidat i Koalicionit Euroatlantik në Vlorë: “Mos u gënjeni, kërkoni llogari!”
Artikulli tjetër“Koalicioni Euroatlantik baraz me luftë kundër korrupsionit të 7×7=313”, Basha në mbylljen e fushatës në Tiranë: Vota për numrin 4 është për t’i dhënë fuqi SPAK