Kur Qasem Soleimani, komandanti i Brigadave Al-Quds të Iranit në Irak, u vra në një atentat nga Shtetet e Bashkuara në aeroportin e Bagdadit në fillim të janarit 2020, Udhëheqësi Suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei e quajti atë një deklaratë lufte dhe u zotua për një hakmarrje të madhe.
Si përgjigje, Irani kreu sulme ajrore në bazën ushtarake Al-Asad në Irak dhe në bazën ushtarake amerikane në Erbil, në Irakun verior. Sulmet shkaktuan dëme materiale, por askush nuk u vra.
Kur Izraeli, pas sulmit nga Hamasi më 7 tetor 2023, bombardoi intensivisht Rripin e Gazës dhe numri i viktimave midis palestinezëve u rrit, ministri i jashtëm iranian Hossein Amir-Abdolahian paralajmëroi se nëse Izraeli vazhdon të sulmojë civilët e paarmatosur në Gaza, nuk mund të garantohet se konflikti nuk do të përhapet. Me fjalë të tjera: Irani mund t’i bashkohet konfliktit. Por në mars 2024, agjencia e lajmeve Reuters raportoi njoftimin e Hezbollahut libanez se, pas konsultimit me Teheranin, do të drejtonte në mënyrë të pavarur luftën kundër Izraelit dhe se Irani nuk do të përfshihej ushtarakisht.
Khamenei urdhëroi sulmin me raketa ndaj Izraelit vetëm pasi shtatë anëtarë të Gardës Revolucionare iraniane u vranë në një sulm të synuar ndaj ambasadës iraniane në Damask më 1 prill. Por Teherani njoftoi sulmin paraprakisht dhe madje informoi qeverinë amerikane. Disa orë pas sulmit me raketa iraniane, të cilat u kapën kryesisht nga Izraeli, Irani deklaroi se incidenti mund të konsiderohet “i përfunduar”. Nuk u fol shumë për suksesin e sulmit.
Dhe kur Ismail Hanije, lideri i Hamasit u vra më 31 korrik 2024, në një atentat në Teheran, për të cilin Izraeli mbahet përgjegjës, Irani u betua të hakmerret. Por ende nuk është zbatuar, shkruan DW.
Mungesa e mbështetjes brenda vendit
Është e qartë se regjimi iranian nuk është i gatshëm apo në gjendje të përmbushë kërcënimet e tij të shumta. Një arsye e rëndësishme është mungesa e mbështetjes nga popullata. Shumica e iranianëve duan fundin e regjimit dhe ankohen për shpenzimet e mëdha për të mbështetur aleatët e Iranit, ndërsa në të njëjtën kohë një pjesë e madhe e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë. Protestuesit kanë brohoritur prej vitesh: “As Gaza, as Libani. Unë ia kushtoj jetën time Iranit!”
Përveç kësaj, në rast të një sulmi ndaj Izraelit, Iranit do t’i duhet të llogarisë në kundërsulme të rënda, të cilat do të dobësonin në vend që të forconin regjimin në Teheran. Izraeli është ushtarakisht superior, dhe edhe nëse sulmet do të kishin për qëllim vetëm infrastrukturën, mund të shkaktonte pakënaqësi edhe më të madhe në mesin e popullatës. Përveç kësaj, Iranit do t’i duhet të frikësohej se Izraeli do të sulmonte gjithashtu objektet e tij bërthamore nëntokësore duke përdorur bomba thërrmuese, siç bëri me selinë e Hezbollahut.
Duke pasur parasysh këtë, Ayatollah Khamenei dhe pasuesit e tij duhet të mendojnë me kujdes se si do t’i përgjigjen vdekjes së Hassan Nasrallah dhe nëse do të përfshihen në një konfrontim ushtarak me Izraelin./DW