Pse nuk ndalet rritja e çmimeve në Shqipëri?

Rritja e kostove të prodhimit kryesisht në industrinë nxjerrëse dhe atë përpunuese kanë ndikuar në rritjen e përgjithshme të çmimeve të prodhimit në tremujorin e dytë të vitit.
INSTAT njoftoi dje se, indeksi i çmimeve të prodhimit shënoi një rritje vjetore me 1,6% në krahasim dhe u ul me 0,9% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2017.
Rritjen më të lartë e kanë shënuar çmimet e prodhimit në seksionin “industri nxjerrëse” me 8,2%. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në nxjerrjen e naftës bruto dhe gazit natyror me 12,0%.
Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, çmimet e prodhimit në aktivitetet e industrisë përpunuese kanë shënuar rritje me 1,2%. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetin e metalurgjisë me 5,3%, prodhimi i produkteve kimike me 5,1%, konfeksionimi i veshjeve me 0,6%.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2016, çmimet e prodhimit të produkteve vendase shënuan rritje me 1,9%.
Çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar rritje me 3,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Në tremujorin e dytë 2017 ndryshimi tremujor i indeksit është 0,9%. Çmimet e prodhimit në seksionin “industri nxjerrëse” shënuan ulje me 4,6%, krahasuar me tremujorin e parë 2017. Uljen më të lartë e shënuan çmimet e prodhimit në aktivitetin “nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 6,5%.
Çmimet e prodhimit në seksionin “industria përpunuese” kanë shënuar ulje me 0,3%, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Brenda kësaj industrie vihet re ulje e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetet: konfeksionimi i veshjeve me 0,4%, prodhimi i produkteve ushqimore me 0,1%, prodhimi i produkteve metalike të fabrikuara me 1,4%.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit për produktet vendase arriti 101,2% kundrejt vitit 2010, duke shënuar një ulje me 0,5% krahasuar me tremujorin e parë 2017. Vlen të përmendet ulja e çmimeve të prodhimit të produkteve në seksionet: “industri nxjerrëse” me 3,4% dhe “industri përpunuese” me 0,3%.
Indeksi i Çmimeve të Eksportit arriti 104,6% duke shënuar ulje me 1,4% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Çmimet e prodhimit të produkteve në seksionet: “industri nxjerrëse” dhe “industri përpunuese” kanë shënuar ulje përkatësisht me 5,4% dhe 0,3%.

Artikulli paraprakHuatë me probleme ulen me 400 milionë euro
Artikulli tjetër565 mijë banorë të rrezikuar nga përmbytjet