Pse lihen të lirë baronët e 25 tonelatave të drogës

Më shumë se 25 ton drogë u sekuestruan dje nga Policia në Vlorë dhe Kavajë, ndërsa baronët e drogës janë të lirë. Policia bëri të ditur se ka ndaluar dy punonjës policie në Vlorë, pasi kanë gjetur një parcelë me disa rrënjë kanabis në oborrin e shtëpisë së tyre, ndërsa nuk është arrestuar asnjë nga trafikantët e sasisë së madhe të drogës që u kap në Llakatund.
Sipas burimeve nga Policia e Vlorës droga e kapur në Llakatund i përket Habiljave, njerëzve të afërt të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ndërsa policia nuk dha asnjë njoftim se kujt i përkasin tonelatat e drogës së bllokuar. Baronët e drogës nuk arrestohen, sepse kanë lidhje me drejtuesit e lartë të policisë dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë.
Tonelatat e drogës janë kapur dje pas përplasjeve të klaneve Habilaj dhe Xhafa. Ka qenë klani Xhafa, njerëzit e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, që kanë njoftuar policinë për sasinë e madhe të drogës që ishte bërë gati për t’u trafikuar në Itali. Klani Xhafa ka pësuar disa goditje në trafikun e drogës me skaf drejt Italisë. Gjatë kohëve të fundit, sasi të mëdha droge të këtij klani janë bllokuar nga autoritetet italiane. Edhe skafi që u mbyt para një jave me një biznesmen dhe ndihmësin e tij, dyshohet se po trafikonte drogën e klanit Xhafa.
Klanet Habilaj dhe Xhafa kanë të fshehur në tunele dhe magazina tonelata të tjera droge në pritje për t’u trafikuar drejt Italisë. Bëhet e ditur se Policia ka dijeni për këtë sasi droge, por nuk ndërhyn për ta bllokuar.

Oficeri i policisë 1.3 ton droga e kapur në Kavajë

Një sasi prej 1.3 ton kanabis u sekuestrua në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Kavajë, gati për t’u trafikuar me skaf në Itali. Pas trafikut të kësaj sasie droge qëndron djali i një inspektori policie. Policia bëri të ditur se, në pranga u vunë tre persona, ku njëri prej tyre Kejvi Hajdari është djali i ish-shefit të Krimeve në Gramsh, Artur Hajdari, i cili aktualisht është inspektor në Peqin. Policia e Kavajës bëri të ditur se, operacioni i koduar “Pilotët” është zhvilluar gjatë orëve të para të ditës së premte, nga efektivët e Komisariatit të Policisë Kavajë, por një punonjës policie bëri ditur se kapja e drogës ka qenë një rastësi. Sipas tij, një patrullë policie kishte qenë në shërbim në rrugën drejt Plazhit të Gjeneralit, për disa kontrolle rutinë për vjedhje automjetesh. Policët kanë parë se, përballë me mjetin e tyre, po vinte një furgon me drita të gjata të ndezura.
Nga ana e mjetit të policisë, i është bërë shenjë që të ulë dritat, por drejtuesi i furgonit nuk ka reaguar. Policia i ka bërë sinjal akustik që furgoni të reagonte dhe të ulte dritat e gjata. Pas sinjalit të policisë, drejtuesi i furgonit ka lëvizur me shpejtësi. E kanë ndalur furgonin diku larg policisë dhe kanë ikur me vrap, duke lënë ndezur furgonin. Pas kontrollit të mjetit u gjet sasia e lëndës narkotike, që mendohet se është rreth 1.3 ton.
“Operacioni u zhvillua në bazë të planit të masave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për goditjen e “Kultivimit” dhe “Trafikimit të lëndëve narkotike” dhe konkretisht: Më datë 14.07.2017,  rreth orës 02:20, shërbimet e policisë kanë marrë informacion se në vendin e quajtur fshati “Bago”, dy automjete, konkretisht një  “Land Rover” dhe një furgon mund të transportonin lëndë narkotike. Menjëherë është organizuar puna për bllokimin e tyre”, sqaron policia.
Po ashtu, policia thotë se, “në momentin e konstatimit të këtyre dy automjeteve, nga ana e punonjësve të policisë u është bërë shenjë për të ndaluar, por këto automjete nuk kanë ndaluar duke shtuar shpejtësinë dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë. Drejtuesit dhe personat e tjerë që kanë qenë në këto automjete, duke përfituar nga errësira dhe terreni i vështirë, kanë arritur të largohen duke braktisur automjetet”.
“Nga këqyrja e këtyre  automjeteve, rezultoi se në brendësi të tyre kishte pako të mëdha me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, e cila pas peshimit rezultoi rreth 1360 kg”, tha Policia.
Policia ka vënë në pranga shtetasit Joni Sadikaj, Roland Hysenbelliu, Kejvi Hajdari, ndërsa janë shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorët me iniciale B.B dhe F.S. Më pas nga ana e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë është vijuar operacioni duke bërë  krehjen e terrenit dhe territorit, ku si rezultat janë konstatuar një gomone me gjatësi 7.7 m me dy motorë me 200 KV e tipit Kavasaki e lidhur me një traktor pa targa, si dhe një automjet i markës “Toyota”, e cila nga verifikimet i përket shtetasit H.K., i cili është shpallur gjithashtu në kërkim policor.
Gjithashtu në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar edhe disa shtetas të tjerë për t’u marrë në pyetje.
Pasa bllokimit të drogës, është gjetur një skaf në Kavajë, i cili dyshohet se do të transportonte 1.3 ton kanabis të kapur gjatë natës. Policia bëri të ditur se, skafi është 15 metër i gjatë dhe ishte në breg të detit. Aty pranë është gjetur edhe një zetor që shërbente për ta futur në ujë skafin.
Droga u kap në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Me të pikasur policinë, drejtuesit e mjeteve dhe shoqëruesit janë larguar. Policia që kishte ngritur prita në të gjithë zonën, në një vend tjetër ka ndaluar 4 persona. Dyshimet e para janë që droga ka ardhur nga një rreth tjetër, me qëllim që të shkonte drejt “Plazhit të Gjeneralit” dhe më pas të transportohej me mjete lundruese drejt Italisë.

Demiraj reagon për drogën e bllokuar

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj ka reaguar pas operacionit të drogës në fshatin Llakatund të Vlorës ku u sekuestruan rreth 15 ton kanabis. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook Demiraj falënderon Policinë e Shtetit.
“Përgëzoj Policinë e Shtetit për vazhdimësinë e operacioneve në mbarë vendin, për luftën pa kompromis kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Kapja dhe asgjësimi i sasive të grumbulluara nga viti i kaluar është prioritet mbi prioritetet. Suksesi i sotëm i sekuestrimit të shumë tonelatave kanabis në Vlorë dhe mbarë Shqipërinë do të jetë modeli i punës tonë deri në pastrimin e plotë dhe kontrollin e territorit.
Siguroj të gjithë efektivët e përkushtuar të Policisë së Shtetit se do të kenë mbështetjen e plotë të ministrit të Punëve të Brendshme për arritjen e objektivave strategjikë për heqjen e Shqipërisë nga harta e trafikut ndërkombëtar të drogave”, shkruan Demiraj në një postim në Facebook.

Artikulli paraprakHetim i plotë Arsimit dhe aktivitetit kriminal të Ndrecës
Artikulli tjetërFaqja e pare