Roja italiane e Financës njoftoi se në datë 8 shkurt 2017 kishte kapur 8 ton kanabis në rimorkion e një kamioni të zbritur në Portin e Ankonës nga një traget i ardhur nga Porti i Durrësit. Policia e Shtetit reagoi nëpërmjet zëdhënësit të saj, duke deklaruar se: Policia italiane ka konfirmuar se Shqipëria nuk është e përfshirë as në njerëz as në mjete. Konfirmimi vjen nga Drejtoria Qëndrore e Shërbimit Antidrogë (DCSA). Nuk mund të jepen të dhëna të tjera mbi hetimin për shkak të sekretit hetimor, por konfirmojmë që nuk ka të përfshirë nga pala shqiptare.
Ky deklarim i zëdhënësit të Policisë së Shtetit është një përpjekje e dëshpëruar për të fshehur rolin e organeve ligjzbatuese të shtetit shqiptar në lehtësimin e trafikimit të një sasie rekord kanabisi nëpër territorin e Shqipërisë. Nuk është e vërtetë që për shkak të sekretit hetimor pala italiane nuk jep të dhëna të mëtejshme për këtë mega trafik droge. I kujtojmë zëdhënësit se, avokati i shoferit maqedonas z. Vio Giuseppe është mjaft i hapur për të dhënë informacion mbi klientin e tij. Doktoresha Roberta Marchiori, gjykatëse e hetimeve paraprake (GIP) po ashtu nuk ka përdorur sebepin e sekretit hetimor për të mbajtur mediat në terr për këtë rast trafiku.
Theksojmë se DCSA (Direzione Centrale per i Servizi Antidroga) pranë Ministrisë së Brendshme italiane nuk është përgjegjëse për këtë operacion antidrogë. Duke mos qenë në brendi të këtij operacioni DCSA-ja nuk mund të jepte garanci në hava për dikasterin e Tahirit se Shqipëria nuk është e përfshirë as në mjete dhe as në njerëz (Siç!). Operacioni është kryer nga financierët e Ankonës dhe është finalizuar nga financierët e Venecias, të cilët realizuan edhe arrestimin e shoferit dhe bllokimin e kokës së kamionit (motricce) në zonën Venezia Est, pra DCSA-ja nuk hyn fare këtu!
Shoferi i kamionit të kanabisit është Stojanovski Zoran i datëlindjes 23.2.1978 me pasaportë maqedonase me nr. Pasaporte BO 428210.
Kamioni i tipit “tandem” ka targën BT 5217 AC dhe koka e kamionit ka targën BT 0415 AC. Kamioni është pronë e kompanisë Euro Truck d.d.o. me qendër në Bitola (Manastir) të Maqedonisë. Kjo kompani është e regjistruar edhe në Serbi, Mal të Zi, Bosnje Hercegovinë e Slloveni.
Ngarkesa legjitime e kamionit ishte një lloj gipsi i prodhuar nga kompania maqedonase POFIX me qendër në Tetovë, në adresën Rruga e Vjetër Tetovë-Shkup 1220 (shiko edhe në adresën Dereboj Bb-Tetovë 1200), por e regjistruar edhe në Republikën e Kosovës, në Slloveni etj. Për të verifikuar të dhënat për mjetin, ngarkesën dhe shoferin mund të kontaktoni në tel.00 389 44 800226. Për ta bërë të besueshme për lexuesin informacionin e mësipërm po publikojmë edhe dokumentet përkatëse të Listës së pasagjerëve dhe Manifestit të ngarkesës të Tragetit Marina i Linjës Durrës-Ankona, në të cilin u imbarkua kamioni me 8 ton kanabis. Këto dokumente janë kortezi e kolegëve italianë, të cilët po e investigojnë me shumë interes këtë trafik kanabisi.