Pse policia nuk ka vënë asnjë shpërblim për kapjen e Balilit

Duket qartë se policia nuk është e interesuar për të vënë në pranga Klement Balilin. Nëse policia e Tahirit do ta kishte seriozisht arrestimin e “Eskobarit të Ballkanit”, atëhere do të kishte vepruar ashtu si në rastet më të rëndomta kur ka vënë në dispozicion një shumë parash për cilindo që informon për vendndodhjen e të kërkuarit, duke ruajtur anonimatin e atij që njofton policinë. Policia ka vënë në dispozicion shuma të mëdha parash deri në 50 milionë lekë për rastet më ordinere për persona në kërkim, ndërsa për një të shpallur në kërkim ndërkombëtar, siç është Klement Balili nuk jepet asnjë shpërblim për atë që informon për vendndodhjen e tij. Ky fakt tregon më së miri se, Rama dhe Tahiri nuk duan ta arrestojnë Balilin.
Tahiri bën show duke deklaruar se policia është vënë në kërkim të tij, ndërsa vetë oficerët njoftojnë “Eskobarin e Ballkanit” për çdo lëvizje të policisë. Që në 17 maj të këtij viti, ka patur një urdhër arresti për Klement Balilin, por policia nuk ka ndërhyrë për ta arrestuar. Balili është shfaqur publikisht me dhjetëra herë në lokale e dasma, madje bënte xhiro me jaht në shoqërinë e efektivëve të Policisë në Sarandë, ndërsa policia bën sikur nuk e shikon. Balili ka mbrojtjen e Ramës dhe të Tahirit ndaj dhe policia nuk guxon ta arrestojë.
Rama dhe Tahiri e marrin në mbrojtje Balilin, sepse kanë interesa të përbashkëta me të. Klement Balili ka qenë i arrestuar për trafik droge në kohën e qeverisë demokratike, ndërsa Rama e emëroi drejtor të Transportit Rrugor në Sarandë, për të trafikuar lehtësisht drogë në vendet e Bashkimit Europian.
Vetëm gjatë kohës që Balili ishte drejtor i Transportit Rrugor ka trafikuar tonelata droge drejt vendeve të Bashkimit Europian. Në fillim të majit, Policia greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane kreu një operacion masiv, duke konfiskuar më shumë se 1 ton drogë dhe duke arrestuar një numër të konsiderueshëm trafikantësh, si pjesë e një hetimi ndërkombëtar të shtrirë në shumë vende. Sipas dokumentave, sasi të mëdha marijuane niseshin nga zona e Sarandës në Shqipëri me det për mbi 100 kilometra deri në gjirin e Korinthit në Greqinë Qendrore, nga ku dërgoheshin në vendet e Bashkimit Europian, duke përdorur kompani false transporti. Në Belgjikë, autoritetet zbuluan hallkën belge të drejtuar nga një shqiptar, i dyshuar dhe hetuar pa sukses më herët nga Prokuroria shqiptare për pastrim parash.
Media greke raportoi atëherë se kreu i organizatës kriminale ishte një zyrtar shqiptar, drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Sarandë, por ky rezultonte figurë tepër e fuqishme dhe nuk arrestohej për shkak të lidhjeve të tij me qeverinë shqiptare. Autoritetet shqiptare heshtën, duke mos marrë asnjë masë për arrestimin e Balilit, ndonëse ai ishte në detyrë si drejtor i Transportit Rrugor në Sarandë.
Jo vetëm kaq, por Ministria e Brendshme u përpoq të mbrojë veten, duke përgënjeshtruar lajmet e medias greke dhe duke argumentuar se kishte bashkëpunuar me operacionin ndërkombëtar, por sërish heshti në lidhje me Balilin. Përgjatë të gjithë ditës së 11 majit, ndërsa media greke raportonte mosveprimin e autoriteteve shqiptare për arrestimin e tij, ndërsa autoritetet shqiptare u vunë në mbrojtje të tij.
Ndonëse kanë kaluar 8 muaj nga shpallja në kërkim, Klement Balili vazhdon të jetë i lirë. Madje në media është shkruajtur se ai ka udhëtuar në Dubai me një ministër gjatë kësaj kohe që ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Zbulohen pronat e Balilit, restorante, karburante, hotele e agjenci udhëtimesh

Klement Balili është pronar i disa bizneseve në Sarandë, të cilat po hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për si objekt i ligjit Antimafia. Rezulton se bizneset e “Eskobarit të Ballkanit”, e kanë shtrirë aktivitetin në shumë fusha.
Konkretisht në 18 janar 2010, ai ka regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Bizneseve hapjen e një restoranti, respektivisht në Ksamil shumë pranë rrugës nacionale “Sarandë-Butrint” në një godinë 3 katëshe, afërsisht 18 kilometra pranë Parkut Kombëtar të Butrintit. Balili është pronari i vetëm i këtij restoranti, fakt që del për herë të parë. Ky biznes figuron ende në pronësi të Balilit dhe ndryshe nga sa është përfolur në media, ndaj tij nuk figuron asnjë vendim për sekuestro.
Biznesi i dytë i regjistruar po në emrin e tij është firma “Montana”, e cila ka në fokus kryesor të veprimtarisë së saj tregtinë me shumicë dhe pakicë të karburanteve, lëndëve djegëse dhe nënprodukteve të tyre. Pranë QKR-së, Balili ka regjistruar të drejtën e kësaj kompanie edhe për të organizuar transport ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave të tyre, thënë ndryshe, një agjenci të mirëfilltë udhëtarësh.
Klement Balili është gjithashtu 100% aksioner i kësaj kompanie, e cila është themeluar në 30 qershor 2008 dhe ka regjistruar aktivitetin deri në 30 qershor të vitit 2058. Klement Balili është pronar i kompleksit turistik “Santa Quaranta”. Ky kompleks është ndër më luksozët dhe më modernët në bregdetin e Sarandës dhe më gjerë. Balili, ndërkohë është edhe pronar i hotel “Olivias” në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës. Po ashtu është pronar i hotel “Butrinti” në Sarandë. Së bashku me vëllezërit e tij, Klement Balili është pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në Qarkun e Vlorës.
Prej kohës kur ndaj “Eskobarit të Ballkanit” është lëshuar një urdhër arresti, ai ka nxituar të pezullojë aktivitetin e kompanive të tij, ndoshta në tentativë për t’i shpëtuar një sekuestroje të mundshme. Dhe ia ka arritur sepse zyrtarisht këto prona nuk janë prekur ende nga efektet e ligjit Antimafia.

R.POLISI

Exit mobile version