Disa gazetarë në Shqipëri kanë tentuar të bëjnë pis këngëtarin shqiptar fitues në Festivalin e Sanremos duke shkruar histori nga më të ndyrat dhe absurdet ndaj tij dhe familjes. Po përse duhet bërë pis këngëtari Ermal Meta, një emër që bëri të ndjehen krenarë shqiptarët në të katër anët e Europës në këto kohë kur për shqiptarët flitet vetëm për baronë droge? Absurde të mendosh se sulmet ndaj tij, që është larguar që fëmijë drejt Italisë, nuk vijnë nga vendi ku ai jeton, por nga vendi ku u largua.
Sulmi ndaj tij është një kompleks inatçor, tipik i shqiptarëve të ligj, të cilët duke qenë në krizën e identitetit të tyre mundohen të ndotin edhe suksesin e një këngëtari si Ermal Meta që bëri ta nderojë e gjithë Italia. Kjo zhurmë ndaj tij është e përkohshme dhe do të shuhet shpejt, por ajo që nuk do të mund të na shqitet edhe shumë kohë të tjera është negativiteti që tek ne shqiptarët e këtij vendi ka lindur bashkë me “Njeriun e ri” të socializmit. Pa vrarë ne brenda vetes krijesën monstruoze të “Njeriut të ri” do të vazhdojmë të mbajmë rekorde të tilla që po çudisin këdo, sepse brenda asaj monstre që u eksperimentua për gjysmë shekulli është intriga, shpirtligësia, urrejtja dhe negativiteti dhe që çuditërisht vazhdon të kultivohet edhe sot tek kaviet e djeshme.
Reagimi i këngëtarit
Ermal Meta ka një mesazh për të gjithë mediat dhe gazetarë shqiptarë.Ai kërkon që të mos spekulohet me jetën e tij. ‘Mos spekuloni me jetën time’, shkruan këngëtari shqiptar që fitoi Sanremon.
Ja çfarë shkruan Ermal Meta në Facebook:
Mesazh për të gjithë gazetarët shqiptarë:
Mos spekuloni mbi jetën time, ju nuk dini asgjë nga jeta ime. Kur në atë intervistë përdora fjalën “bastard” nuk thashë asnjë emër.
Mos e shtoni ju atë emër sepse gaboni rëndë jo vetëm me mua por edhe me familjen e personit për të cilin po shkruani ose po flisni.
Kënga që fitoi festivalin e Sanremos është kundër terrorizmit, asgjë më shumë. Shpresoj mos te lexoj më gjëra të tilla.
Faleminderit për vëmendjen.