Nga Ermal Peçi
Mbështetja publike e Peter Falenskit për Lulzim Bashën dhe Koalicionin Euroatlantik nuk është një deklaratë simbolike, por një akt politik me peshë që reflekton qartësisht shqetësimet dhe prioritetet e qendrës së djathtë europiane për Shqipërinë. Në sfondin e një klime të polarizuar politike dhe të një terreni gjithnjë e më të ndjeshëm ndaj ndikimeve të huaja, qëndrimi i Falenskit është një sinjal i fortë i mbështetjes për forcat që mishërojnë vlerat perëndimore dhe angazhimin e pakushtëzuar ndaj projektit europian.
Si këshilltar politik i vjetër pranë CDU-së gjermane, Falenski është një njohës i hollë i rajonit dhe një zë i fuqishëm në mbrojtje të integritetit demokratik të Ballkanit dhe vëndit tonë. Qëndrimet e tij të qarta kundër influencës kineze dhe financimeve ruse në rajon janë tashmë të njohura. Ai ka qenë një ndër zërat më konsistentë në mbrojtje të linjës euroatlantike dhe përshpejtimit të integrimit të Ballkanit në Bashkimin Evropian.
Në këtë kontekst, mbështetja për Lulzim Bashën nuk vjen vetëm si vlerësim personal, por si një garanci politike se Shqipëria ka ende aktorë që përfaqësojnë bindshëm interesat strategjike të Perëndimit në rajon. Basha është parë si një partner i besueshëm, me një qasje të moderuar, institucionale dhe të qëndrueshme, që respekton rregullat e lojës demokratike dhe që i qëndron besnik kursit perëndimor të vendit.
Por ajo që e bën këtë mbështetje edhe më domethënëse është profili i ekipit që Basha ka ndërtuar rreth vetes. Koalicioni Euroatlantik, ndryshe nga formate të tjera opozitare që shfaqin shpesh tendenca populiste ose radikale, është një bashkim forcash që përfaqësojnë një të djathtë moderne: me formim profesional, me përkatësi të qartë ideologjike dhe me angazhim për reforma reale. Ky ekip mishëron vlerat klasike të së djathtës perëndimore – ekonominë e tregut të lirë, shtetin e së drejtës, liritë individuale, mbrojtjen e pronës dhe të familjes si institucion themelor i shoqërisë.
Në një kohë kur politika shqiptare shpesh dominohet nga përplasjet personale dhe konflikti i pafundshëm, Basha dhe koalicioni i tij ofrojnë një alternativë të qartë: jo vetëm në përmbajtje, por edhe në stilin e të bërit politikë – më e matur, më e përgjegjshme dhe më në përputhje me standardet demokratike europiane.
Mbështetja e Falenskit është, në thelb, një thirrje për të ndërtuar një opozitë të besueshme, që nuk lufton për të kaluarën, por punon për të ardhmen. Një opozitë që nuk udhëhiqet nga hakmarrja, por nga vizioni. Një opozitë që nuk shërben si mjet presioni, por si alternativë reale qeverisëse.
Për një Shqipëri që synon të ecë përpara, ky është një mesazh që duhet dëgjuar me seriozitet.