PYETJE: Po ju vetë e besonit apo ishit dhe ju skeptik ndaj idesë së Rugovës?
SALI BERISHA: Të shkojmë pak te fillimi bisedës. Midis meje dhe atyre që më dhanë mua leksionet më të mëdha për Kosovën kishte një dallim. Ata nuk besonin kurrë se do ta shihnin më Kosovën, kurse unë nuk besoja se nuk do ta shihja Kosovën të çlirohet. Dhe kjo ide më ka shoqëruar mua gjithë jetën time. Duke ditur gjithë historinë e Kosovës kisha një bindje të thellë se nuk do jetë e largët dita kur Serbia s’mund ta mbajë dot dhe kur Kosova të çlirohet prej saj. Unë e kisha këtë bindje por natyrisht unë isha për bashkim kombëtar. Unë u rrita me idealin më të shenjtë, atë të idealit kombëtar. Për mua Kosova ishte provincë e Shqipërisë dhe nuk mendoja kurrë që duhet të jemi për pavarësi. Kur u angazhova për politikë në vitin 90’ bëra shumë takime me përfaqësues të Kosovës dhe konstatova se ata e kishin serioze idenë e pavarësisë. Në shkurt të 91 erdhi Ibrahim Rugova dhe përsëri ai ma shpjegoi dhe theksoi se pavarësia është rruga në të cilën duhet ecur dhe pastaj shihen problemet. Pasi u binda se kjo nuk ishte një tezë fasadë për t’u paraqitur por ishte një tezë që bazohej në një realitet të cilin unë nuk e njihja, një realitet të krijuar në 50 vite në Prishtinë, atëherë unë e kam mbështetur plotësisht se përndryshe do dilnim me idera aneksioniste çka ishte e pamundur për mua që unë të kisha ato ide. Dhe kam ndryshuar qëndrimin tim, jam pajtuar me idenë e pavarësisë por isha i bindur në mënyrë absolute se një ditë Kosova do të dalë nga pushtimi serb.
PYETJE: Në kohën kur ju ishit president i Republikës së Shqipërisë, grupe të UCK janë stërvitur brenda territorit të Shqipërisë. Kishte pranuar shteti shqiptar që ato të stërviteshin brenda territorit shqiptar, kishte presion ndërkombëtar që të bëhej kujdes?
SALI BERISHA: Presion ndërkombëtar kishte, këto grupe nuk ishin të mëdha, ishin grupe disa qindra vetësh..
PYETJE: Si vendosët ti përkrahnit?
SALI BERISHA: Që të jemi realistë, që të gjitha këto janë bërë me qeverinë e Kosovës. Qeveria e Kosovës kishte këtu më së shumti dhe kryeministrin por kishte ministër mbrojtje, kishte organizimin e vet dhe ishte qeveria e Kosovës e cila merrej me çdo gjë me ta, kurse ne, si qeveri shqiptare, komunitetit ndërkombëtar i thonim se ishin refugjatë, u kemi dhënë strehë si refugjatë por ndodh ndonjëherë që ndonjë prej tyre cojnë foto nëpër ambasada duke u stërvitur. Kjo që u thonim ne ishte një gjë jo shumë bindëse. Por këto nuk ishin të shumtë. Një meritë të jashtëzakonshme kishin ama. Imagjino, një grup i vogël njerëzish, të cilët besojnë se do ta çlirojnë me armë Kosovën është një gjë me të vërtetë e jashtëzakonshme. Dhe në fund të fundit ai vendim i tyre u tregua përcaktues për çlirimin e Kosovës. Pa diskutim që ëndrrën e pavarësisë e ndërtoi Rugova. Ai ishte një gjeni në politikën shqiptare sepse arriti të ndërtojë dhe të bëj një popull të tërë të besojë në projektin e pavarësisë. Por, në një farë mënyre, ndofta ai e konkretizoi në kushtet e pushtimit, si rrallë kush në historinë e Europës dhe njerëzimit, me pushtetin paralel që krijoi. Pavarësisht se policinë, forcën e kishte Millosheviçi por popullin dhe shoqërinë e kishte tërësisht Rugova, dhe pushteti i tij paralel ishte sfida më e madhe që i bëhej pushtimit serb. Institucionet paralele, parlamenti, shpallja e republikës, shumë njerëzve dhe sot mund t’u duken si akte jo qënësore por jo, ato ishin akte qënësore, akte thelbësore sepse mbi to u ndërtua ëndrra e pavarësisë së popullit të Kosovës dhe mbi to kjo ëndërr shkoi në të gjitha kancelaritë e botës, mbi to kjo ëndërr u bë motivi kryesor i luftës dhe sakrificës për liri të mijëra e mijëra vajzave dhe djemve të Kosovës.
PYETJE: Kur ka qenë hera e parë që keni vizituar Kosovën?
SALI BERISHA: Hera e parë që kam vizituar Kosovën për fat të keq e kam vizituar në fatkeqësi. E kam vizituar kur vdiq presidenti Rugova. U nisa një herë tjetër por UMNIK u trëmb, se ata ndiqnin një praktikë idiote që s’duhet ti lëmë shqiptarët të afrohen se po na bashkohen, dhe më njoftuan në Kukës se nuk mund të kalosh kufirin se guvernatori i asaj kohe Kushner nuk ka dhënë miratimin. Unë mbajta një konferencë shtypi dhe dënova qëndrimin. Pavarësisht nga kjo unë kam shumë respekt për punën që Kushner ka bërë për Kosovën, ishte mik, por e bëra një denoncim për qëndrimin e tij në atë rast./Kosovavision/