Rezultati kundër referendumit kushtetues ishte një humbje politike e Matteo Renzit, e cila e detyroi të jepte dorëheqjen jo vetëm nga detyra e kryeministrit, por ndoshta edhe nga detyra e Sekretarit të Partisë Demokratike italiane.
Çfarë ndryshon për Shqipërinë?
E majta botërore e të qenit “politikisht korrekt”, pas Hillari Klinton dhe Hollande, humbi një tjetër protagonist, Matteo Renzin.
Ish-kryeministri italian i deklaruar publikisht mik i Kryeministrit Rama, me të cilin ka ndarë, përveç selfit, një mënyrë qeverisje të bazuar në deklarata dhe propagandë. Të dy kanë lënë në plan të dytë rezultatet e prekshme, të cilat shpesh herë kanë rezultuar më të ulta se sa pritshmëritë e zgjedhësve.
Sipas Kushtetutës, Renzi nuk ishte i detyruar të thërriste referendum. Por ai e bëri atë, sepse besonte se në një fitore të thellë, e cila do të shërbente për të mbyllur zërat kundra brenda partisë së tij. Ky gabim e ktheu votën për referendumin në një votë kundër qeverisjes Renzi.
Personalizimi i zgjedhjeve është gjithmonë shumë i rrezikshëm, por personalizimi i një referendumi është akoma më shumë, sidomos në kohë krize ekonomike.
Në rastin e Italisë, pakënaqësia e pjesës më të madhe të popullatës, e lodhur nga kriza e gjatë dhe e thellë ekonomike, nga njëra anë e zhgënjyer nga premtime boshe dhe njoftime për refomra me rezultate gati të paperceptueshme, por me kosto të prekshme, dhe nga ana tjetër e irrituar nga prania e miqve dhe të njohurve, të cilët pa meritë ishin në sistemin e pushtetit të ndërtuar nga Renzi, në fund u kthye në një dënim masiv për qeverinë.
Këto pakënaqësi janë të pranishme edhe në Shqipëri. Edhe personalizimin e garës politike, Kryeminsitri Rama e ka filluar prej kohësh. Ai mbron këdo nga ministrat e tij, gati të gjithë të përfolur, duke marrë personalisht përgjegjësinë politike të veprimeve të tyre.
Pika tjetër ku bashkohen Renzi dhe Rama është sulmi ndaj opozitës në momentin kur argumentat në favor të qeverisë mungojnë.
Rama e ka filluar këtë strategji, dukshëm, gjatë diskutimit të Reformës në Drejtësi. Ai kërkoi me çdo kusht të miratojë me shumicë votash ndryshimet kushtetuese për t’i kthyer ato në një humbje të Partisë Demokratike. Ndërsa, tani, ai po përdor pezullimin e ligjit të vetingut nga Gjykata Kushtetuese për t’i ngarkuar PD-së të gjithë koston politike të ndalimit të hapjes së negociatave me BE-në.
Kjo mënyrë qeverisje vetëm me anë të propagandës, e cila solli fitoren e Donald Trump në Amerikë e tani shkaktoi votën masive kundër qeveris Renzi, mund të sjellë edhe në Shqipëri humbjen e Partisë Socialiste, dhe favorizimin e partisë së re të formuar nga Ben Blushi.