Pse policia fshehu largimin e Qifes nga vendi i aksidentit

Në dosjen e dorëzuar në Prokurori nga policia nuk figuron asnjë material për ikjen e Qifes nga vendi i krimit. Përse është bërë kjo? Është e qartë për të shpëtuar deputetin mik të Ramës dhe kapur në trafiqe

Mund të jetë një bast unikal kur policia me urdhër të shefit në qeveri bëhet pjesë në një krim si në rastin e aksidentit të dy ditëve më parë

Policia e kapur dhe në shërbim të plotë të Ramës nuk ka referuar në Prokurori krimin tjetër të deputetit Aqif Rakipi, atë të ikjes nga vendi ku kreu aksidentin tragjik që i mori jetën qytetarit. Në dosjen e dorëzuar në Prokurori nga policia nuk figuron asnjë material për ikjen e Qifes nga vendi i krimit. Përse është bërë kjo? Është e qartë për të shpëtuar deputetin mik të Ramës dhe kapur në trafiqe. Mund të jetë një bast unikal kur policia me urdhër të shefit në qeveri bëhet pjesë në një krim si në rastin e aksidentit të dy ditëve më parë.
Prokuroria ka ngritur dy akuza ndaj deputetit të PDIU, Aqif Rakipi, në lidhje me aksidentin e ndodhur tri ditë më parë, ku humbi jetën një 54-vjeçar. Akuzat e ngritura ndaj deputetit që po hetohet në gjendje të lirë, janë “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largim nga vendi i aksidentit”.
Kjo akuzë e fundit mësohet se është shtuar e formuluar nga Prokuroria pas analizimit të provave e rrethanave të ngjarjes, edhe pse rezulton se policia nuk e ka referuar çështjen për një vepër të tillë.
“Më datë 12.08.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Tiranë për shtetasin Aqif Rakipi, 53 vjeç, banues në Tiranë, pasi në autostradën Tiranë-Durrës, duke drejtuar mjetin tip ‘Benz’, ka aksidentuar për vdekje këmbësorin Sait Sorra, 54 vjeç, banues në fshatin Kashar. Neni 290 i Kodit Penal”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë, publikuar ditën e djeshme.
Siç duket nga kjo komunikatë, policia e ka referuar në Prokurori çështjen e deputetit vetëm për një vepër penale, që është ajo e parashikuar nga neni 290. Ky nen në Kodin Penal parashikon veprën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Sipas paragrafit të dytë të këtij neni, “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar vdekjen e një personi, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet”.
Nga ana tjetër, deputeti i PDIU, po hetohet nga Prokuroria edhe për akuzën e largimit nga vendi i aksidentit. Kjo vepër penale parashikohet nga neni 273 i Kodit Penal ku thuhet: Largimi nga vendi i aksidentit, i drejtuesit të automjetit apo të çdo mjeti të motorizuar, për t’u shmangur nga përgjegjësia penale, civile apo administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Reagimi i PD

Neni 273 i Kodit Penal, i cili është në fuqi edhe për miqtë e Edi Ramës, dikton se Aqif Rakipi mban përgjegjësi edhe për largim nga vendi i aksidentit, përgjegjësi që në vetvete dënohet deri në 1 vit burgim.
Mbarë opinioni publik është i revoltuar se si gjithë shteti është vënë deri tani në shërbim të deputetit mik të Ramës, dhe në kurriz të viktimës. Gjithçka për ta paraqitur viktimën fajtor të aksidentit dhe fajtorin viktimë.
Largimi nga vendngjarja pas përplasjes për vdekje të Seit Sorrës, përveçse akt burracak i deputetit Rakipi, është edhe vepër e pastër penale që e rëndon pozitën e tij para ligjit.
Por miku i kryeministrit po përfiton nga Edi Rama, i cili është në vijim të qendrimeve të tij të njohura, pranë krimit e larg qytetarëve. Për më tepër, që deputeti Rakipi njihet si pikë kyçe e ndërlidhjes së Edi Ramës me trafiqet.
Partia Demokratike i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm dhe Kreut të Parlamentit të nisin urgjent procedurat e heqjes së imunitetit të deputetit Rakipi, dhe një hetim të plotë dhe të pandikuar të ngjarjes, në mënyrë që të ketë drejtësi për viktimën.
Kushërinjtë e viktimës, dëshmitarë okularë, rrëfejnë se deputeti, mik i Ramës, Aqif Rakipi, sapo ka përplasur për vdekje Seitin, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Ata thonë se deputeti Rakipi, iku pa u ndalur fare, sikur donte të fshihte diçka. Largimi i tillë nga vendi i ngjarjes është kriminal dhe i thellon përmasat kriminale të ngjarjes.
Çfarë po fshihte deputeti mik i Ramës? A ishte ai në gjendje të intoksikuar nga alkooli apo substanca të tjera?
Çfarë kishte në makinë miku i Ramës, i cili nuk donte që policia ta gjente makinën në vendngjarje e ta kontrollonte?
Dhe më e pakta, pse një i zgjedhur, një deputet, nuk kujdeset për viktimën, nuk i ofron ndihmën e parë, por ikën me shpejtësi pa u ndalur menjëhere, pasi ka përplasur për vdekje një njeri?
Nxitimi i policisë dhe organeve ligjzbatuese për të shpallur fajtor viktimën e për të nxjerrë viktimë fajtorin vetëm pse është mik i Edi Ramës, është skandaloz, është revoltues, është poshtërues.
Partia Demokratike paralajmëron këdo person që po favorizon mikun e Ramës në kurriz të viktimës, se çdokush që shkel ligjin do të mbajë përgjegjësi.

Vendimi qesharak i Prokurorisë

Pokuroria ka urdhëruar lirimin e deputetit  Aqif Rakipi, i cili aksidentoi për vdekje një 54-vjeçar gjatë orëve të para të së shtunës. Vendimi u mor pas kryerjes së ekspertizës në vendngjarje dhe analizimit të dinamikës së aksidentit, nga e cila rezulton se fajtor është viktima.

Sipas Prokurorisë, deputetit i’u pre rruga menjëherë nga viktima dhe nuk kishte mundësi të reagonte për të frenuar. Sipas urdhrit të Prokurorisë, deputeti do të hetohet në gjendje të lirë për largim nga vendi i aksidentit dhe shkelje të rregullave të qarkullimit.

Deputeti shtoi shpejtësinë pas aksidentit

Shoferi deputet që përplasi të afërmin e tyre, në vend që të ndalonte e t’i jepte ndihmën e parë personit që aksidentoi, e shtoi edhe më shumë shpejtësinë e u largua nga vendi i ngjarjes.

Dëshmitarë të aksidentit tragjik të orëve të para të mëngjesit të djeshëm, që u shkaktua nga deputeti Aqif Rakipi, kanë qenë edhe dy kushërinjtë e viktimës, të cilët punonin bashkë me të në Tregun Agroushqimor në autostradë.

Ata kanë parë të gjithë skenën e ngjarjes, edhe pse nuk pranojnë të japin shumë detaje, pasi siç shprehen ata, po presin që të japë një version zyrtar Policia e Prokuroria.

Megjithatë, ata konfirmojnë se shoferi që përplasi të afërmin e tyre, në vend që të ndalonte e t’i jepte ndihmën e parë personit që aksidentoi, e shtoi edhe më shumë shpejtësinë e u largua nga vendi i ngjarjes.

“Ne pamë gjithçka sepse aty ishim, po shkonim te tregu. Nuk e aksidentoi Saitin, por e masakroi me makinë. E megjithatë as nuk e mori mundimin të ndalonte. Madje e shtoi edhe më shumë shpejtësinë, duke u larguar nga vendi i ngjarjes”, shprehen dëshmitarët.

Ndërsa një familjar i viktimës shkon edhe më tej, duke hedhur dyshime se deputeti mund të jetë larguar edhe për të fshehur diçka, shkruan ‘Panorama’ sot.

“Policia thotë që nuk ishte i pirë, megjithëse jam i bindur që ka qenë i dehur. Por largimi i tij në atë mënyrë nga vendi i ngjarjes nuk lidhet vetëm me këtë.

Me siguri ai ka dashur të fshehë diçka. Nuk më bindin fare justifikimet e tij që iku për t’u dorëzuar në Polici. Këto janë justifikime”, shprehet ai.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërOsmani: “Synojmë titullin kampion”