Bledi KASMI
Kur një nga ekspertët u pyet zyrtarisht se cili ishte modeli që i ishin referuar për Reformën në Drejtësi në Shqipëri, ai fillimisht u përtyp. Hezitoi të përgjigjej me të parën. Dukej se nuk dëgjonte mirë nga veshi i djathtë. Kur u pyet sërish, ai dha një përgjigje të plotë; “është model i suksesshëm në Liberi”.
Bashkëbiseduesi nuk e dha veten, ndërsa eksperti vijoi të argumentonte se akoma më i suksesshëm ky model kishte rezultuar edhe në Sierra Leone.
Për ata që nuk e dinë se ku bie Liberia dhe Sierra Leone është mirë të kenë një shpjegim. Liberia është një vend që vuan ende pasojat e një lufte civile që ka zgjatur në këtë vend prej më shumë se 15 vitesh, ndërsa Sierra Leone është vendi i kthyer në një fushëbetejë të grupeve mafioze për shkak të pasurive nga trafiku i diamanteve.
Se çfarë ngjashmërish mund të kenë shqiptarët me këto vende, kjo mbetet për t’u zbuluar, por pyetja shtrohet se përse nuk u përzgjodh një model europian si fjala vjen, Kroacia, që burgosi një kryeministër për korrupsion, por u rropatën të shkojnë të na sjellin Liberinë dhe Sierra Leonën këtu në zemër të Europës. Mos rruga më e shkurtër për të shkuar në Bashkimin Europian i bie nga Liberia apo nga Sierra Leone?
Është bërë pak transparencë për të kuptuar se përse kjo reformë u kthye si në historinë e pëlhurës së Penelopës. Për ta shpjeguar më mirë duhet të njohësh ata që u licencuan si ekspertë të saj. Nëntë nga 15 ekspertët e konsideruar si ndër më të mirët në vend rezultojnë të kenë qenë ose hetues ose gjyqtarë të krimeve të diktaturës.
Opozita për ta është fjalë e huaj. Sa herë opozita ka reaguar për këtë reformë, sa herë opozita ka folur, sa herë opozita ka bërë propozime apo sa herë ka guxuar të kundërshtojë ndonjë nen të Reformës në Drejtësi të ngjashëm me Nenin famëkeq 55, ata klithin. Sepse opozita për ta nuk e ka të drejtën e fjalës. Ora i ka mbetur në kohën kur Kristaq Traja, sot ekspert i Reformës në Drejtësi përpara 28 vitesh dënonte të riun në Krujë vetëm se një bisedë me miqtë e tij kishte bërë një krahasim mes Titos dhe bunkerëve të udhëheqësit të dashur të partisë Enver Hoxha.
Basha nuk është sot armiku i klasave. Është kryetari i opozitës së këtij vendi që ka përgjegjësi për çdo vendim që merr në emër të popullit opozitar. Aq më tepër kur bëhet fjalë për Drejtësinë.