Policia ka ndërprerë aksionet e kërkimit për “Eskobarin e Ballkanit”, ndërsa Prokuroria për Krime të Rënda në bazë të ligjit “Antimafia” ka nisur hetimin pasuror për rreth 40 pjesëtarë të familjes së Klemend Balilit. Bëhet e ditur se, krahas hetimit penal për Balilin, Prokuroria tashmë ka nisur hetimin pasuror ndaj tij dhe pjesëtarëve të afërm të familjes. Burimet thonë se, veç Klemend Balilit, Prokuroria ka zgjeruar rrethin e personave që po hetohen në bazë të ligjit “Antimafia”, duke futur në sitën e verifikimit edhe pjesëtarë të tjerë të familjes së tij.
Sipas akuzës, janë rreth 40 persona pasuria e të cilëve po verifikohet nga Prokuroria për Krime të Rënda. Këta të fundit, thonë burimet, i janë drejtuar me shkresë zyrtare, Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke kërkuar evidentimin në mënyrë analitike për të gjithë pasuritë e këtyre individëve. Veç Hipotekës, shkresat janë nisur edhe në adresë të të gjitha bankave të nivelit të dytë për të verifikuar llogaritë bankare. Si dhe pranë Qendrës së Kombëtare të Bizneseve, për aktivitetet tregtare që këta individë kanë të regjistruar në emër të tyre.
Burimet thonë se, disa nga bankat e nivelit të dytë kanë kthyer përgjigje për disa nga këta persona, por nuk jepen detaje për llogaritë bankare dhe shumat që kanë në dispozicion. Ndërsa për Klemend Balilin i cilësuar si “Eskobari i Ballkanit”, burimet thonë se, përgjigjet kanë ardhur thuajse nga të gjitha institucionet, ku rezulton se nuk ka pasuri të regjistruar në emër të tij apo edhe llogari të majme bankare. Ai rezulton se ka në emër të tij vetëm një banesë në fshatin Stjar të Delvinës dhe një llogari bankare, ku merrte edhe rrogën e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Transportit në Sarandë.
Ndërkohë, sipas dosjes hetimore, Klemend Balili dyshohet se është një nga organizatorët e rrjetit të trafikut të drogës, që për dy vite ka trafikuar në të gjithë vendet e BE-së rreth 3.8 ton hashash dhe 84 kg kokainë. Sipas dokumentave, sasi të mëdha marijuane niseshin nga zona e Sarandës në Shqipëri me det për mbi 100 kilometra deri në Gjirin e Korinthit në Greqinë Qendrore, nga ku dërgoheshin në vendet e Bashkimit Europian, duke përdorur kompani false transporti. Në Belgjikë, autoritetet zbuluan hallkën belge të drejtuar nga një shqiptar, i dyshuar dhe hetuar pa sukses më herët nga Prokuroria shqiptare për pastrim parash.
Media greke raportoi atëherë se kreu i organizatës kriminale ishte një zyrtar shqiptar, drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Sarandë, por ky rezultonte figurë tepër e fuqishme dhe nuk arrestohej për shkak të lidhjeve të tij me qeverinë shqiptare. Autoritetet shqiptare heshtën, duke mos marrë asnjë masë për arrestimin e Balilit, ndonëse ai ishte në detyrë si drejtor i Transportit Rrugor në Sarandë.
Jo vetëm kaq, por Ministria e Brendshme u përpoq të mbrojë veten, duke përgënjeshtruar lajmet e medias greke dhe duke argumentuar se kishte bashkëpunuar me operacionin ndërkombëtar, por sërish heshti në lidhje me Balilin. Përgjatë të gjithë ditës së 11 majit, ndërsa media greke raportonte mosveprimin e autoriteteve shqiptare për arrestimin e tij, ndërsa autoritetet shqiptare u vunë në mbrojtje të tij.
Ndonëse po mbushet një vit nga shpallja në kërkim, Klemend Balili vazhdon të jetë i lirë. Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Balilin, ndërsa policia ka ndërprerë aksionet e kërkimit për “Eskobarin e Ballkanit”.
Prona e Balilit përplas PS dhe LSI në Butrint, zona rrethohet me autoblinda
Një pronë e familjes së “Eskobarit të Ballkanit”, Klemend Balili ka përplasur dy ministri, përkatësisht të PS dhe LSI, në Lagunën e Vivarit në Butrint. Bëhet fjalë për një godinë dhe një sipërfaqe toke që administrohen prej 5 vitesh nga kompania “Balili Security Shpk”. Me një vendim të Ministrisë së Mjedisit në 2012 dhe autorizim të Ministrisë së Ekonomisë, kjo sipërfaqe i ka kaluar me kontratë qiraje 10-vjeçare kompanisë së Hektor Balilit, vëllait të Kelmend Balilit, me qëllim ushtrimin e aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës.
Mes Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Mjedisit, ka pasur një debat që ka zgjatur rreth 2 orë, mbi vendimin e marrë nga dy ministritë e linjës në vitin 2012. Të dyja palët kanë deklaruar se kishin mbërritur në lagunë me urdhër të titullarëve të dy ministrive.
Një përfaqësues i Ministrisë aktuale të Ekonomisë ka mbërritur në këtë objekt i shoqëruar nga policia dhe ka kërkuar lirimin e objektit, pasi sipas tij ka një vendim gjykate, që kjo pronë t’i kalojë në administrim një tjetër qiramarrësi.
Disa autoblinda policie janë parë të mbërrijnë së bashku me drejtorin e Shërbimeve Juridike të Ministrisë së Ekonomisë, Fatmir Hoxha. Në objekt ata kanë gjetur përfaqësuesin e Ministrisë së Bujqësisë, si institucioni që ka lidhur kontratën me kompaninë e Balilajve.
Nga ana e saj, Ministria e Ekonomisë kërkon dorëzimin e objektit, ndërsa Ministria e Bujqësisë pretendon se po shkelet në mënyrë të paligjshme kontrata 10-vjeçare e qirasë që është nënshkruar në vitin 2012 me “Balili Security shpk”.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë ka këmbëngulur që prishja e kontratës bëhet vetëm me vendim gjykate dhe ekzekutimi kryhet përmes Përmbarimit.
Forcat e policisë kanë qëndruar në objekt në gatishmëri për të ndërhyrë, pa praninë e Zyrës së Përmbarimit. Të dy përfaqësuesit e ministrive nënshkruan një procesverbal ku pasqyronin zhvillimin e situatës. Forca të rendit u larguan pa qenë nevoja të ndërhyjnë.
R.POLISI