Procesi i ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organit që po mban peng zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, dhe u përdor si artificë nga mazhoranca për të zgjedhur Arta Markun për ca kohë në krye të akuzës shqiptare, vazhdon të mbulohet me mister, dhe e gjitha kjo në orkestrimin e njeriut të Xhorxh Soros.
Andi Dobrusha, i cili është drejtuesi kryesor i Fondacionit për Shoqëri të Hapur (alias Fondacioni Soros), është njëkohësisht edhe kryetari Komisionit të Shoqërisë Civile, që duhet të përzgjedhë 3 kandidatura në Kuvendin e Shqipërisë, nga të cilët deputetët më pas do të përzgjedhin vetëm një prej tyre e që do të jetë më pas pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. 8 muaj më parë, Komisioni i Shoqërisë Civile, shpërndau një deklaratë në të cilën thuhej konkretisht: “Përsa i takon përzgjedhjes së anëtarit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga Shoqëria Civile, Komisioni Ad Hoc i Shoqërisë Civile është gjendur në pamundësi reale për t’i përcjellë Kuvendit listën me së paku 3 kandidatë për anëtar të Shoqërisë Civile, të cilët përmbushin kriteret e caktuara ligjore”. Komisioni i drejtuar nga njeriu i Sorrosit, ankohej se nga muaji shkurt, kur Komisioni i Shoqërisë Civile u krijua e deri në muajin tetor, me propozim të këtij Komisioni nga Kuvendi i Shqipërisë janë hapur dhe njoftuar 5 thirrje publike për kandidatët që shprehin interesin për të qenë anëtarë të “KLP” si përfaqësues të Shoqërisë Civile.
“Bazuar në këto thirrje, 10 nga 11 kandidaturat e mbërritura janë skualifikuar për shkak se nuk përmbushin kriteret formale ligjore”, thuhej në deklaratën e Komisionit të Shoqërisë Civile. E para, mungesa e anëtarit të Shoqërisë Civile, ishte i vetmi problem që pengoi ngritjen e KLP-së, dhe si pasojë vendimin zinxhir të mazhorancës për të zgjedhur një Kryeprokuror të Përkohshëm (që nuk figuron askund në Kushtetutë). Dhe tashmë vetëm dy ditë pas zgjedhjes së Arta Markut në krye të akuzës shqiptare, Komisioni i Shoqërisë Civile i drejtuar nga njeriu i Sorosit, Andi Dobrusha i dërgon Kuvendit të Shqipërisë jo 3, por 4 kandidatë 1 më shumë sesa kërkohet sipas ligjit.
Pra atë punë që Komisioni i Shoqërisë Civile nuk e bëri dot për 10 muaj, pra identifikimin e 3 kandidaturave për ngritjen e KLP-së, e bëri për vetëm 8 ditë që nga njoftimi i fundit për pranimin e aplikimeve. E gjithë kjo skemë shton akoma më shumë hijet e dyshimit për atë që ndodhi të hënën në Kuvend, dhe që kulmoi me zgjedhjen e një prokuroreje me një eksperiencë modeste pune, në krye të organit më të lartë të akuzës shqiptare. Një tjetër fakt që e bën pis angazhimin e Komisionit të Shoqërisë Civile në propozimin e kandidaturave është edhe ai i numrit të kandidaturave të kërkuara.
Një ditë më parë, Komisioni i Shoqërisë Civile, ka depozituar me firmën e Andi Dobrushës 3 kandidatura nga Shoqëria Civile për KLP-në, Alfred Ballën, Andi Muratajn dhe Entela Hoxhën. Ndërkohë pas prezantimit të bërë para Avokatit të Popullit, të 3 kandidaturave në fjalë, gjatë komunikimit me mediat, Dobrusha foli edhe për një kandidaturë të 4-ët që është ajo e Mimoza Qinamit. Pyetja është, kush është Mimoza Qinami dhe pse Komisioni i Shoqërisë Civile, dërgon një tjetër kandidaturë në Kuvend që nuk rezulton në shkresën zyrtare të dërguar në datën 19.12.2017?