Kryeministri Edi Rama flet mbrëmjen e sotme në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24. Në nisje të intervistës, kryeministri Edi Rama u ndal te kërkesa e tij për përjashtimin e kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli, nga fushata e 25 prillit.
Rama tha në studion e “Real Story-t” se mesazhi i tij drejtuar PS në Vlorë ka qenë i shkurtër, i thjeshtë dhe pa ekuivok, që përderisa Dritan Leli refuzoi të ishte pjesë e skuadrës, skuadra do të fitojë pa Dritan Lelin.
“S’ka ndodhur asgjë, unë i kam kërkuar të përfshihet në skuadrën e Vlorës, ai ka refuzuar, dhe kaq. Nuk ka pasur asnjë letër dërguar nga unë dhe lexuar nga Damiani, ka qenë një mesazh që unë kam cuar, se nuk isha dot i pranishëm dje. Shumë i thjeshtë, shumë i shkurtër, pa asnjë ekuivok, që përderisa Dritan Leli refuzoi të ishte pjesë e skuadrës, skuadra do të fitojë pa Dritan Lelin, kaq.
Kush nuk është gati për t’i dhënë skuadrës, nuk ka pse të jetë në skuadër. Kaq e thjeshtë është. Është shumë e rëndësishme për Vlorën dhe gjithë Shqipërisë që ministrja e Energjisë është në udhëtim, ku nesër do të firmosë memorandumin me palën amerikane për investimin në transformimin e TEC të Vlorës”, tha Rama.