Pse Rama kërkon me çdo kusht një ‘marrëveshje’ me Lulzim Bashën?

Nga Red VARAKU

Në datën 1 Prill 2013, lideri i Opozitës Edi Rama, me sytë e errur nga pushteti, dhe nga frika e dështimit, u ul në gjunjë dhe me gjakftohtësinë e një vrasësi nënshkroi marrëveshjen me armikun e tij më të madh, Ilir Metën, me gjakun e Ziverit, Hekuranit, Faikut dhe Aleksit.

Kurrë nuk ishte hasur në politikën shqiptare një pabesi e tillë, një hipokrizi e tillë, ku gjaku i katër të vrarëve të pafajshëm të përdorej si bojë për të firmosur pazarin e pushtetit të një personi!

Edi Rama, iu ul në gjunjë dhe nënshkroi marrëveshjen me Ilir Metën, pasi e kishte të qartë që nuk kishte shanse ta mundte Sali Berishën.

Kjo bindje iu forcua edhe më shumë kur z. Basha, e mundi për bashkinë e kryeqytetit pas një fushate model ,duke e poshtëruar keq në sytë e shqiptarëve. Pikërisht pas humbjes së bashkisë së Tiranës në 2011, ai e kuptoi që nuk do arrinte kurrë ta rrëzonte Sali Berishën.

Gojët e liga thonë që guru’-ja i tij shpirtëror Koço Kokëdhima ishte personi, i cili i kujtonte çdo ditë pafuqinë e tij dhe nevojën jetike për një marrëveshje me LSI-në për të ardhur në pushtet.

Me sytë e errur për pushtet, i tmerruar nga dështimi dhe pafuqia per të mundur Sali Berishēn, me gjakun e të vrarëve në duar, ai u ul në një darkē dhe e’ hëngri ngjalën’ me ‘hasmin’ e tij politik, pra me gjysmën e qeverisë, të cilën e akuzonte që i ‘kishte vrarë’ Ziverin, Hekuranin, Faikun dhe Aleksin në 21 Janar.

Duke tradhtuar kësisoj kauzat opozitare dhe duke lënë rrugëve ata që e kishin mbeshtetur pa kushte Kreshnik Spahiun, Spartak Ngjelën, Paskal Milon dhe shumë të tjerë.

Nëse ka pasur ndonjëherë tradhti në politikën shqiptare, kjo ka qenë tradhtia më e madhe dhe thika më e madhe pas shpine që iu ngul opozitarizmit dhe demokracisë nga një lider opozite. Ziveri, Hekurani, Faiku dhe Aleksi rrotullohen në varr sa herë dëgjojnë nga goja e Ramës dhe Meros fjalën marrëveshje.

Gojët e shthurura të tellallëve të tij për një marrëveshje të tillë,nuk janë tjetër vetëm se nevoja që ka ky kryeministër për të goditur pikërisht pikën më të fortë të Lulzim Bashës, atë që e bën Lulzim Bashën të ndryshëm nga të gjithë politikanët e tranzicionit, refuzimin e çdo pazari politik në dëm të interesit të qytetarëve.

Kaq e thjeshtë është.

Çorba që ka gatuar kuzhina kryeministrore për një marrëveshje midis Ramës dhe Bashës, lidhet pikërisht me goditjen e pikës më të fortë të Lulzim Bashës, vendosmërisë që po tregon z. Basha, edhe pse me kosto të rëndë politike, për të mos bërë asnjë marrëveshje në dëm të qytetarëve.

Kaq naivë janë këta pinokë, sa nuk e kuptojnë se të ishte për një pazar në dëm të qytetarëve dhe në interes të pushtetit, z. Basha e kishte shumë të lehtë për ta bërë para zgjedhjeve të 30 Qershorit dhe sot do të priste i qetë vitin 2021!

Në fakt ajo që po i çmend përbindëshat e kënetës politike shqiptare, përfaqësuesit e establishmentit të korruptuar të këtyre 30 vjetëve është pikërisht qetësia dhe vendosmëria e Lulzim Bashës.

Përkundër të gjitha parashikimeve të ‘profetëve’ të establishmentit, z.Basha është shumë i qetë dhe as që e ka ndërmend të tërhiqet nga kushtet e vendosura. Kjo i ka nxjerrë të gjithë djajtë nga shishja, ku rrinin mbyllur që prej 2013 dhe ç’ nuk po bëjnë e ç’nuk po sajojnë për një marrëveshje të re.

Ndryshe nga Rama i 2013-tës, lideri ‘i butë’ i Opozitës, po qëndron i palëkundur tek nevoja jetike që ka sot shoqëria shqiptare për ndryshim dhe jo tek nevoja për të ardhur në pushtet. Ai nuk po kërkon thjesht një rrotacion mekanik me pazare dhe aleanca ‘qelbësirash’.

Ndryshe nga Rama i 2013-tës, ai e ka të qartë që një pazar tjetër ‘për të ndryshuar sistemin’ do të përfundojë në një gjest që do të ringjallë njerëzit më të diskretituar, të cilët do të jenë dera e hapur për çdo hajdut dhe të korruptuar, të cilët do ta tërheqin zvarrë pushtetin, ashtu siç hoqën zvarrë Edi Ramën.

Lulzim Basha, e ka të qartë që çdo rrotacion me këtë pazar, do të riciklojë të njëjtët njerëz dhe të njejtat kriza dhe Shqipëria do të vazhdojë të lëngojë në tranzicionin e gjatë shqiptar duke shkërmoqur kështu edhe një herë ëndrrën e madhe të shqiptarëve për liri dhe demokraci.

Ai është i vendosur për ta çuar deri në fund projektin e tij politik, krijimin e kushteve për të kaluar përgjegjësinë e drejtimit të vendit tek një brez i ri në politikë, ekonomi dhe shoqëri.

Exit mobile version