Kim Mehmeti
Të huajt habiten kur shohin burrështetas shqiptar të mençur e të pa korruptuar si Kryeministri i Kosovës!
“Sipas raportimeve mediatike del se Kryeministri i ri i Kosovës, me fjalimin e tij në Munih, e paska tronditur miqësinë mes Kryeministrit të Shqipërisë, Presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Spekulohet se nga ky fjalim u paska mbetur hatri edhe përfaqësuesve amerikan në këtë takim.
Amerikanët s’kanë pse hidhërohen, sepse as ata, as kushdo tjetër, nuk e do Kosovën më shumë se Kryeministri i saj dhe askush nuk di të kujdeset për të më mire se ai. Pastaj, ata e dinë se sa të ketë shqiptarë në këtë botë, nuk do vdes as mirënjohja ndaj ndihmës që Perëndimi dhe Amerika ia ofruan shqiptarisë.
Njësoj siç e dinë se të jesh mirënjohës nuk do të thotë të heqësh dorë nga dinjiteti yt personal e kolektiv, siç e dine pra se njeriu nuk është i vdekur vetëm pasi që jep shpirt, por edhe kur bëhet leckë me të cilën çdokush i fshin qurrat!
Në ndërkohë ne s’kemi pse ua zëmë për të madhe diplomatëve të huaj pse nuk janë mësuar të përballen me politikanë tanë të pa korruptuar, të mençur, të dinjitetshëm dhe që kanë kokë për të menduar e jo vetëm për ta mbajtur baraspeshën e trupit.
Pra s’kemi pse u hidhërohemi të huajave që ne i mësuam të besojnë se të gjithë të zgjedhurit dhe burrështetasit tanë janë si Piktori i Shqipërisë dhe Presidenti i Kosovës, të cilët më me fat ndjehen kur fotografohen me kopshtarin e ndonjë burrështetasi perëndimor se sa kur bëjnë ndonjë të mirë për popullin e vet!”