Nga Eric Alter & Nickolay Mladenov
Sado këmbëngulëse, thirrjet e përsëritura për paqe, nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta kapërcyer kompleksitetin e krizave aktuale. Ajo që dikur u cilësua si një marrëveshje “90 për qind e mbaruar” në Gaza, duket tani një realitet i largët.
Vetëm 2 javë më parë, një propozim i mbështetur nga SHBA për një armëpushim 21-ditor, i projektuar për të lehtësuar negociatat diplomatike midis Izraelit dhe Hezbollahut përgjatë Linjës Blu, dështoi të grumbullonte mbështetje dhe u pasua nga një përshkallëzim i konsiderueshëm i luftës.
Edhe përpjekjet ndërmjetësuese mbi konflikti në Sudan, që synojnë ndërmjetësimin e një armëpushimi janë të rrezikuara të dështojnë, sepse Forcat e Armatosura Sudaneze, një nga palët ndërluftuese në luftën brutale civile, po nisin një ofensivë të re. Një diplomaci e suksesshme, kërkon një balancë stimujsh dhe pasojash.
Ofrimi i shpërblimeve pa përgjegjësi – pra karota pa shkop – e ndryshon rrallëherë rezultatin përfundimtar të një nisme. Nuk është se botës i mungon oreksi për diplomaci apo ndërmjetësim. Një rast i tillë është ndërmjetësimi i suksesshëm i Kinës për një afrim midis Iranit dhe Arabisë Saudite.
Negociatat domethënëse ishin të mundshme edhe gjatë samitit të COP28, ku lëshimet e vështira çuan në fund në një konsensus. Një traktat i ri novator mbi pronësinë intelektuale, burimet gjenetike dhe njohuritë tradicionale të lidhura me to, u miratuan gjithashtu me konsensus nga anëtarësimi në Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale.
Edhe kohët e fundit, zyrtarët iranianë kanë treguar një gatishmëri për t’u angazhuar në bisedime me SHBA-në. Por pavarësisht këtyre përpjekjeve, diplomacia perëndimore ka humbur shumë shpesh mundësi të arta. Me pak përjashtime, sukseset diplomatike janë bërë gjithnjë e më të rralla.
Ndërmjetësimi i Emirateve të Bashkuara Arabe për shkëmbimin e të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës, bie në sy si një sukses i rrallë. Turqia dhe Armenia, kanë shënuar një përparim të mirë në normalizimin e lidhjeve pas një qetësie 2-vjeçare. Megjithatë, suksesi nuk mund të matet vetëm me marrëveshje dhe traktate të reja.
Arritja kryesore diplomatike e këtij viti – Pakti për të Ardhmen, i miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – përballet me dyshime serioze në lidhje me aftësinë e tij për të përmbushur premtimet e tij. Përtej çështjes së traktateve të reja, pakti ngre shqetësime më të mëdha nëse organizatat ndërkombëtare si OKB-ja, janë ende të përgatitura si duhet për të trajtuar kompleksitetin e konflikteve moderne.
Diplomacia duhet të mbetet qendrore, qoftë në kontekstin e një lufte në shkallë të gjerë, tensioneve të përshkallëzuara apo edhe ngërçeve të zgjatura në kohë. Atëherë, si duhet ta vlerësojmë stanjacionin që po vihet re në diplomacinë globale?
Polarizimi në rritje i peizazhit ndërkombëtar, i shoqëruar me rritjen e populizmit, ka krijuar një mjedis ku po bëhet gjithnjë e më i vështirë sigurimi i hapësirave konfidenciale dhe produktive të negociatave. Sfidë përbëjnë edhe ciklet politike të brendshme.
Në vitin 2024, më shumë se 64 vende – që përbëjnë gati gjysmën e popullsisë globale – janë planifikuar të mbajnë zgjedhje, duke qenë shumë të gatshme për tranzicione politike të rëndësishme. Dhe kjo e dëmton fokusin afatgjatë dhe përpjekjen e qëndrueshme që kërkon diplomacia.
Për shembull, zgjedhjet e afërta në SHBA dhe ato të mundshme në Izrael, mund të ndryshojnë në mënyrë drastike tonin dhe përmbajtjen e përpjekjeve diplomatike në Lindjen e Mesme. Pas zgjedhjeve presidenciale në Tajvan, mbetet ende të vlerësohen rreziqet e dinamikës së shkallëzimit, e vënë në lëvizje nga politika e brendshme tajvaneze.
Udhëheqësit e përfshirë në konflikte, nga Rusia deri tek Sudani në Afrikën Qendrore, ose po e konsolidojnë pushtetin ose po luftojnë për mbijetesë. Pa angazhimin e tyre të drejtpërdrejtë, marrëveshjet diplomatike janë gjithnjë e më të vështira për t’u arritur.
Në shumë raste, politika e jashtme pasqyron axhendat e brendshme politike, duke i lënë diplomatët e lartë të shfaqen në skenë vetëm si zgjatime të pikëpamjeve të liderëve të tyre, në vend se të jenë aktorë profesionistë, të aftë për të artikuluar perspektiva më të gjera ndërkombëtare.
Edhe Ministrat e Jashtëm, e gjejnë shpesh veten nën presion dhe të paaftë të paraqesin pozicione që ndryshojnë nga ato të krerëve të shteteve të tyre. Megjithatë, pavarësisht këtyre kufizimeve, diplomatët e përfshirë në ndërmjetësimin e konfliktit mbeten të përkushtuar – qoftë zyrtarisht apo jo zyrtarisht – për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve.
Në terren, synimi i fitores me çdo kusht e ka lënë në hije vullnetin për kompromis, ku ultimatumet kanë zënë vendin e dialogut. Përtej fushës së betejës, diskutimet mbizotërohen nga interesat ekonomike, aleanca dhe konkurrenca gjeopolitike, duke e zhvendosur diplomacinë në plan të dytë.
Vëmendja ka kaluar nga arti i diplomacisë tek gara për ndikim dhe pushtet. Të gjitha shtetet – të vogla apo të mëdha – kanë çdo lloj arsye për të mbetur të investuar në diplomaci. Ato që përballen me rënie ekonomike ose ushtarake, mund ta përdorin atë për të rehabilituar pozitën e tyre.
Ndërsa fuqitë e mesme në rritje, mund ta përdorin për të krijuar një rol më të spikatur në skenën botërore. Diplomacia mbetet e domosdoshme për të gjithë. Vende si Turqia, India, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, e kanë pozicionuar tashmë veten si lojtaret kryesorë të diplomacisë, duke e shfrytëzuar ndikimin e tyre ekonomik dhe ushtarak për të siguruar ndikim.
Këto fuqi të mesme, mund të shërbejnë si ndërmjetëse shumë të nevojshme në negociatat e ardhshme. Pasi të përfundojë ky vii elektoral, qeveritë e sapozgjedhura do të duhet të tregojnë guxim politik por edhe kreativitet, për të ringjallur rolin e diplomacisë në qeverisjen globale.
Ndërsa po nis të ndihet lodhja nga konfliktet e pandërprera rajonale, do të shfaqen mundësi për të riaktivizuar përpjekjet e diplomacisë, gjithnjë nëse ato përpjekje janë vërtet gjithëpërfshirëse. Fuqitë e mesme, organizatat rajonale dhe grupimet e shoqërisë civile duhet të përfshihen në kornizat e ardhshme diplomatike për të gjetur zgjidhje më të qëndrueshme.
Ndërkaq, ka ardhur ndoshta koha për të rishikuar disa nga formatet diplomatike inovative të së kaluarës, të cilat kanë ndihmuar në kapërcimin e dallimeve. Si për shembull tavolina në formë diamanti e Marrëveshjes të së Premtes së Mirë, ku edhe kundërshtarë të egër si Ian Paisley dhe Gerry Adams mundën të ulen pranë dhe përballë njëri-tjetrit; apo diplomacia e Mexhlisit e praktikuar shpesh në Gjirin Persik, e cila promovon dialogun e bazuar tek respekti i ndërsjelltë dhe ndërtimi i konsensusit.
Këto dhe shumë formate të tjera, mund të ofrojnë një kornizë të vlefshme për adresimin e konflikteve rajonale, nxitjen e besimit dhe stabilitetit afatgjatë në një botë gjithnjë e më të polarizuar; duke e dëshmuar vlerën e tyre në arenën diplomatike./Përshtatur nga “The Hill”
Shënim: Eric Alter, është dekan i Akademisë Diplomatike “Anwar Gargash” në Abu Dhabi. Nickolay Mladenov është drejtor i përgjithshëm i kësaj akademie.