Pse nuk kapen bosët e 613 kg kokainë

Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, reagoi në një deklaratë për skandalin më të madh të 613 kilogramëve kokainë. Sipas deputetit demokrat viktima dhe të arrestuar janë dy persona, por pronarët e vërtetë as nuk kapen dhe as nuk zbulohen nga policia. Ai lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë dhe kreut të saj Rama për lidhjen me trafikun e drogës duke thënë se qeveria nuk kap dot vëllain e Edi Ramës.
“Sasia më e madhe e drogës së fortë, e kapur ndonjëherë në Shqipëri, 613 kilograme kokainë e pastër, ka përfunduar deri tani jetime dhe, fatkeqësisht, deri në fund të procesit, do të rezultojë jetime. Kjo tregon qartë se ajo ka ardhur në Shqipëri me garanci dhe ka mburojë të fortë politike.
Në duart e drejtësisë si në rastin e Xibrakës, janë vetëm shoferi i kamionit dhe pritësi i ngarkesës me banane, sepse pronarët e vërtetë nuk zbulohen e nuk kapen dot, pasi për ta u kujdes vetë qeveria, sepse qeveria nuk kap dot kupolën, nuk kap dot familjen kryeministrore, nuk kap dot vëllanë e Edi Ramës.
Policia shqiptare, ministri Xhafaj dhe kryeministri Edi Rama, vazhdojnë të fshihen dhe nuk japin llogari, përse pronari në letra Arbër Çekaj u largua nga Shqipëria një ditë përpara se Policia të ndërhynte për bllokimin e kokainës, e cila mbahej prej 9 ditësh në Portin e Durrësit.

Ministri Xhafaj dhe kryeministri Rama vazhdojnë të fshihen dhe nuk japin llogari se pse dhe nga kush u dekonspirua operacioni, si pasojë e të cilit sot droga e kapur nuk ka pronar.
Çfarë frike ka Edi Rama që bëri çdo përpjekje për ta quajtur operacion super të suksesshëm të Policisë një operacion plotësisht të tradhëtuar?!
Edi Rama duhet t’u thotë shqiptarëve se pse gënjeu dhe kush e shtrëngoi të bënte gjithçka për të fshehur faktin që droga u sinjalizua dhe u ndoq deri në destinacion nga DEA dhe Marina kolumbiane.
Edi Rama hesht dhe nuk tregon a ka lidhje me kokainën kolumbiane i vëllai i tij, Olsi Rama, dhe lan duart me shkarkimin e drejtorit të Portit të Durrësit më 24 shkurt, 5 ditë pas mbërritjes në port të kokainës.
Nga destinacioni – Shqipëri, sasia e kokainës- 613 kilogramë dhe vlerës së deklaruar – 180 milionë euro, do të thotë se kokaina ishte e pastër, rreth 300 mijë euro 1 kilogram. Çka do të thotë se, Edi Rama duhet të tregojë ku është laboratori që do të përgatitej kokaina për tregun europian dhe kush fshihet edhe pas laboratorit.
Përfitoj nga rasti t’i them Ulsi Manjës dhe çdo zëdhënësi të qeverisë së kokainës se turp kombëtar është të shndërrosh atdheun në parajsën e drogës dhe të krimit”, tha Flamur Noka.

Artikulli paraprakKapja e 613 kg kokainë, Vasili: Pse nuk heton Prokuroria peshkaqenët, sabotuesit dhe Ramën
Artikulli tjetërNjë maskaradë konkursesh po ndodh në Ministrinë e Arsimit