Ferdinand VELIU
Kandidati i ASHE rezulton fitues në Dibër. Një fitore kjo jashtë çdo logjike të të menduarit. Bandat e tenderave dhe trafikantëve të prostitucionit dhe narkotikëve arritën jo vetëm qëllimin, por e tejkaluan atë, duke e futur shefin e tyre Liderin Global të Surrelit tashmë në një dilemë të madhe, e cila e ka friksuar. Ai nuk pretendoi kurrë pas skandalit pervers të të zgjedhurit të tij Shukri, se mund ta rimerrte ndonjëherë Dibrën, gjithsesi ai këtë punë e la në dorë të bandave, të cilët i kthyen këto zgjedhje në një pazar të madh, ku vota u ble hapur për një thes miell, për 2000 lekë, ku Lalë, Ballë, Ndokë, Sadri, sarahoshë dhe kodoshë të mbrojtur nga individë të dënuar për krime të rënda nën mbrojtjen e Policisë së Shtetit do të zbarkonin në Dibër.
Makineria e krimit të organizuar me përfaqësuesit e saj arriti të kryente një nga ngjarjet më të “lavdishme” të saj në betejat që zhvillon kundër ligjit, demokracisë dhe lirisë së individit. Shqiptarët panë me zë dhe prova sesi tjetërsohej verdikti i qytetarëve. Diku kapej një makinë me thasë me miell, diku blihej vota për 2000 lekë, diku fotografohej vota që tutorët e krimit mosbesues të ishin të sigurtë, diku tjetër policia merrte në mbrojtje bandat etj., etj. I ndodhur përballë këtyre fakteve Edi Rama tashmë e ka të vështirë t’i gëzohet kësaj të ashtuquajture fitore. Si flamur këtyre bëmave u qëndrojnë brekët e ish-kryebashkiakut.
Kjo është “fitorja” që vret më shumë, duke e rrezikuar tashmë seriozisht pushtetin hegjemon që bandat e inicuara prej tij po mbrojnë me çdo çmim.
A pati zgjedhje në Dibër? Kurrsesi jo. Një pazar i pistë prodhoi një rezultat që edhe vetë Kryerilindasi se beson dhe jo më ndërkombëtarët. Edi Rama tashmë është në kërkim të faktorëve që do ta ndihmojnë për të kaluar këtë situatë pa rrugëzgjidhje. Konsumimi i pushtetit asnjëherë nuk rrit rezultatin. Varfëria, papunësia, krimi, trafiku, rënia e fuqisë blerëse nuk i japin kurrë avantazh për të shtuar numrin e votave dhe kjo është dilema më e madhe e tij. Ustallarët e krimit që dërgoi në Dibër bënë një nga gabimet e pafalshme, duke e zëvendësuar nëpërmjet kërcënimit, blerjes, korruptimit dhe premtimit verdiktin e qytetarëve. Sot i vetmi flamur që valvitet në selinë rozë janë brekët e Shukri Xhelilit. Prandaj mbizotëron kaq heshtje. Askush nuk i njeh këto zgjedhje. Opozita jo e jo, por as vetë socialistët e ndershëm.