Rama dhe Bushati kanë heshtur deri tani për faljen e 12 miljeve detare Greqisë, ndërsa këtë e ka bërë publike ministri iJashtëm grek Kotzias. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias deklaron se është arritur dakordësi me Shqipërinë, përsa i takon vijës së kufirit detar mes dy vendeve dhe thotë se, Greqia do të përfitojë nga kjo 12 milje detare.
Nikos Kotizas: Për Zonën Ekonomike Ekskluzive bëmë 13 orë negociata në fazën përfundimtare. Kishim filluar të diskutonim më përpara dhe më pas i pamë gjërat më hollësisht në Kretë në negociatat katërditore dhe në Korçë.
Gazetari: Për Zonën Ekonomike Ekskluzive?
Nikos Kotzias: Kemi rënë dakord.
Gazetari: …sepse ka bërë deklarata z. Bushati që bënte përgjegjëse për marrëveshjen qeverinë e kaluar. Pra, kur thoni keni rënë dakord, do të zgjeroni kufirin detar në 12 milje?
Nikos Kotzias: Bëhet fjalë për zgjerimin e zonës bregdetare kombëtare. Po do ta bëjmë, por këto janë zonat bregdetare kombëtare.
Gazetari: Dhe më pas do të shpallni Zonën Ekonomke Ekskluzive?
Nikos Kotzias: Sa për ZEE mund ta shpallim, pasi pala tjetër ka pranuar që gjithsesi kemi të drejtë 12 milje dhe këtë e ka pranuar pala shqiptare.
Kotzias ka deklaruar edhe njëherë se nuk është diskutuar çështja çame.
“Nuk e diskutuam. Pala shqiptare e shtroi, pala greke tha nuk e diskutojmë dhe aty mbaruam”, deklaroi ai.
Kotzias ka thënë gjithashtu se në marrëveshjet e bëra është edhe ajo e korrigjimit në bazë të udhëzimeve të komisioneve dypalëshe të teksteve shkollore në Shqipëri, të cilat do të fillojnë të qarkullojnë nga shtatori i këtij viti.
I pyetur për ndryshimin e qëndrimit të Kryeministrit shqiptar brenda pak muajve, Kotzias ka shtuar se, kjo është pasojë e negaciatave që u bënë me qartësi dhe durim, ndërsa ka mohuar zërat për ndërhyrje nga faktorë të huaj.
Duke quajtur arritje të mëdha çështjen e varrezave të ushtarëve grekë, rindërtimin e Kishës në Himarë dhe dhënien e nënshtetësisë kryepeshkopit Anastas, Kotzias ka bërë me dije se vizita e Tsipras në Tiranë për t’u takuar me homologun e tij shqiptar do të bëhet pak ditë para Pashkës Ortodokse.
Shehu: Rama po shkatërron marrëdhëniet me Greqinë
Ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu ka folur për ecurinë e bisedimeve me Greqinë. Në një intervistë televizive Shehu tha se Ministria e Jashtme duhet të japë sqarim për deklaratat e Kotzias se çështja çame nuk ekziston dhe nuk është pjesë e bisedimeve. Sipas deputetit të PD, marrëdhëniet me Greqinë janë shkatërruar dhe Shqipëria ka humbur rolin e liderit në rajon. Shehu i konsideroi negociatat me Greqinë si aventurizëm, mashtrim dhe kapitullim. “Ministri grek tha që nuk ekziston çështja çame dhe unë kërkoj informacione nga ministria e jashtme për deklaratat e Kotzias. Kjo qeveri shkatërroi marrëdhëniet me Greqinë. Shqipëria kishte marrë një rol të madh në Ballkan dhe kjo qeveri filloi të shkatërrojë marrëdhëniet me Greqinë, ndërsa rolin e liderit në rajon e ka marrë Serbia. Këto marrëdhënie me Greqinë janë shkatërruar nga Rilindja që nga viti 2013. Bisedimet me Greqinë janë aventurizem, mashtrim dhe kapitullim dhe cmimi që po paguajmë është shumë i lartë, pasi qeveria shqiptare ka bërë shumë lëshime. Duhet të sqarohet se pse qeveria bën këto politika aventureske në bisedimet me Greqinë. Marrëveshja e re për detin është më e disfavorshme se ajo e vitit 2009”- tha Shehu. Në lidhje me çështjen çame, Tritan Shehu tha se Bushati u shpreh se kjo çështje do të zgjidhet sipas legjislacionit grek, ndërsa sa i përket rregullimit të disa teksteve shkollore në Greqi dhe Shqipëri duhet të ngrihet një komisionin i përbashkët. “Çështja çame u përdor si një veprim aventuresk dhe jemi në një pozitë të disfavorshme. Rilindja premtoi ‘qiejt’ për çështjen çame, por Bushati tha se çështja e shqiptarëve që kanë prona në Greqi do zgjidhet sipas legjislacionit grek. Unë mendoj se sot jemi më keq se në vitin 2013 dhe në pozitë të disfavorshme sa i përket negociatave. Duhet një komisionin i përbashkët për të parë tekstet që janë në Shqipëri dhe ato ne Greqi. Lëshimet që po bëhen do jenë më të mëdha se në vitin 2013. Fundi i kësaj politike ka qenë i qartë. Unë parashikoj që këto marrëdhënie të jenë si në vitin 2013. Marrëveshje historike do thoja se është traktati i miqësisë, jo marrëveshjet që bëhen tani”, tha ish ministri i jashtëm.









