PSE RAMA NUK BË(N)RI DOT SHTET DHE PROGRAMI EKONOMIK PËR NË BE

Nga Përparim Gjeka

Mandati qeverisës kudo në botë është zakonisht katër (ose 5) vjeçar për arsye se llogaritet që kjo kohë është e mjaftueshme për të realizuar programin me të cilin ke fituar zgjedhjet. Për ato reforma që janë ndërmarrë, por duhet akoma kohë për zbatim, kërkohet edhe një mandatim tjetër katër vjeçar. Duke qenë se 8 vjet janë jo vetëm të mjaftueshme për të parë rezultatet praktike të vizionit të një lideri apo qeverie, por më shumë vjet në pushtet mund të kthehen në stagnacion ose rënie ekonomike për vendin, ka vende si Amerika që e kufizojnë me ligj deri në tetë vjet të njëjtin lider.
Kjo narrativë është provuar katërciperisht në Shqipëri në rastin e qeverisjes së Edi Ramës. Në mandatin e parë 2013-2017, për hir të së vërtetës u ndërmorën disa reforma me dëshirën e mirë për ndryshim, si reforma në shëndetësi, në arsim, në zhvillim territori, në drejtësi etj. Por shëndetësia nga shëndetësi falas për popullatën përfundoi në PPP nga buxheti i shtetit për oligarkët, arsimi mbylli universitete kioska, por përfundoi në arsim kioska pa blerës (nxënës e studentë), qendrat e qyteteve patën investime, por më tepër u lyen fasada sesa pati plane rregulluese dhe zhvilluese të territorit. Reforma në drejtësi që u trumpetua me te madhe bllokoi sistemin për shumë vjet dhe në kohën kur arriti disa rezultate, përfundoi se duhet reformuar akoma edhe një herë sipas vetë Ramës. Pra, kohëzgjatja 12-vjeçare në pushtet u kthye në mallkim për vendin edhe sepse pati keqadministrime buxhetesh me të paktën 1 miliard dollarë çdo vit mesatarisht, të zbuluara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Nga ana makroekonomike, u vu re rritje inflacioni më e madhe se sa rritja ekonomike, rritje e borxhit të jashtëm, rënie e konsumit të brendshëm si rezultat edhe i shpopullimit të vendit, fryrje të administratës dhe rënie të produktivitetit, rritje e përqindjes së varfërisë me mbi 30% të popullsisë nën minimumin jetik, etj. etj.

Tani problemi më i madh është që për shumicën e shqiptarëve këto probleme të qeverisjes shihen si diçka normale, sikur kushdo që të ishte në pushtet nuk mund të kishte bërë kushedi sa më shumë, kurse e pafalshme është që thuajse gjithë faktorët e opozitës nuk kanë bërë të qartë me analiza, shifra, fakte, plane dhe programe ekonomike dy pika të rëndësishme:
I. Pse ky kryeministër nuk ka asnjë shans, qoftë edhe teorik, të reformojë ekonomine dhe të afrojë Shqipërinë me minimumin e standardeve për në Bashkimin Europian?
II. Cili është programi ekonomik që garanton rritjen ekonomike mbi 5% në vit si parakusht për hyrje ne BE zhvillim të gjithanshëm shoqëror dhe ripopullim të vendit?

PSE EDI RAMA NUK BË(N)RI DOT SHTETIN QË DUAM

Në analizë rigorozisht ekonomike po vërtetojmë se kryeministri Rama nuk ka kredencialet për të kërkuar një mandat të katërt:
1. As që nuk është i ndërgjegjshëm se për futjen në Europë ka qenë kërkuar dhe kërkohet një minimum standardi ekonomik, dhe ky kërkon një rritje ekonomike prej minimumi 5% në vit, rritje e cila as nuk parashikohet në plan-programet afatmesme 2025-29. Historiku 12-vjeçar nuk ka pasur rritje mesatare mbi 3%, kurse parashikimi më optimist është 3.9%, dhe kjo rritje konsiderohet arritje nga kjo qeveri. Me fjalë të tjera, po na thuhet se ky popull kaq meriton, të jetë gjithmonë i fundit i Europës dhe të mos guxojmë të mendojmë për më mirë.
2. Ka vërtetuar se nuk e njeh si funksionon ekonomia e tregut, e cila bazën e zhvillimit ekonomik e ka te iniciativa dhe konkurrenca e lirë, dhe jo te mbështetja e oligarkëve me kontroll mbi aktivitetet kryesore ekonomike. Gjithashtu, shteti nuk ka bëre detyrën tjetër duke mos krijuar kushte për mbështetjen e subjekteve ekonomike në bujqësi, blegtori, turizëm, agroindustri, etj., me subvencionime, infrastrukturë, promovime etj. Dëmi më i madh i dukshëm është pikërisht në bujqësi dhe blegtori, me uljen e krerëve të bagëtive dhe derdhjet nëpër kanale të prodhimeve bujqësore. Mosnjohja e ekonomisë tregon edhe shpresa se me kanabizimin e vendit dhe paratë informale te krimit në ekonomi do të kishte zhvillim ekonomik. Pasoja e dukshme fatale e kësaj qasjeje është realisht vjedhja që u bëhet shqiptarëve të ndershëm, me uljen e vlerës së valutave të huaja me rreth 30% si rezultat i qarkullimit të mbi katër miliardë euro në para jashtë sistemit bankar.
3. Nuk ka paraqitur asnjëherë asnjë plan të integruar ekonomik me reforma sektoriale që të paktën teorikisht sigurojnë rritjen ekonomike dhe sociale të duhur. Të gjitha ndërhyrjet në ekonomi, duke nisur nga ajo fiskale me taksën progresive kaotike në kohë, nga informaliteti preferencial e deri te reformat e dështuara në shëndetësi, arsim, bujqësi etj. Për ta kuptuar më qartë këtë qasje, mund ta krahasojmë me zhvillimin kaotik të Tiranës pa një plan urbanistik transparent të miratuar edhe sot e kësaj dite.
4. Administrata Rama dëshmon një produktivitet të ulët në kufijtë e injorancës, sepse sistemi administrativ reflekton një piramidë autoritare ku shefi që nuk di gjithçka urdhëron për gjithçka, por në të njëjtën kohë kryesore nuk është ekspertiza profesionale, por besnikëria dhe servilizmi ndaj shefit. Një shembull i qartë nga mandati i parë është zëvendësimi i ministrit të Financave, ish-guvernator i Bankës Kombëtare, me një mësues anglishtije. Shembujt vazhdojnë me ministra pa përvojë pune dhe pa grada shkencore, kryetarë bashkie me të kaluar kriminale, drejtues që nuk kanë ditur as të vjedhin dhe të mbulojnë gjurmët e tyre etj. Shefat injorante e të babezitur ndihen mirë vetëm me vartës akoma më injorantë e të babezitur.
5. Menaxhimi personal i kohës së kryeministrit në funksion të punës vërtetohet se është katastrofal nga daljet në media. Ndërkohë që kryeministrat e botës demokratike e harxhojnë kohën kryesisht në studime dhe krahasime shifrash dhe analiza trendesh në ekonomi shtetërore apo ndërkombëtare, konsultime me institucione akademike dhe bordet kombëtare, mbledhje dhe diskutime sektoriale sipas ministrive, kërkesë llogarie dhe vendosje limitësh për realizim detyrash, gjurmim dhe denoncim korrupsioni brendaqeveritar, inspektime dhe promovime ekonomike, vendosje prioritetësh nëpërmjet ligjeve në parlament dhe ndjekja e tyre në ekonomi, gjeopolitike etj., kryeministri ynë shumicën e kohës e sheh të bëjë propagandë kundër opozitës, e sheh duke u bërë reklamë disa arritjeve të vogla në vend, shpeshherë duke abuzuar me arritjet e sektorit privat, të cilët qeveria nuk ka kontribut, duke pasur si prioritet shpërndarjet e postimeve në rrjetet sociale, e sheh duke dalë vend e pa vend, kohë e pakohë në media, duke kaluar kohë me ndjekës në rrjetet sociale, me rubrika dhe podkaste mediatike etj. Si mund të pritet zhvillim ekonomik nga udhëheqja e dikujt që jo vetëm nuk e kupton ekonomine, e kriminalizon ekonomine, e vjedh ekonomine e përbashkët dhe as që harxhon kohën kryesore për ekonomine, e cila është kryesore për zhvillimin e gjithanshëm dhe të qëndrueshëm të vendit?

PROGRAMI EKONOMIK QË GARANTON RRITJE EKONOMIKE MBI 5% SI PARAKUSHT PËR ANËTARËSIM NË BE

Në analizë rigorozisht ekonomike po vërtetojmë se vendi ynë ka mundësinë (kryesisht për arsye se niset nga një bazë e ulët) dhe potencialin (kryesisht për arsye se ka burime natyrore dhe njerëzore të mjaftueshme) që me reformat e duhura ekonomike të sigurojë rritje ekonomike mbi 5% në vit në pesëvjeçarin e ardhshëm. Këto reforma konsistojnë si vijon:

1. Dekriminalizimi i ekonomisë nëpërmjet ligjeve dhe ligjzbatimit mbi pastrimin e parave, trafiqet, krimin e organizuar dhe krimin ekonomik. Një ligj i tillë, për shembull, do të ishte kufizimi i pagesave jashtëbankare deri në një shumë të caktuar dhe një maksimum i transaksioneve jashtëbankare në sektorin e ndërtimit. Kjo do të ulte ofertën e eurove në treg dhe do të balanconte shkëmbimin valutor.
Tarifim i lartë i shtëpive të dyta, të treta e në vazhdim në pronësi për të detyruar shitjen e apartamenteve bosh që mbahen si kolateral nga zyrtarët e korruptuar te 20%-ave dhe boseve te parave të trafikuara që i mbajnë të bllokuara tani. Kjo do të rriste ofertën në treg dhe do të ulte çmimin e banesave, duke ulur edhe inflacionin në përgjithësi.

2. Formalizimi i ekonomisë nëpërmjet reformave fiskale dhe forcimit të zbatimit të ligjit. Taksa e sheshtë e ulët, regjim i thjeshtë fiskal, incentiva për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, standardizim pagesash etj. Reforma të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe fond sovran kombëtar duke futur çdo shtetas në sistemin qendror me numër unik për rishpërndarje sa më të drejtë të të ardhurave kombëtare.

3. Ristrukturim i ekonomisë kombëtare duke fuqizuar prodhimin në vend sipas parimit të avantazhit krahasues. Në kushtet e Shqipërisë duhet investuar me prioritet në bujqësi dhe blegtori; logjistikë dhe transport, det-ajër-tokë – kombëtar dhe ndërkombëtar; agroindustri dhe industri e lehtë; turizëm dhe shërbime të lidhura me të, si p.sh. katering dhe turizëm shëndetësor; zona të lira ekonomike për investime të huaja, energji e rinovueshme dhe ndoshta zbatime të teknologjive të reja të inteligjencës artificiale, meqë të gjithë janë në hapat e parë, si dhe rritje e konsumit te brendshem duke rritur paga e pensione, hapje tregjesh të reja për milionat e turistëve etj. Rritja e prodhimit vendas do te shtonte exportet e do te ulte importet duke ndikuar te ulja e inflacionit (cmimeve).

4. Reforma urgjente në tre sektore jetike me karakter social:
a) Reforma e tokës dhe e pronës duke futur në binare titujt e pronësisë me parimin “prona vetëm atij që i takon”; legalizim vetëm brenda planeve urbanistike të përshtatura që të ruajnë sa më shumë ndërtime e të eliminojnë sa më pak ndërtime, por të jenë në gjendje të kenë infrastrukturën e plotë.
b) Reforma në shëndetësi me fuqizim të sektorit të shëndetit publik për trajtimet bazë në unison me universitete shtetërore dhe krijim i kushteve për sektorin privat për trajtime të specializuara.
c) Reforma në arsim duke theksuar arsimin praktik në përshtatje me tregun e punës në Shqipëri.

5. Reforma administrative per meritokraci ne te gjithe zinxhirin e administrates shteterore, me synim rritjen e eficiences dhe shkurtimin e numrit te panevojshem.

6. Strategji të personalizuara për ripopullimin e vendit per rritjen e kapaciteteve njerezore dhe konsumit, jo vetëm me aktivitete për ruajtjen dhe rritjen e ndjenjes kombëtare në Diasporë, por me programe konkrete si incentiva për investime në Shqipëri e Kosovë të biznesit shqiptar në botë, angazhim më të madh e të sinqertë të trurit në diasporë me projekte konkrete në fushat akademike dhe ekonomike, bursa për fëmijët në universitetet tona etj.

Ripopullimi në fakt është edhe derivat i suksesit në reformat e tjera, kështu që na duhet një qeveri që e ka prioritet ripopullimin dhe jo shpopullimin si kjo qeveri aktuale që ka larguar me qindra mijë shqiptarë si rezultat i dështimeve që analizuam më lart.

Exit mobile version