Nga dr. Hasan Bello
Në gusht të vitit 1936 Mbretit Zog i mbërriti një ftesë nga Presidenti Franklin Ruzvelt për të vizituar Amerikën. Por pavarësisht dëshirës që ai kishte, rrethanat politike nuk e lejuan të largohej nga drejtimi i shtetit. Kjo vihet re edhe në përgjigjen që ai i drejtoi Shtëpisë së Bardhë më 8 gusht 1936, ku pasi shprehte falenderimet e tij, shkruante se punët e shtetit kërkonin në këtë moment praninë e tij në krye të shtetit.
Në mars të vitit 1936 në formë presioni Musolini kishte dërguar në brigjet shqiptare disa anije luftarake, të cilat tentuan të zbarkonin në Durrës. Ky incident u mbyll me ndërhyrjen e diplomacisë britanike. Megjithatë, italianët nuk hoqën dorë. Në vitin 1937 ata nxitën Lëvizjen e Delvinës dhe një sërë përpjekjesh të tjera për ta rrëzuar Zogun me dhunë. Për këto arsye, ai nuk mund të largohej nga vendi.
Në pamundësi për të shkuar personalisht në SHBA, dy vite më pas ai dërgoi tre motrat. Në shkurt të vitit 1938, princeshat Myzejen, Ruhie dhe Mexhide zbritën në portin e New Yorkut. Më 4 mars ato mbërritën në Washington për tu takuar me zonjën e parë Eleanor Ruzvelt. Në rezidencën presidenciale, gjatë takimit me të hyri edhe presidenti Ruzvelt, i ulur në karrocën e invalidit, me të cilin ato zhvilluan një bisedë të shkurtër në gjuhën frënge.