Pse Edi Rama e “kërcënon” vazhdimisht Bashkimin Europian!

Nga Ervis Iljazaj

Gjatë takimit të liderëve rajonalë që po mbahet në Shkup, pjesë e të cilit janë edhe përfaqësues të rëndësishëm të SHBA-së dhe BE-së, Edi Rama nuk nguroi të kritikojë politikën e Bashkimit Europian për sa i përket zgjerimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Nuk është hera e parë që Kryeministri Edi Rama bën fajtor konktestin e brendshëm politik të disa vendeve të Bashkimit Europian për dështimin tashmë disavjeçar që ka patur Shqipëria në rrugën drejt integrimit. Të njëjtën qasje pati dhe dje, ku u mundua të bindë opinionin publik se ne i kemi plotësuar kushtet, ndërsa ata, politikanët europianë nuk janë seriozë. Sipas Ramës, Shqipëria është gati, Bashkimi Europian nuk është gati të na pranojë, për shkak të euro-skeptikëve që nuk duan zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian.

Në fakt, kjo nuk është hera e parë që Edi Rama ka këtë qasje ndaj Bashkimit Europian. Sa herë që afron dita e vendim-marrjes për ndonjë proces të integrimit të Shqipërisë në BE, mban po të njëjtin refren. Jo vetëm kaq, por shpesh herë ‘’kërcënon’’ Bashkimin Europian me influencat ruse në Ballkanin Perëndimor, apo fuqive të tjera nëse vonohet çelja e negociatave.

Kjo është një qasje totalisht e gabuar e një kryeministri ndaj Bashkimit Europian që nuk të çon asgjëkundi me perspektivën europiane. Kryeministri shqiptar ka për detyrë të plotësojë kushtet që i vendosen nga BE , e jo të analizojë apo të kritikojë BE-në dhe politikën e saj të brendshme euroskeptike.

Me sa duket, kryeministri shqiptar e kujton Bashkim Europian si një organizatë gjeopolitike ku edhe nëse nuk e meriton të jesh pjesë e saj mund të bëhesh për interesa strategjikë. Bashkimi Europian nuk është si NATO, ku Shqipëria u bë pjesë e saj, edhe pse nuk e meritonte. Bashkimi Europian është një qeverisje e përbashkët, me parime dhe rregulla të përbashkëta. Nëse nuk plotëson standardet e kërkuara, nuk bëhesh pjesë asnjëherë pjesë e tij.

Sigurisht që Edi Rama ka një të drejtë kur thotë se ky nuk është moment më i mirë për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian, por ky nuk është justifikim për dështimet e brendshme të Shqipërisë. Nëse ne do të kishim bërë detyrat e Shtëpisë, patjetër që rruga e Shqipërisë, por edhe e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit do të ishte më e shkurtër.

E kundërta është e vërtetë, që Bashkimi Europian edhe pse ekziston një klimë skeptike ndaj zgjerimit, edhe pse Shqipëria nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë siç duhet, nuk i ka ndërprerë asnjëherë perspektivën europiane shqiptarëve, dhe gjithmonë është munduar ta mbajë derën e saj hapur për vendin tonë.

Por edhe skepticizmi që ekziston sot në Europë për sa i përket zgjerimit të mëtejshëm, vjen pikërisht si pasojë e vendeve si Shqipëria që aspirojnë të bëhen pjesë e saj. Vende të cilat nuk kanë standarde ekonomike, shoqërore dhe ligjore për të qenë anëtare të denjë të Bashkimit Europian.

Prandaj, ajo që pritet nga Kryeministri i Shqipërisë, është puna dhe përgjegjshmëria që duhet të marrë përsipër për të ndërtuar një vend me standarde, i cili meriton anëtarësimin në Bashkimin Europian, dhe jo kritika apo analiza gjeopolitike apo politike të Bashkimit Europian. E para, sepse nuk e ka fuqinë për ta bërë një gjë të tillë, dhe e dyta sepse ne nuk jemi në gjendje t’i japim mësim politikës Europiane.

Nëse ka një dështim të madh të kësaj qeverie, nën drejtimin e Edi Ramës, që nga koha që kur ka ardhur në pushtet, është padyshim procesi i integrimit të Shqipërisë në BE. Hapat e bëra që nga 2013 e deri më sot, në këtë drejtim, janë hapa të ngadaltë, pothuajse të papërfillshme. Në këtë kuptim, Shqipëria ka humbur një dekadë për të realizuar aspiratën më të madhe të shqiptarëve që nga koha e përmbysjes së regjimit komunist dhe instalimit të pluralizmit.

Exit mobile version