Nga Spartak Ngjela
Ekspertët amerikanë erdhën sërish në SPAK. Kjo e vërteton sërish se, profesionalisht, në funksion të hetimit të krimeve dhe gjykimit të tyre në SPAK, gjithçka po drejtohet nga ekspertiza amerikane.
Kurse Berisha, si i akuzuar që është, vijon e shprehet botërisht në media se SPAK, sipas tij, drejtohet nga Rama.
Por na duhet të theksojmë se naiviteti popullor në një mbrojtje indivuduale që bën i akuzuari, i cili nuk mbrohet nga avokati por nga ai vetë, tani, në teorinë e hetimit dhe akuzës penale, është quajtur naivitet joprofesional.
I pandehuri i akuzuar që mendon se do të mbrohet vetë nga një akuzë, në një kohë që nuk është as jurist e as kriminalist, bie viktimë e delirit të tij se ai di gjithçka më mirë nga të tjerët, edhe pse nuk është jurist.
Dhe këta të akuzuar kanë qenë gjithmonë objekt humori dhe në jetën profesionale të drejtësisë, por edhe në letërsi e në kinematografi.
Një i tillë po duket në shfaqjen e tij publike edhe i pandehuri i akuzuar penalisht, Sali Berisha. Dhe komedia arrin kulmin kur e di tani që ekspertët amerikanë të krimit janë kthyer sërish në SPAK, ai vijon të flasë me një stil popullor për një çëshje profesionale në shkencën e drejtësisë.
Por kjo po tregon indirekt se Berisha e di që krimin e ka kryer, dhe e gjithë “mbrojtja” e tij kuptohet se ka qenë dhe është e mbështetur te kërcënimi për të trembur prokuroret dhe gjyqtarët e SPAK. Por, a mund të arrihet kjo?
Kur e sheh se sërish SPAK po drejtohet profesionalisht nga ekspertiza amerikane, mbrojtja joprofesionale humbet në një paradigmë absurde, dhe prandaj i akuzuari flet sikur të jetë një injorant i trembur që bërtet nga frika.
Kjo është në thelb çështja penale Berisha sot, dhe shqiptarët po shohin se vetë media ka rënë në një induksion nga një i akuzuar që nuk e di fare se çfarë është akuza penale, çfarë është prova gjyqësore dhe çfarë është fajësia për një krim.
Kurse tani po pritet procesi gjyqësor, por në një kohë që në SPAK ka ardhur sërish ekspertiza penale amerikane.
E pra s’na mbetet gjë tjetër veçse të shohim akuzën kundër një individi me njohuri publike, i cili ende nuk ka pasur mundësi intelektive qe të bëjë publikisht një mbrojtje profesionale kundër akuzës penale, të cilën ia ka ngrirur dhe po e gjykon SPAK dhe ekspertiza penale ndërkombëtare.
Por fakti që në këtë proces të rëndësishëm penal ka ardhur sërish mbështetje profesionale ndërkombëtare, mendojmë se çështja do të gjykohet drejt dhe me prova të plota gjyqësore.