Delegacioni i Kosovës, që ishte i ftuar të merrte pjesë në Forumin e Sigurisë në Beograd, i përbërë prej Bajram Gecajt, Ramadan Ilazit, Blerta Deliut dhe Ilir Dedës, e anuloi ditë më parë këtë takim. Mirëpo, në axhendën e këtij forumi që e posedon “Gazeta Express”, figuron edhe emri i pjesëtarit të ri të “Vetëvendosjes”, Dukagjin Gorani.
Forumi për Siguri në Beograd, fillimisht u planifikua të fillojë dje, mirëpo pa praninë e panelistëve nga Kosova, nuk u mbajt.
Për “Gazetën Express”, Bajram Gecaj ka treguar arsyen e vetme të anulimit të këtij takimi.
“E kemi anuluar vizitën tonë në Beograd për shkak të arrestimit të drejtorit të Policisë së rajonit të Mitrovicës, Nehat Thaçi”, thotë Gecaj, derisa tregon se kanë pritur deri të hënën lirimin e Thaçit, mirëpo pasi nuk ndodhi një gjë e tillë, vendimi i mospjesëmarrjes në këtë takim ishte i tij dhe i Ramadan Ilazit.
Edhe Blerta Deliu, deputete e Kuvendit nga PDK-ja, e ka konfirmuar për “Express” anulimin e vizitës, si pjesë e panelit që parashihej të merrnin pjesë në Forumin e gjashtë të Sigurisë në Beograd.
Pjesë e panelit ishin: Marko Gjuriç, drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi; Bajram Gecaj, përfaqësues i qeverisë së Kosovës; Ramadan Ilzai, përfaqësues i Ministrisë së Integrimeve Europiane; Ilir Deda, deputet në Kuvendin e Kosovës; Pierre Mirel, drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian; Dukagjin Gorani, Lëvizja “Vetëvendosje”; Sanda Rashkoviç-Iviç nga Partia Demokratike e Serbisë.
Vendimi i marrë nga Gjykata e Nishit për zyrtarin policor Nehat Thaçi, që të mbahet në paraburgim, ka shtyrë delegacionin nga Kosova i përbërë nga Blerta Deliu, Ilir Dedaj, Ramadan Ilazi dhe Bajram Gecaj që ta anulojë vizitën në Beograd, si pjesë e Forumit të Sigurisë.
Nehat Thaçi po akuzohet në Serbi për terrorizëm dhe për dëbimin e një familjeje serbe nga një fshat afër Lipjanit në vitin 1999. Këto akuza Thaçi i ka mohuar në procesin gjyqësor.
Takimi i dy kryeministrave si pjesë e këtij forumi, Edi Ramës nga Shqipëria dhe Aleksandar Vuçiçit nga Serbia u mbajt dje. Në këtë takim u bisedua edhe për relacionet e Serbisë dhe Kosovës, si dhe anasjelltas.