Pse shqiptarët po mbështesin SPAK-un!

Nga Ermal Peçi

Gangrena më e madhe e demokracisë hibride në këto 33 vite në Shqipëri ka qenë mungesa e drejtësisë. Mungesa e një dere për të trokitur përballë trinomit politiko-oligarkiko-kriminal që i detyronte shqiptarët të merrnin udhën e emigrimit. Mungesa e drejtësisë këtij vendi i ka sjellë shoqërisë dëme të mëdha sociale, por dhe ekonomike, vjedhja e pronave, lirimi i kriminelëve dhe mosndëshkimi i politikanëve, të cilët erdhën në politikë me pardesynë e Enverit e tashmë lëvizin me makina lukzoze. Kjo solli rupturën sociale dhe revoltën e heshtur të shqiptarëve që kërkuan shpëtimin drejt perëndimit për t’ju ofruar fëmijëve të tyre, por edhe vetes atë që nuk gjenin dot në Shqipëri. Reforma në Drejtësi, e cila ishte dhe është një prej investimeve kryesore të ndërkombëtarëve dhe sidomos e SHBA-së, e cila mesa duket ka filluar të rrëzojë mitin e paprekshmërisë së politikanëve shqiptarë. Ish-ministra, ish-deputetë, ish-zëvëndëskryeministër deri tek ish-kryeministri Berisha duket se ka rikthyer besimin e shqiptarëve tek drejtësia. Ky nuk është vetëm konstatimi im, por në bazë të sondazheve, të cilat janë publikuar vetëm javën e fundit.

Insituti Ndërkombëtar Republikan në sondazhin e fundit që publikoi tregonte se rreth 70% e shqiptarëve mbështesnin SPAK-un. Sondazhi tjetër që përforcoi akoma më shumë rritjen e besimit të shqiptarëve për SPAK-un dhe SHBA-të ishte Barometri. Të dyja këto sondazhe po tregojnë atë që propaganda 33-vjeçare e politikës shqiptare dëshiron ta fshehë dhe ta mbajë larg opinionit publik me manovra në mënyrë që ta ndajë shoqërinë në kampe për ta përcaktuar si drejtësi me regji. Sondazhi i Barometrit tregonte se si vit pas viti, pas goditjeve ndaj politikanëve përtej krahëve politikë rritej edhe besueshmëria ndaj SPAK-ut dhe ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri. SPAK sot gjendet përballë dinozaurëve të politikës, të cilët po përdorin çdo instrument për ta intimiduar dhe kontrolluar ashtu siç ka mbështetjen pa kushte të Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës, i cili në çdo dalje publike e përforcon thirrjen për të mbështetur organin e drejtësisë dhe shtetin ligjor.

Rritja e besimit të shqiptarëve ndaj institucionit të SPAK-ut është një lajm i mirë për shqiptarët dhe një lajm i keq për mamuthët e politikës, të cilët janë pasuruar në kurrizin tonë sepse vendosja e drejtësisë dhe thyeja e paprekshmërisë është lajmi më i mirë për vendin tonë edhe për të ardhmen e vendit.
Ka ardhur momenti i karmës, i kthimit në bumerang të vendimeve të gabuara të bëra me vetëdije kudrejt qytetarëve të këtij vendi.

Exit mobile version