Pse hesht Sali Berisha për skandalin Çyrbja?

Nga Bato Kosova

Arrestimi i deputetit Jurgis Çyrbja nga ana e SPAK ka ekspozuar një nga pikat më kritike të makinerisë elektorale të Edi Ramës, duke faktuar akuzat e shumta të opozitës ndër vite për lidhjen e politikës me krimin.

Nga hetimet e SPAK rezulton se deputeti socialist i Durrësit i shërbente krimit të organizuar, duke marrë në këmbim vota dhe mbështetje politike.
Aspekti më i rëndë i kësaj dosje të nxehtë është pozicionimi i Çyrbes në pjesën fituese të listës, i treti në zgjedhjet e vitit 2021, përmes influencës së banditëve të zonës. Por nëse kjo ekspozon lidhjet e deputetit të PS me bandat, nuk lë dorëjashtë Edi Ramën, i cili është personi që nënshkruan listat e deputetëve si kryetar partie. Pra, logjika sugjeron se kur është negociuar për të vendosur të tretin në listën fituese Çyrben, marrëveshja është arritur me Edi Ramën.

Vetë kryeministri ishte kandidat në Durrës në ato zgjedhje, dhe me sisetmin aktual zgjedhor, mandati i tij në ato zgjedhje është fituar me ndihmën e krimit të organizuar, që më vonë, siç dëshmojnë përgjimet zyrtare të prokurorisë, është shpërblyer me informacione të dekonspiruara nga deputetit Çyrbja dhe personazhe të tjera brenda sferës së pushteti, të cilët kanë vepruar në shërbim të bandave.

Në kushte normale, ky skandal do të ishte një bonus domethënës për opozitën, e cila ka luftuar me vite me radhë kundër lidhjes së politikës me krimin, në veçanti për impaktin e kësaj lidhje në zgjedhje. Por konfirmimi i tezave të tyre, tani përmes një dosje zyrtare të SPAK, duket se ka vënë në lëvizje vetëm Lulzim Bashën, që ka reaguar në mënyrë të pandërprerë për këtë çështje, madje e ka bërë pjesë të bisedimeve të takimeve zyrtare që ka zhvilluar javët e kaluara në Berlin dhe Londër.

Por ajo që bën përshtypje në këtë moment është heshtja e Sali Berishës, i cili nuk përton të lëshojë thagma të pavërtetuara në rrjetet e tij sociale, ndërkohë që për arrestimin e Çyrbes, që fakton vjedhjen e zgjedhjeve dhe lidhejt e PS-së me krimin, ish-kryeministri ka kyçur gojën.

Nuk është ende e qartë pse Sali Berisha hesht, ndoshta sepse për tre vite akuzoi Bashën se kishte humbur zgjedhjet, ndërkohë që dosje si kjo e Çyrbes tregojnë se ato janë tjetërsuar nga Rama.
Apo sepse hetimi dhe arrestimi që fakton një pjesë të masakrës zgjedhore të viti 2021 është zbardhur nga SPAK, që me pa të drejtë, Berisha e quan SKAP, pasi e ka vendosur në hetim.

Sidoqoftë kjo heshtje dita-ditës, po kthehet në një akuzë për vetë Sali Berishën, sepse duket se mosbindjen civile e ndez dhe e shuan sipas qëllimeve personale që diktojne hetimet nën të cilat ndodhet, jo interesi i opozitës.

Pas bashkimit të votave me Ramën për të realizuar amnistinë e subjekteve të SPAK dhe GJKKO, si dhe bashkimin e votave për të mbyllur listat, duke mbyllur çdo mundësi për një reformë zgjedhore, Sali Berisha, po ekspozohet gjithmonë e më shumë si një aksioner i pushtetit të Edi Ramës, jo si drejtuesi i një aksioni opozitar./alfapress.al

Exit mobile version