Pse po hesht Mogerini? Tre vende në BE i kërkojnë të deklarohet kundër ndarjes së Kosovës

Agron BAJRAMI

Pavarësisht zhvillimeve të mëtutjeshme, Kosova do të duhej të jetë në gjendje të përcaktojë vijat e veta të kuqe në raport me dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen finale që ai proces do të mund të prodhojë
Hyrje
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është në fazën e rimendimit. Bashkimi Evropian e sheh procesin si pjesë të rëndësishme për strategjinë e vet të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor; suksesi i dialogut tashmë hapur është vendosur si parakusht i afrimit të Kosovës dhe Serbisë me BE-në. Përparimi i Kosovës është më i ndërlikuar, për shkak të mosnjohjes së Pavarësisë nga pesë vende anëtare të BE-së, derisa Serbia e ka rrugën e anëtarësimit të hapur, nëse e arrin marrëveshjen e plotë për normalizim me Kosovën.
Deri tani, me gjithë faktin se dialogu është shndërruar në kushtin qendror për avancimin e Serbisë dhe Kosovës drejt BE-së, ai mbetet i brishtë – siç dëshmon edhe rasti i vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, në Mitrovicën Veriore. Vetëm disa orë pas krimit, delegacioni serb në Bruksel vendosi të tërhiqet nga takimet që shpresohej se do ta ringjallte dialogun pas më shumë se një viti.
Sidoqoftë, periudha e gjatë pa rezultate të prekshme nga dialogu, e përshkuar me tensionime të shpeshta dhe pa implementim të plotë të marrëveshjeve të arritura, ka nxitur një pajtim mes palëve që dialogu i Brukselit të rimendohet. Ndryshimi i formës dhe i përmbajtjes së dialogut është kërkuar shumë më parë, sidomos në Kosovë, por një gjë e tillë është vendosur të bëhet vetëm pasi është parë që dialogu po ngec kohë të gjatë.

Pritjet në BE ishin që dialogu të ngrihet në nivel të presidentëve, me çka supozohej se do të krijohej një situatë më e favorshme për arritjen e një marrëveshjeje finale për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Nga pala serbe dialogu tashmë është duke u udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq. Në Kosovë ka kohë që Zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përpiqet të marrë drejtimin e dialogut.
Megjithatë, edhe pse çështja e përfaqësimit të palëve ka marrë më shumë vëmendje tek publiku kosovar, thelbësore gjithsesi është forma që do të ketë dialogu në të ardhmen, dhe posaçërisht caku që pritet të vendoset para palëve: përmbajtja e marrëveshjes ligjërisht obliguese. Apo, siç e thotë një zyrtar i një shteti të fuqishëm të BE-së: “Dialogu nuk mund të vazhdojë pa e ditur se çka duhet të ndodhë në fund të tij… një dritë në fund të tunelit është e domosdoshme nëse duam të arrijmë deri atje”.
Rrjedhimisht, pyetja kryesore në këtë moment është se çka, saktë, mund të përmbajë marrëveshja përfundimtare. Deri tani Kosova ka insistuar se dialogu duhet të përmbyllet me njohje mes Kosovës dhe Serbisë. Por Serbia ka insistuar, së paku publikisht, se “kurrë nuk do ta njohë Kosovën e pavarur”.

Loja e Vuçiqit: Dialogu i brendshëm i Serbisë
E ,megjithatë, disa diplomatë dhe vëzhgues besojnë se tashmë ka një lloj lëvizjeje nga pozicioni refuzues serb dhe se presidenti aktual, Vuçiq, është i hapur për “zgjidhje kreative” që mund të çojnë në drejtim të një “marrëveshjeje historike” mes Kosovës dhe Serbisë. Madje, i ashtuquajturi “dialog i brendshëm për Kosovën”, të cilin Vuçiqi e ka nisur si një proces që do të duhej të prodhonte një pozicion të ri dhe konsensual serb rreth Kosovës, shihet si mekanizëm që do t’i mundësojë Serbisë të ndryshojë pozicionin e deritanishëm.
“Besojmë se Vuçiqi është i gatshëm për të lëvizur nga pozicioni i deritanishëm. Ai tashmë ka dhënë sinjale se po përgatitet ta bëjë këtë”, thotë një diplomat evropian.
Në anën tjetër, jo pak vëzhgues dhe njohës të zhvillimeve në Serbi insistojnë se i gjithë dialogu i brendshëm “është një farsë” e inskenuar nga vetë Vuçiqi, me synimin që publikut serb t’i krijohet përshtypja se “presidenti është duke e konsultuar popullin”.
“Vuçiqi tashmë e ka ndarë mendjen se çka do të bëjë… ai vetëm aktron, thuajse pret propozime dhe sugjerime nga dialogu i brendshëm”, thotë një vëzhgues i pavarur nga Beogradi.
Në fakt, disa burime të ndryshme perëndimore e kanë konfirmuar se Vuçiqi ka kohë që ka nisur biseda joformale me qarqe të ndryshme perëndimore, të cilëve po ua prezanton opsionet e pranueshme për të.
Dhe çka është ajo që Vuçiqi e paraqet si koncesion të pranueshëm nga ana e tij?

Sipas një zyrtari të lartë evropian, në bisedime me diplomatët e shteteve perëndimore, Vuçiqi joformalisht po paralajmëron se ai mund ta heqë referencën për Kosovën në Kushtetutën e Serbisë, dhe se eventualisht mund të tërhiqet edhe nga kundërshtimi për anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Derisa nuk është e qartë se çka kërkon saktë si kundërshpërblim për këtë, burimet diplomatike vlerësojnë se Beogradi në përgjithësi nuk do të lëvizë nëse nuk ka zbatim të marrëveshjeve tashmë të arritura, para së gjithash themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Vëzhgues nga Beogradi paralajmërojnë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të mundë të vihet nga Vuçiqi si parakusht për heqjen e referencës për Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë. “Në atë rast Vuçiqi do të mundë të ofronte në pajtim të Serbisë, që Kosova të marrë ulëse në OKB të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare për normalizim”, thotë vëzhguesi.
Sipas diplomatëve, pajtimi i Serbisë me ulësen e Kosovës në OKB do të ishte një “koncesion i madh”. Zyrtarët në disa nga kryeqendrat evropiane besojnë se në rast se Beogradi pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB, atëherë kjo do ta bëjë të pavlefshëm argumentin e kundërshtimit tek disa shtete që nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës, përfshirë pesë shtetet anëtare të BE-së.
Por, siç vërejnë analistë perëndimorë, pengesë për anëtarësimin e Kosovës në OKB është, para së gjithash, Rusia, dhe jo Serbia. “Vetoja ruse në Këshillin e Sigurimit nuk është diç që mund të eliminohet si mundësi nga Serbia… veton ruse mund ta eliminojë si pengesë vetëm Putini”, thotë një analist evropian.
Sipas këtyre burimeve, ofrimi i ulëses në OKB nga Vuçiqi është një karrem të cilin Kosova nuk do të duhej ta gëlltiste.

Ndarja ende në tavolinë?
Megjithatë, javët e fundit, sidomos pas vrasjes së Ivanoviqit, deklaratat zyrtare sikur shpijnë në konkludimin se Serbia, në masën më të madhe, nuk pret që të ketë një marrëveshje me Kosovën. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, së fundi deklaroi se pritjet që ka Bashkimi Evropian se gjatë vitit 2018 do të mundë të arrihet pajtim për zgjidhjen përfundimtare për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë “janë përralla”.
“Skepticizmi im bazohet në realitet, dhe kjo do të thotë se kur dikush flet se duhet të arrihet zgjidhja për Kosovën, ata në Perëndim kryesisht mendojnë që ne duhet ta pranojmë Pavarësinë e Kosovës të shpallur njëanshëm. Nëse këto janë pritjet nga viti 2018, unë me sigurinë e plotë mund të them se këto janë përralla”, ka thënë Daçiqi në një intervistë dhënë Radiotelevizionit të Vojvodinës.
Daçiqi i ka quajtur “përralla” edhe deklarimet se Serbia do të mundë t’i hapë rrugë Kosovës për në OKB. “Vendimi i anëtarëve të përhershme të Këshillit të Sigurimit, në fund, do të varet nga Serbia, ndërsa Rusia dhe Kina do të respektojnë vendimin e Serbisë”, ka thënë Daçiqi, duke qartësuar se: “Që ne ti sugjerojmë Rusisë që ta lejojë Kosovën në OKB dhe të votojë për një gjë të tillë… kjo nuk është as përrallë, është fatamorgan”.

Një pozicionim i tillë nga Beogradi vjen në kohën kur Bashkimi Evropian përgatit strategjinë e re për zgjerim në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila, në fakt, Serbinë e sheh si të parën nga shtetet e rajonit në rendin për anëtarësim. Për më tepër, Serbia dhe Mali i Zi janë dy vendet e vetme për të cilat Komisioni Evropian ka dhënë një datë indikative kur do të mundë të anëtarësohen në BE: Vitin 2025.
Pra, derisa Brukseli i ofron Serbisë rrugën e qartë për anëtarësim në BE, me kushtin që me Kosovën të arrijë një “marrëveshje gjithëpërfshirëse normalizimi në formën e një dokumenti ligjërisht obligues”, që nuk nënkupton njohjen e Pavarësisë së Kosovës, Beogradi reziston duke paralajmëruar se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi në afatet e përcaktuara nga BE-ja “është joreale”.
Po çka, atëherë, është reale, sipas Beogradit?
Nëse do të kërkonim përgjigje nga Daçiqi, ai tashmë e ka thënë disa herë, publikisht: “Po përpiqem të propozoj një zgjidhje afatgjatë që bazohet në kompromisin e së drejtës historike dhe asaj etnike, që nënkupton caktimin e kufijve të asaj që është serbe dhe asaj që është shqiptare”.
Dhe, derisa Vuçiqi publikisht nuk e ka përkrahur këtë ide, ai as nuk e ka kundërshtuar, derisa Daçiqi ka folur gjerësisht për këtë shpeshherë, duke elaboruar se ndarja apo shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte “zgjidhja e vetme reale afatgjate”.

Sidoqoftë, indikative në gjithë këtë zhvillim nuk është fakti se Daçiqi ka folur për një zgjidhje të tillë për “normalizimin e marrëshënieve, por është fakti se pakkush ka reaguar ndaj deklarimeve të tilla të Daçiqit, të cilat, megjithatë, janë në kundërshtim direkt të qëndrimeve bazë të BE-së dhe Perëndimit në Ballkanin Perëndimor kundër ndryshimit të kufijve dhe kundër ndarjeve në vija etnike.
Në fakt, sipas burimeve diplomatike dhe analistëve të pavarur, në takime joformale me zyrtarë të zgjedhur dhe disa personalitete me ndikim në Perëndim, edhe vetë presidenti serb Vuçiq e ka diskutuar mundësinë e ndarjes së Kosovës apo shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës si një zgjidhje që mund të jetë e pranueshme për Beogradin.
Sipas një zyrtari të një shteti evropian, problem nuk është që kohë pas kohe Serbia po e lanson këtë ide. “Problemi është se shohim një pasivitet tek Zyra e Mogherinit, as nuk ka vendosur vija të kuqe për tema të tilla, as nuk reagon fare kur këto gjëra thuhen… ndërsa shohim edhe një heshtje domethënëse tek disa në Prishtinë, po ashtu”.
Sipas burimeve, janë së paku tri shtete të BE-së që e kanë ngritur këtë çështje me Zyrën e Mogherinit, duke insistuar se BE-ja duhet të ketë një kufi të qartë përtej të cilit nuk shkohet.“Dhe ndarja e Kosovës, apo shkëmbimi i territoreve, apo ndryshimi i kufijve, nuk janë të pranueshme.

Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga një analist i pavarur evropian, i cili tha se palëve tashmë u është tërhequr vërejtja se ndarja apo shkëmbimi i territoreve nuk mund të diskutohet. “Sigurisht, në kryeqytetet evropiane janë të vetëdijshëm se një gjë e tillë do të ndikonte rëndë në gjithë rajonin, para së gjithash, në Bosnjë-Hercegovinë, dhe do të ishte në kundërshtim me gjithçka që kemi bërë në këta 25 vjetët e fundit në Ballkan… andaj dhe ka që janë të vendosur se kjo duhet hedhur poshtë, pa asnjë dilemë”.
Megjithatë, duhet pasur shumë vëmendje ndaj zhvillimeve në të ardhmen e afërt, kur në Serbi pritet të përmbyllet i ashtuquajturi “dialog i brendshëm”. Derisa njohësit e rrethanave në Serbi përgjithësisht pajtohen se “dialogu i brendshëm i Vuçiqit” është sajuar për t’i krijuar presidentit serb alibi për çfarëdo vendimi që ai do ta marrë në raport me Kosovën, zhvillimet e fundit pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit sikur paralajmërojnë se jo gjithçka mund të kalojë qetë, ndërsa pasojat gjithsesi do të ndihen edhe në Kosovë.
Dhe një nga rrethanat që duhet marrë parasysh te vrasja e Oliver Ivanoviqit, sipas një burimi të afërt me Qeverinë e Kosovës, është se i vrari ka qenë “kundërshtari ndoshta më i madh dhe më kredibil i ndarjes së Kosovës” te serbët kosovarë. “Rrjedhimisht, mënjanimi i Ivanoviqit, përveçse ka krijuar tensione në Kosovë dhe i ka dhënë arsye Beogradit sërish për të ndërprerë dialogun, po ashtu ka mbjellë frikën te serbët e Kosovës, si dhe e ka kthyer ndarjen si opsion”.

Kosova në kaos
Por Kosova nuk duket mirë e mbrojtur ndaj këtyre kërcënimeve. Derisa brenda BE-së tashmë janë alarmuar me zhvillimet e fundit në Kosovë, Serbi dhe me dialogun e Brukselit, vetë Prishtina nuk duket se e vëren kontekstin skajshmërisht të pafavorshëm për Kosovën në të cilin ndodhin lëvizjet e Vuçiqit dhe Serbisë.
Kështu, derisa BE-ja përgatit strategjinë e re për zgjerim në Ballkanin Perëndimor, e cila do të përcaktojë ritmin e integrimit evropian për shumë vjet të ardhshëm, dhe Serbia përpiqet që përmes lojërave të ndryshme dhe balancimit mes Perëndimit dhe Rusisë vetes t’i sigurojë pozicione sa më të favorshme përballë Brukselit, në Kosovë vazhdon të mbretërojë një kaos politik. Vendi nuk ka një qëndrim konsensual ndaj pothuajse asnjë çështjeje me rëndësi fondamentale, përfshirë dialogun dhe rezultatin e tij përfundimtar. Partitë e ndryshme kanë qasje të kundërta rreth procesit, prej atyre që e përkrahin pjesëmarrjen në të si një proces që “nuk ka alternativë”, e deri te ata që e kundërshtojnë dialogun aktual me çdo kusht.
Por mungesa e konsensusit rreth dialogut tani nuk duket të jetë problemi më i madh i Kosovës. Që nga dhjetori i vitit 2017 vendi është zhytur në një krizë edhe më të thellë politike; iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ka lëkundur raportet me përkrahësit më të mëdhenj të shtetësisë së Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në anën tjetër, përpjekjet e fundit për të zhbërë Gjykatën Speciale përveçse e kanë thelluar krizën politike në vend (të nisur me kontestin rreth demarkacionit me Malin e Zi), i kanë përkeqësuar raportet me shtetet kryesore perëndimore, që përgjithësisht konsiderohen të jenë përkrahësit më të mëdhenj të Pavarësisë së Kosovës.
Në rrethana të tilla, me një BE edhe ashtu më shumë të interesuar për të afruar pranë vetes Serbinë, ftohje të raporteve mes Kosovës dhe shteteve të Quintit, dhe mungesë të çfarëdo konsensusi të brendshëm politik dhe shoqëror, është e qartë se Kosova ka një pozicion shumë më të dobët edhe në dialog.
Por, derisa tashmë është dëshmuar e vështirë nëse jo e pamundshme që të arrihet konsensus rreth çështjeve strategjike, si demarkacioni me Malin e Zi apo (sh)fuqizimi i Gjykatës Speciale, në rastin e dialogut, mundësia që Kosova të gjejë një pozicion konsensual, së paku në raport me synimet e Serbisë, do të duhej të ishte e arritshme.

Vijat e kuqe
Pavarësisht zhvillimeve të mëtutjeshme, Kosova do të duhej të jetë në gjendje të përcaktojë vijat e veta të kuqe në raport me dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen finale që ai proces do të mund të prodhojë.
Për më tepër, analiza tregon se nuk do të ishte e paarritshme edhe që Kosova në dialog të paraqitet me një pozicion i tëri konsensual, i cili njëkohësisht do të ishte edhe në vijën e parimeve fondamentale evropiane, dhe i përkrahur nga disa shtete të fuqishme perëndimore, të cilat tashmë kanë shfaqur vërejtjet e veta për procesin e Brukselit.
Një gjë e tillë – që pozicioni i Kosovës të jetë parimisht i përkrahur nga vende të mëdha perëndimore – do të ndihmonte edhe në shtimin e presionit ndaj BE-së për të mbajtur procesin brenda kufijve të zgjidhjeve evropiane.
Kështu, vijat e kuqe kosovare do të mundë të përfshinin parime si këto:
– Sikur të gjithë kufijtë në rajon, ashtu edhe ata të Kosovës janë të pacenueshëm. Kosova nuk pranon bisedime që lejojnë mundësinë e ndryshimit të kufijve.
– Territori i Kosovës është një dhe i pandashëm. Si i tillë, ai nuk mund të qeveriset nga askush tjetër përveç institucioneve demokratike të Kosovës, të zgjedhura nga populli i Kosovës, me mandatin e caktuar nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.
– Dialogu i Brukselit është qenësor për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin. Kosova është e përkushtuar për pjesëmarrje në këtë proces si mjet për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë përmes një marrëveshjeje, e cila nuk mund të jetë në kundërshtim me parimet, standardet, normat dhe praktikat evropiane.

Rekomandimet për institucionet e Kosovës, Qeverinë dhe partitë politike
– Kundër ndarjes: Qeveria e Kosovës është e obliguar nga Kushtetuta e Kosovës që të kundërshtojë mundësinë e ndarjes së Kosovës, apo shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Rrjedhimisht, është obligim i Qeverisë, por edhe i Kuvendit, i presidentit dhe i institucioneve të tjera të shtetit, që publikisht të kundërshtojnë idetë e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve, pa marrë parasysh prej kujt vijnë.
– Mandati i ri për dialog: Institucionet e Kosovës do të duhej urgjentisht të hapnin diskutimin që do të shpinte drejt vendosjes së një mandati të ri për pjesëmarrje në dialogun e Brukselit. Rezoluta e re parlamentare është e nevojshme për t;i dhënë mandate ekipit të Kosovës për të negociuar atë që në dokumentet e BE-së po quhet “Marrëveshje gjithëpërfshirëse normalizimi në formën e një dokumenti ligjërisht obligues”. Përsëritja e gabimit që është bërë në negociatat e deritanishme, ku përfaqësuesit e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje pa konsensus paraprak politik parlamentar, mund të sjellë pasoja edhe më të rënda se që ishte kriza politike e shkaktuar nga Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi dhe Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
– Kërkimi i konsensusit: Edhe pse rrethanat aktuale nuk lënë vend për shpresa të mëdha, institucionet, partitë politike, po edhe shoqëria kosovare nuk duhet të heqin dorë nga ideja e arritjes së një uniteti nacional për çështje me rëndësi themelore për shtetin. Kërkimi i konsensusit duhet të jetë prioritet në agjendën e secilit institucion të vendit, para së gjithash, Parlamentit.
– Qeveria e Kosovës duhet ta vendosë si prioritet të vet adresimin e obligimeve që burojnë nga dialogu. Marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen nëse janë konform ligjeve, ose duhet të modifikohen për të qenë në përputhje me ligjet e Kosovës. Zvarritja e zbatimit në çdo rast jep argumente në favor të Serbisë.

Rekomandimet për Bashkimin Evropian
– Parimet e reja për dialog: Bashkimi Evropian, apo më saktësisht Shërbimi i Jashtëm i BE-së, duhet të dalë publikisht me parimet mbi të cilat mund të lehtësojë dialogun Kosovë-Serbi. Këto parime nuk mund të jenë në kundërshtim me standardet e BE-së.
– BE-ja, qartë dhe hapur kundër ndarjes: Zyra e Mogherinit duhet të dalë qartë dhe publikisht kundër çdo ideje për ndarje apo shkëmbim territoresh, pa marrë parasysh prej kujt vijnë këto. Tolerimi i diskursit të ndarjes etnike vetëm sa do të thellojë mosbesimin jo vetëm mes palëve, por edhe ndaj BE-së, ndërsa ndarja në vetvete nuk është zgjidhje, por thjesht një prolongim i konfliktit.
– Trajtimi i barabartë i palëve: Ndërmjetësi mund të ketë sukses vetëm nëse palët i trajton në mënyrë të barabartë. Zyra e Mogherinit do të duhej të tregonte përkushtim të njëjtë për avancimin e Kosovës drejt BE-së, sikur që ka për Serbinë.
– Roli i BE-së: Në fazën e re, të fundit të dialogut, BE-ja do të duhej të ketë një rol më të qartë të definuar, që tejkalon pozicionin komod të lehtësuesit, i cili nuk merr përgjegjësi për asgjë nga procesi. Një diskutim i hapur për rolin e ri të BE-së është i nevojshëm.

Analiza është e punuar për Grupin për Studime Juridike dhe Politike

Exit mobile version