Ndonëse kanë kaluar më shumë se 48 orë nga bllokimi i 7 tonë droge në një magazinë në Rrëshen që ndodhej në mes të qytetit, policia nuk ka arrestuar asnjë nga pronarët e vërtetë të drogës, por vetëm disa punëtorë. Burime nga policia, por edhe banorët bënë të ditur se, droga ishte grumbulluar aty nga njerëzit e kryetarit të Bashkisë, Ndrec Deda nën mbikëqyrjen e drejtuesve të policisë. Fabrika e përpunimit të kanabisit ishte fare afër komisariatit dhe Bashkisë dhe ruhej nga persona të armatosur. Pronar i fabrikës ishte Kastriot Preng Reçi, ndërsa pjesë e këtij grupi të rëndësishëm përveç kryetarit të Bashkisë ishte edhe drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve, Lazder Beci. Fabrika monitorohej edhe nga policia vendore.
Burime nga policia bënë të ditur se, Reçi është një biznesmen që ka privatizuar këto magazina nga shteti dhe ka nisur biznesin e tij. Para se të falimentonte mësohet se ai merrej me mobilie. Pikërisht magazinat e mbushura me hashash përdoreshin më parë për të stazhionuar dërrasat dhe mobiliet që bëheshin aty. Por para pak vitesh ai kishte falimentuar. Këtë vit kishte vendosur që magazinat e mobilieve t’i kthente në magazina të drogës, të mbushura me kanabis.
Fabrika e drogës funksiononte 24 dhe në të ishin të punësuar rreth 200 punëtorë. I gjithë qyteti fliste për këtë fabrikë të paligjshme, por policia nuk ndërhynte për shkak se droga grumbullohej aty nga njerëzit e kryetarit të Bashkisë dhe drejtuesit e Policisë së Rrëshenit.
Pse refuzoi aksionin Policia e Rrëshenit
Operacioni për bllokimin e drogës në fabrikë u zhvillua të mërkurën nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA, pasi policia lokale e Rrëshenit nuk pranoi të marrë pjesë në aksion për shkak se drejtuesit e policisë kishin pjesën e tyre në këtë trafik droge. Sipas burimeve nga policia lokale, drejtuesit e policisë kanë marrë 30 euro për çdo rrënjë kanabis në plantacionet që ruheshin me armë jo vetëm nga trafikantët, por edhe nga punonjës policie.
Para fillimit të operacionit për bllokimin e drogës në fabrikë, ka patur përplasje mes Policisë së Rrëshenit dhe të Lezhës. Përplasja ka degjeneruar deri në sharje të ndërsjella dhe është dashur ndërhyrja nga lart që Policia e Lezhës dhe ajo e Mirditës të ulnin gjakrat. Pas përplasjes mes forcave të rendit për shkak se policët e Rrëshenit nuk pranonin të përfshiheshin në operacion, ndërhynë forcat speciale nga Tirana për të zhvilluar aksionin e bllokimit të fabrikës së drogës dhe sekuestrimit të kanabisit që ishte në proces tharjeje gati për t’u trafikuar.
Në fabrikë janë gjetur pajisje për tharje dhe qethje të kanabisit. Gjatë operacionit të FNSH dhe RENEA në ambientet e magazinës së drogës janë gjetur 32 persona, punëtorë për tharjen dhe pastrimin e kanabisit.
Policia e Lezhës tha se, për 22 prej tyre janë prerë fletë arrestet, por nuk ka asnjë urdhër arresti për pronarët e vërtetë të drogës, të cilët janë drejtuesit e policisë dhe kryetari i Bashkisë. Bëhet e ditur se ka patur urdhër nga lart që të mos preken zyrtarët e lartë, ndonëse nga të gjithë banorët dihet se ata janë pronarët e vërtetë të drogës së sekuestruar.
Fabrika e drogës në mes të qytetit
Magazina ku përpunohej dhe transportohej drogë me tonelata ndodhet vetëm pak metra nga rruga kryesore e qytetit dhe vetëm 2 kilometra nga Rruga e Kombit që lidh gjitha qytetet e Shqipërisë me Kosovën. Flitet se një sasi e madhe droge është trafikuar drejt Kosovës. Para tre ditësh Policia e Kosovës bëri të ditur se ka sekuestruar një sasi të madhe droge të futur nga Shqipëria. Dyshohet se kjo drogë është pjesë e asaj të sekuestruar në fabrikën e Rrëshenit.
Në magazinë u bllokuan plot 7 tonë kanabis i tharë gati për t’u trafikuar, ndërsa policia tha se, sekuestroi 4.2 tonë hashash. Gjithsesi, kjo është sasia më e madhe e kapur për këtë vit në një magazinë të vetme. Ndërsa aksione të ngjashme me 1 apo 2 tonë hashash janë kryer edhe në Vlorë, Burrel, Mamurras, etj.
Kush mund të bënte një biznes kaq të madh dhe të paligjshëm, krejt pranë rrugës kryesore. Një biznes ku lëvroheshin me miliona euro përveçse kreu i Bashkisë në bashkëpunim me drejtuesit e Policisë së Rrëshenit, të cilët për këtë arsye nuk pranuan t’i dërgojnë forcat e policisë në aksion. Tre ditë pas gjetjes së kësaj droge, ajo që dihet është se janë arrestuar 22 persona, punëtorë të thjeshtë, ndërsa 9 gra që u gjetën në magazinë po hetohen në gjendje të lirë. Asgjë nuk thotë policia për pronarët e gjithë kësaj droge.
Policia thotë se ka shpallur në kërkim Kastriot Reçin, i cili është nip i Zef Brozit dhe një biznesmen i njohur në qytetin e vogël. Por pas Reçit qëndrojnë zyrtarët e lartë të policisë dhe vetë kryetari i Bashkisë, ndaj dhe ai nuk arrestohet, pavarësisht se policia thotë se e ka shpallur në kërkim.
Kamionë të ngarkuar me hashash
Banorët tregojnë se kanë parë se si para syve të tyre kalonin furgonë e kamionë të ngarkuar me hashash dhe e shkarkonin në mes të ditës në magazinën e tharjes dhe përpunimit. Për ta përpunuar dhe tharë lëndën narkotike të mbledhur nga parcelat në mbarë zonën, pronari i kësaj magazine kishte punësuar më shumë se 30 punëtorë. Burra, gra, të rinj, madje edhe gra shtatzëna vinin çdo ditë këtu. Punonin disa orë dhe largoheshin sërish vetëm, në këmbë pasi pronari nuk u kishte siguruar atyre transportin. Dhe kjo rutinë kishte muaj që vazhdonte, deri mesditën e të mërkurës, kur policia ndërhyri për shkatërrimin e kësaj veprimtarie të jashtëligjshme.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se personat, të cilët u kapën në flagrancë, duke punuar brenda laboratorit të drogës ishin të gjithë të punësuar prej të paktën një muaji. Sipas dëshmive që kanë dhënë para grupit hetimor ato mësohet të kenë rrëfyer se paguheshin me nga 2 mijë lekë të reja në ditë.
R.POLISI