Pse po grabiten ministrat, “çelësi” 2 mijë dollarë që po hap kasafortat

Vjedhjet e shtëpive të zyrtarëve të lartë të administratës duket se janë trendi më i ri i hajdutëve shqiptarë. Shtëpitë e ministrave, zv.ministrave, si dhe prokurorëve e gjyqtarëve janë vendosur në qendër të goditjes të një grupi të strukturuar kriminal që duket se vepron jo vetëm në Tiranë. Nuk synojnë as bizhuteri dhe as pajisje elektronike, por dinë me saktësi se ku janë të fshehura cash, paratë që vijnë kryesisht nga korrupsioni apo dhe trafiqe të paligjshme. Vetëm para pak ditësh, pre e veprimeve të tyre ranë dy anëtarë të kabinetit Rama, të cilët mbanin të fshehur në banesë një shumë marramendëse prej 8 milionë eurosh të dy bashkë.

Vëzhgimi
Janë njerëz që duket se kanë informacion jo vetëm të brendshëm mbi sasinë e pasurisë që fshihet, kryesisht nëpër kasafortat e personave që targetohen.
“Viktima”, nëse mund të quhet kështu, ruhet për ditë me radhë, mësohet për të gjitha lëvizjet, njerëzit që kanë në shtëpi, hyrje-daljet, madje dhe deri ditët pushim të dadove apo shërbyeseve që mund të kenë.
Vëzhgojnë ambientin përreth për kamera, madje deri tek hyrjet e daljet e komshinjve në rast se banojnë në apartamente. Në një prej këtyre ditëve kur janë të bindur se në banesë nuk ndodhet askush atëherë godasin. Janë tepër të kujdesshëm në veprimet e tyre, përdorin mjete të specializuara që të mos lenë shenja të një bastisjeje me dhunë dhe shumë herë të zotët e shtëpisë e kuptojnë se janë vjedhur disa ditë me vonesë.

Objektivi
Objektiv i vjedhjes së tyre bëhet kushdo që ka të ardhura të mira. Por kryesisht së fundmi janë vënë re bastisje të shtëpive të zyrtarëve të lartë, gjyqtarë e prokurorë, ministra apo dhe persona, të cilët i kanë vënë paratë e tyre në bazë të aktivitetit kriminal dhe jo më kot. Ligji antimafia apo ai i parandalimit të pastrimit të parave, detyron të gjithë këta persona që në rast se depozitojnë paratë në banka, të tregojnë origjinën e tyre. Në rast të kundërt, ata bëhen objekt hetimi nga organet përkatëse. Por edhe në rast vjedhjeje ata nuk bëjnë denoncim, për arsye se një veprim i tillë i nxjerr zbuluar. Është e ditur tashmë, se shumë prej zyrtarëve të lartë të këtij vendi nuk e justifikojnë me rrogën që marrin, jetën luksoze të tyre apo dhe fëmijëve të tyre. Por në rast se struktura të tilla si Parandalimi i Pastrimit të Parave apo dhe Krimi Ekonomik e bëjnë një sy qorr, kjo s’mund të kalojë pa rënë në sy të hajdutëve profesionistë, të cilët në këtë rast duket se kanë sofistikuar dhe mjetet e vjedhjes.
Kemi të bëjmë me një grup kriminal të strukturuar mjaft mirë. Jo vetëm se janë profesionistë në vjedhje, por kanë garanci të plota nga elementë të inkriminuar në polici për ndërmarrjen e akteve të tilla. Fusha në të cilën veprojnë grabitësit i siguron atyre siguri jo të vogël. Kjo për arsyen se ministrat dhe zyrtarët e lartë kanë frikë që të denoncojnë, por edhe kur e bëjnë denoncimin nuk deklarojnë shumën reale të parave që u është grabitur. Kjo për arsyen sepse paratë që vidhen janë para korrupsioni dhe aktivitetesh kriminale. Ato nuk janë të deklaruara dhe kështu ministrat sikurse edhe në rastin e fundit preferojnë më mirë të gënjejnë. Ata reduktojnë shumën e parave që u është grabitur për të mos u bërë objekt hetimesh.

Mbledhja e informacionit
Burime policore bëjnë të ditur se informacionin ata e marrin kudo. Mjafton një çast dobësie i të afërmve të atij që shënjestrohet, shumë herë dhe nga shërbyesit apo edhe nga ata që pajtohen për shërbime të ndryshme, si riparime elektrike, hidraulike etj. Por jo në pak raste, sipas të njëjtave burime janë dhe vetë elementë në Policinë e Shtetit, që kanë rënë në erë të pasurisë së fshehur në banesa dhe preferojnë më mirë bashkëpunimin me elementë kriminalë se nisjen e një hetimi. Duke ditur dhe pozicionin delikat të atij që do të bastiset, çështja thjeshtohet dhe më shumë. Të njëjta burime, shprehen se numri i zyrtarëve është i lartë, por denoncimet janë të pakta. Madje, dhe në rastet kur bëhen denoncime, janë pikërisht strukturat policore ato që mundohen të fshehin informacionin, sidomos kur ka të bëjë me shumën e grabitur…

Vidhet kasaforta e burrit të deputetes
Në janar të këtij viti, pranë stadiumit “Selman Stërmasi” u vodh kasaforta në pronësi të kompanisë së ndërtimit “ALBAVIA”, ku bashkëpronar ishte dhe bashkëshorti i deputetes Mimoza Hafizi. Hajdutët, pasi nuk kishin mundur të hapnin dot kasafortën, e kishin marrë atë me vete për ta hapur diku tjetër. Ka qenë ora 5:00 e mëngjesit dhe ç’është më e habitshmja për të mos rënë në sy kanë preferuar ta marrin me një triçikël që përdoret për të transportuar mobilje të vjetra. Në kasafortë ishin rreth 300 mijë dollarë amerikanë, por policia asokohe u shpreh se ishin marrë vetëm 600 mijë lekë. Sot e kësaj dite autorët e kësaj vjedhjeje nuk janë kapur.

Pajisjet, të njëjtat që përdor policia
Pajisjet që përdoren, për hapjen e dyerve, janë pajisje që përdoren rëndom dhe nga ekspertët e përgjimeve ambientale të shërbimeve sekrete dhe policore. Në, internet mund të gjesh dhe për 145 dollarë amerikanë, por nuk lejohet shitja pa autorizimin e organeve përkatëse si Prokuroria. Një model shumë i përhapur është Southord. Kjo pajisje ka aftësinë të përshtatet me bravën, me anë të një kodi. Pasi e fut në kërkim, pajisja bën të mundur hapjen pa zhurmë të derës. Prodhohet në Australi, por 145 dollarë është vetëm pajisja bazë, me të cilën është e pamundur të hapësh dyer të cilësisë së lartë. Me shtimin e aksesorëve të tjerë, kjo pajisje mendohet se shkon deri në 1500-2000 dollarë. Prodhohet në Australi, por iu shitet personave të autorizuar dhe licencuar, pasi pajisja për çdo hapje lë gjurmën e saj. Në rast se kapesh me një pajisje të tillë për shembull në Australi mund të dënohesh nga 3 deri në shtatë vjet burg.

Enton DACI

Exit mobile version